E shtunë, 14 Dhjetor, 2024

Trump-Biden debat në distancë mbi zgjedhjet

Presidenti republikan Donald Trump dhe rivali i tij demokrat, ish-Nënpresidenti Joe Biden, do të zhvillojnë sot takime të hapura me pyetje-përgjigje nga qytetarët pas anulimit zyrtarisht të debatit mes tyre të planifikuar në të njëjtën ditë. Rrjeti televiziv NBC News njoftoi të mërkurën se do të transmetonte drejtpërdrejtë takimin e presidentit Trump sonte në orën tetë të mbrëmjes me votuesit e qytetit të Majamit në shtetin e Floridës. Ndërkohë rrjeti televiziv ABC News ka planifikuar tashmë të transmetojë takimin me zotin Biden në qytetin e Filadelfias të shtetit të Pensilvanisë, në të njëjtën orë.

Florida dhe Pensilvania konsiderohen si shtete kyçe për secilin kandidat në zgjedhjet e 3 nëntorit. Numri i votuesve që do ndjekin secilin nga takimet mund të jetë një tregues jo-statistikor për preferencat e votuesve kur kanë mbetur më pak se tre javë përpara ditës së zgjedhjeve. Ndryshimi i kanalit nga një takim tek tjetri mund t’u japë gjithashtu votuesve të pavendosur një mundësi për të parë se si kandidatët u përgjigjen pyetjeve të njëjta. Pothuajse 12 milionë amerikanë kanë votuar tashmë në ato që njihen si votime të hershme e që janë zhvilluar në shumicën e shteteve amerikane. Shumë vetë zgjodhën të votojnë më herët për shkak të interesit të shtuar për fushatën, ndërsa të tjerë me qëllimin për të shmangur radhët e gjata gjatë ditës së zgjedhjeve dhe qëndrimin pranë me votuesit e tjerë gjatë pandemisë.

Dy aktivitetet politike të së enjtes nuk do të kenë asgjë të ngjashme me atë që mund të kishte qenë debati i dytë mes dy kandidatëve, pas debatit të ashpër mes tyre në fund të shtatorit që disa analistë e cilësuan si më të keqin në historinë politike të vendit. Gjatë debatit të tyre 90 minutësh kandidatët shpesh ndërprisnin njëri-tjetrin, me ndërhyrje më të shpeshta nga ana e zotit Trump krahasuar me zotin Biden.

Për muaj me radhë, zoti Biden ka ruajtur një epërsi të qëndrueshme në sondazhet kombëtare ndaj zotit Trump.

Gjatë muajve të verës, zoti Biden udhëhiqte zakonisht ndaj zotin Trump mesatarisht me 6 ose 7 për qind më shumë në shkallë vendi dhe me gjysmën e këtyre shifrave në shtetet përcaktuese për fatin e zgjedhjeve. Por pas paraqitjes në debatit e parë dhe diagnostikimit të presidentit me COVID-19, sondazhet tregojnë se zoti Biden ka përparuar me një mesatare prej më shumë se 10 për qind në shkallë vendi. Avantazhi i tij në shtetet kyçe po i afrohet avantazhit të tij në rang kombëtar.

Të dy kandidatët ishin planifikuar të takoheshin ballë për ballë të enjten në mbrëmje. Por zoti Trump u tërhoq nga debati pasi Komisioni i pavarur për Debatetet Presidenciale deklaroi se debati do të zhvillohej virtualisht. Komisioni e mori vendimin ndërsa shëndeti i zotit Trump ishte në dyshim pas diagnostikimit të tij me COVID-19. Menjëherë më pas zoti Biden caktoi takimin e tij që do të transmetohej në rrjetin televiziv ABC dhe debati më vonë u anulua zyrtarisht.

Sipas planifikimeve të dy kandidatët pritet të debatojnë për herë të fundit në 22 tetor, 12 ditë përpara zgjedhjeve.

Rrjeti televiziv NBC tha se ka rënë dakord të drejtojë takimin e së enjtes në mbrëmje me zotin Trump pasi mori garanci se presidenti nuk do të përbënte rrezik për sigurinë shëndetësore të votuesve që marrin pjesë në takim, ekipin televiziv apo drejtuesen Savannah Guthrie.

Ndryshe nga tubimet politike të zotit Trump, ku pak nga mbështetësit e tij mbajnë maska, të gjithë të pranishmëve në audiencë në Majami, të ulur jashtë në një muze arti, do t’u kërkohet t’i mbajnë ato. Zonja Guthrie dhe zoti Trump do të qëndrojnë rreth 4 metra larg njëri-tjetrit. Të dy kandidatët këtë javë kanë udhëtuar në ato shtete që mund të rezultojnë vendimtare për rezultatin e përgjithshëm. Fitorja shtet me shtet përcakton fituesin dhe jo vota e popullore në rang kombëtar. Shtetet më të populluara kanë rëndësinë më të madhe në Kolegjin Zgjedhor, të cilin zoti Trump e fitoi në 2016, por duke humbur votën e popullore ndaj demokrates Hillary Clinton. Zoti Trump zhvilloi një tubim në Pensilvani të martën ndërsa të mërkurën në shtetin e Ajovas. Zoti Biden zhvilloi fushatë në Florida të martën ndërsa të mërkurën mori pjesë në një aktivitet virtual për grumbullim fondesh.

Të fundit