Analisti i njohur serb Dushko Janjiq thotë se pavarësisht retorikave për konsumim të brendshëm, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në Uashington dhe Bruksel kanë pranuar ekzistimin e e këtyre shteteve. Duke folur për TV Klan Maqedoni Janjiq tha se njohja serbe edhe nuk është e domosdoshme për pranimin e Kosovës, por ajo për këtë duhet të merret vesh me Rusinë dhe Kinën.
Autor: Seladin XHEZAIRI
Dushko Janjiq, kreu i Forumit për Marrëdhënieve Ndërtentike në Beograd, vlerëson se Marrëveshja e Uashingtonit dhe sidomosn moratoriumet njëvjeçare të firmosura nga të dyja palët për të mos kërkuar anëtarësimin në Organizatat Ndërkombëtare, përkatësiht për të hequr dorë nga fushata e ç’njohjes së pavarësisë, janë në funksion të Procesit të Berlinit. Me këtë, thotë ai, Uashingtoni ka ndihmuar Bashkimin Evropian për kapërcimin e pengesave drejt arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme Kosovë-Serbi: ‘E patë se si Trump në një mënyrë formale me ato tri fletët e një letre, heziton letrën unike mbi të cilën ishte e pamundur të vëhen firmat e një kryeministri të Republikës së Kosovës dhe në anën tjetër presidentit të Republikës së Serbisë. Ai, prapëseprapë, me këtë lojën me tri fletë e bëri këtë: Ai i tregoi Evropës se nuk duhet të vrapojë pas marrëveshjes përfundimtare, se duhet t’i kthehet asaj të cilën gjermanët e flisnin dikur ’Dy Gjermanitë’. Të bëjë të mundshmen. E mundshmja është njohja e njëra-tjetrës. Edhe në Bruksel, pas Uashingtonit, edhe në Uashington, Vuçiq dhe Hoti pranuan ekzistimin e këtyre shteteve dhe pranuan bisedimet për to, pavarësisht këtyre nuancave që i destinohen publikut të brendshëm,’- thotë Njanjiq duke argumentuar:
‘Ta njohësh ekzistimin e Kosovës nuk është e njëjtë si dhe njohja ndërkombëtare publike nga ana e Serbisë, por çfarë tregoi Uashingtoni? Se njohja serbe edhe nuk është e domosdoshme!Nëse ata të cilët pohojnë realisht se janë për pavarësinë e Kosovës, le t’i përveshin llërët dhe le të sigurojnë numër të mjaftueshëm votash në Asamblenë e Përgjithshme, sikurse Palestina ose, nëse duan të rrezikojnë më shumë për këtë ide të veten, le të merren vesh me Rusinë dhe Kinën! Serbia nuk ka se ç’të bëjë këtu. Kjo është punë e fuqive të mëdha dhe është punë e Kosovës që të punojë me ata të cilat kinse e mbështesin që këtë ta tregojnë edhe në praktikë,’ – thotë Dushko Janjiq. Në të njëjtën kohë ai parashikon se Marrëveshja Kosovë-Serbi, nën bekimin e presidentit amerikan Donald Trump, ka për t’u pasuar me reagime negative nga Lindja e Mesme, ngaqë, vlerëson ai, ajo vë në pikëpyetje Marrëveshjen arabo-izraelite të Kemp Dejvidit të arritur shtatorin e vitit 1978, për shkak të përvetësimit të Jerusalemit nga ana e Izraelit: ‘Ai aranzhman ‘një territor – dy shtete’, me ç’rast Jerusalemi duhej të jetë kryeqytet palestinez, ndërsa Tel-Avivi kryeqytet izraelit, kjo është shkelje direkte e Marrëveshjes së Kemp Dejvidit dhe Oslos dhe kjo është betejë e brendshme politike amerikane, ndonëse këtë e nisi Barak Obama, por për arsye të veta, me siguri për shkak të vardisjes pas lobit hebrenj në Amerikë, këtë po e bën Trump para zgjedhjeve. Dislokimi i ambasadës në Jerusalem është anulim i Marrëveshjes së Paqes mes Izraelit dhe palestinezëve dhe këtë duhet ta dinë të gjithë ata që marrin pjesë në këtë,’- thotë Janjiq për TV Klan Maqedoni duke nënvizuar se pret një ftohje të marrëdhënieve të Serbisë me botën arabe, ndërkohë që nënvizon se shumë prej tyre janë partnerë të saj seriozë afaristë. Sipas tij, me këtë marrëveshje, Serbia dhe Kosova, përkatësisht i gjithë Ballkani Perendimor, të prira nga Amerika, në aspektin strategjik, bëhen pjesë e krizës së Lindjes së Afërt, duke marrë anën izraelite. Edhe Prishtinën, edhe Beogradin, përfundon Janjiq, i presin biseda serioze me Turqinë, Moskën, e me Teheranin, kurse Serbinë edhe me Pekinin.