E hënë, 16 Qershor, 2025

SEKTORI PRIVAT I PAKËNAQUR NGA NDIHMA E QEVERISË

Sektori privat ka kërkuar ndihmë më të madhe nga qeveria për shkak të krizës nga pandemia. Përfaqësues të këtij sektori kanë theksuar se ndihma në pakot e para të ndara për kompanitë ka qenë tepër e vogël në krahasim me vendet e rajonit dhe në nivel global. Qeveria ka bërë të ditur se po përgatit pakon e katërt të ndihmës ekonomike, e cila do të jetë më përmbajtësore dhe më efikase. Pritet ndërkohë edhe ribalanc i buxhetit për të rishpërndarë mjetet të cilat kanë mbetur të pashfrytëzuara nga pakot e para

 Autore: Xhumadije Ibrahimi

Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi ka realizuar një takim pune me Kryetaren e Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, Danella Arsovska. Ai ka bërë të ditur se Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria punojnë në mënyrë intensive në masat e reja për mbështetjen e sektorëve më të prekur nga kriza shëndetësore-ekonomike shkaktuar nga virusi Covid 19. Për momentin po bëhen vlerësimet që të sigurohen mjetet për pakon e katërt të masave anti krizë.

Ndihma e deritanishme ekonomike për kompanitë private në vend, të prekura nga kriza korona, sipas anëtareve të Lidhjes së Odave ekonomike të Maqedonisë së Veriut është shumë e vogël. Ata shpresojnë se pakoja e katërt që e përgatit qeveria do të jetë më bujare. Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi ka paralajmëruar lehtësime tatimore, por edhe subvencione direkte për sektorin e turizmit dhe promovim të vendit në rajon, që të kthehen turistët, që këtë vit e anashkaluan Maqedoninë e Veriut. Kompanitë private, të bashkuara në Lidhjen e Odave ekonomike të Maqedonisë së Veriut, para disa ditëve në lidhje me shqetësimet e tyre, për shkak të dëmit të shkaktuar nga kriza korona, kanë biseduar me kryeministrin Zoran Zaev, ndërsa kërkesat e tyre për ndihmë më të madhe nga ana e Qeverisë i kanë shpalosur edhe përpara ministrit të ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Lidhja e Odave në periudhën e ardhshme do të intensifikojë punën e saj në mënyrë që masat ekonomike të kenë një efekt më të madh në sektorët më të prekur.

“Pakon e re nuk e kemi parë, por nga tri pakot e mëparshme, ajo për të cilën kemi vërejtje është se shuma që u nda, nuk flasim për ato mjete që arritën në llogaritë e qytetarëve, por për shumën që arriti në llogaritë e kompanive, ishte vërtetë e vogël në krahasim me pakot që i kanë ofruar jo vetëm vendet e rajonit, por edhe në nivel global. Me përqindje, sipas vlerës së BPV-së, kemi pasur pakon më të vogël, kështu që shpresojmë se me pakon e katërt të masave ekonomike kjo do të korrigjohet, duke pasur parasysh që sektori privat, përkatësisht real, është ngritësi i ekonomisë”, ka theksuar Daniela Arsovska.

Ndihmë e targetuar për industritë më të prekura – turizmin, gastronominë, transportin dhe zejtarinë ka pasur deri tani, por në pakon e katërt të ndihmës qeveritare, e cila ende planifikohet, pritet “erë e re në vela” për këta sektorë dhe shpërndarje efikase e parave.

“Nuk dëshiroj të hyj në detaje, ende kemi takime me odat ekonomike, në lidhje me sektorin e gastronomisë. Rishikojmë edhe lehtësime tatimore, por edhe subvencione direkte për agjencitë turistike për sektorin e turizmit. Për shembull një nga masat që do të fillojë të realizohet këtë vit dhe do të vazhdojë në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm do të jetë edhe promovimi i Maqedonisë së Veriut, së bashku me agjencitë turistike, posaçërisht në vendet e rajonit, prej ku në vitet e kaluara kemi pasur rritje të numrit të turistëve, nga disa vende mbi 30 për qind, që t’i kthejmë ata turistë”, ka theksuar ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Shfrytëzimi i dy pakove të para shtetërore për ndihmë të ekonomisë vendase është rreth 70 deri 80 për qind, që sipas Bekteshit lë hapësirë për shpërndarje të parave. Për shembull nga 12 milionë eurot e ndara për vauçerët për turizëm në vend, deri në fund të vitit pritet që të mbeten të pashfrytëzuara rreth 4 milionë, kështu që këto para do të orientohen për qëllime të tjera. Javën e ardhshme Ministria e Financave pritet që të japë dritë jeshile për ribalanc të buxhetit, që do të jetë edhe një tregues në lidhje me atë sa para dhe në cilat fusha shteti do të mund t’i “mbushë gropat” e shkaktuara nga pandemia. Përndryshe në tremujorin e dytë të këtij viti Bruto prodhimi vendor shënon rënie prej 12,7%, kryesisht si pasojë e eksportit dhe importit të ulur për rreth 30%.

 

Të fundit