E diel, 16 Mars, 2025

KULTIVIMI I KANABISIT NË SHQIPËRI 1995-2020/ NJË STUDIM MBI RAPORTIMET MEDIATIKE PËR FENOMENIN DHE TË DHËNA TË REJA MBI ASGJËSIMET

Në korrik u riaktivizua debati mbi vazhdimin ose jo të kultivimit të kanabisit në Shqipëri. Mesa duket pati informacione se situata e vështirë e pandemisë Covid19 që po kalon vendi, nuk i ka penguar kultivuesit e kësaj lloj droge për të prodhuar sasitë e tyre.

Anila Hoxha, gazetare e “Top Channel” ka publikuar në profilin e saj në “Facebook” një foto nga parcela e dyshuar si e mbushur me kanabis, lajme sporadike janë shkruar këto kohë me bazë deklaratat po sporadike të policisë mbi rrënjë të sekuestruara në këtë periudhë por zyrtarisht ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj ka deklaruar se këto parcela janë shkatërruar prej ditësh.

Megjithë rigjallërimin e kësaj teme në hapësirën publike shqiptare, mbeten ende pikëpyetje mbi mënyrën se si është zhvilluar kultivimi i kanabisit vitet e fundit por edhe me gjerë. Megjithë mohimet e qeverisë Rama dhe eksponentëve socialistë, faktet flasin ndryshe mbi këtë çështje.

A kemi patur fenomen të kanabizimit në Shqipëri gjatë tranzicionit?

Çfarë sasish janë asgjësuar që prej vitit 1995 e deri më 2020?

Cilat kanë qenë periudhat më “të nxehta”?

Në cilat zona të vendit është kultivuar kanabisi sipas raportimeve mediatike?

Si është zhvilluar debati mbi fenomenin në hapësirën mediatike?

Cilat kanë qenë politikat editoriale mediatike mbi këtë çështje?

Kjo analizë që ju do lexoni më poshtë nuk mbetet në nivelet e thashethemnajës apo debatit me akuza e kundërakuza, por ka pas shkencën.

Lexim të frytshëm!

Kliko studimin e plotë : MONITORIM I MEDIAVE-KANABISI NE SHQIPERI 2009-2020

Saimir Tahiri, ish-ministri i Punëve të Brendshme gjatë një aksioni mediatiko-policor

EKSTRAKT

Studimi u përgjigjet pyetjeve themelore duke treguar se cilat janë sjelljet popullore rreth kultivimit të kanabisit në Shqipëri, a kanë ndryshuar opinionet në kohë, cilat lloj zgjidhjesh propozohen dhe cili është roli i shoqërisë civile.

  1. Raportimi mbi kanabisin dhe drogat e tjera është i pranishëm në mediat në Shqipëri në 10 vitet e fundit. Raportimi mediatik mbi kanabisin lidhet me sasitë e asgjësuara të kanabisit të komunikuara nga Policia e Shtetit apo institucione të tjera duke qenë se është komunikuar asgjësim. Ndodh që rritja e numrit të rrënjëve të asgjësuara të lidhet me rritjen e fluksit të raportimeve të zakonshme dhe opinioneve, speciale etj, ashtu si ka edhe momente kur kjo prirje lëkundet. Numri më i lartë i asgjësimit ka ndodhur në vitin 2016, (duke llogaritur që bëhet fjalë për shifrat e vetëm 3 muajve e gjysmë) dhe më i ulëti në 1997-ën. Një nga pikat kulmore edhe për raportimin është tetori i vitit 2016. Kemi rritje të ngjashme nga 2015-ta në 2016-ën në numrin e bimëve të sekuestruara të kanabisit dhe numrin e lajmeve për këto problematika në gazetën “Panorama”.  Kemi kontrast të rëndësishëm mes formës së grafikut nga 2016-ta deri në 2019-ën. Nga 2016 deri në 2018-ën kemi ulje të asgjësimit të kanabisit në Shqipëri, ndërsa kemi rritje të raportimit të lajmeve mbi kanabisin dhe drogat. E kundërt është forma e grafikut edhe nga 2018-ta në 2019-ën. Në këtë periudhë rritet numri i bimëve të asgjësuara por ulet numri i lajmeve. Arsyet sërish mund të hamendësohen se kanë të bëjnë me mungesën e saktë të statistikave për asgjësimet, me mungesën e komunikatave të Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera për aksionet, me humbjen e interesit të gazetës për çështjen, me mungesën e interesit të opinionit publik gjë që influencon edhe interesin e gazetës etj.
  1. Gjatë periudhave të monitoruara gjenden raportime mbi kultivimin e kanabisit në disa zona në Shqipëri, nga jugu në veri dhe nga lindja në perëndim. Harta me kalimin e viteve sa vjen dhe zgjerohet.
  2. Gjatë periudhave të monitoruara gjenden raportime që në fokus kanë çështje ku përmenden emra të qeverisë, kryeministri Edi Rama, ish-ministrat e Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafaj.
  3. Gjatë periudhave të monitoruara gjenden në medie redaksionale, opinione, komente dhe analiza të thelluara të lidhura kryesisht me kanabisin.
  4. Nuk gjenden gjurmë të zgjidhjeve që ofron shoqëria civile (organizatat jofitimprurëse) në Shqipëri për eleminimin e fenomenit.
  5. Numri i artikujve të ekspozuar në faqen e parë konstatohet se vjen në trend rritës, nga 2009-ta në 2020-ën. Kjo tregon se për gazetën “Panorama” tematika e kanabisit dhe drogave të tjera sa vjen dhe bëhet edhe më e rëndësishme.
  6. Kryesisht në formën e opinioneve, në 10 vitet e fundit, ndeshim kulminacion të tyre në vitet 2017-2018. Grafiku tregon se kemi një riaktivizim të tyre gjatë muajit janar të këtij viti. Prirja më e rëndësishme për t’u lexuar është mosekzistenca e tyre për tematikën e kanabisit dhe drogave të tjera që prej vitit 2009 deri në 2016-ën, duke përjashtuar vetëm një rast të konstatuar të një opinioni në vitin 2010.
  7. Autorët përgjithësisht konstatojnë prezencën e kultivimit të kanabisit por po kështu bëjnë edhe një diferencim mes periudhash, sa i përket përkeqësimit të situatës. Autorë si dhe personazhe të përfshirë në politikë përcjellin po ashtu shqetësimin e përgjithshëm me të cilin ndeshet shoqëria shqiptare. Ata konstatojnë shkaqe, elementë që e favorizojnë përkeqësimin apo njerëz dhe personazhe që nxisin kultivimin e tij. Përpos tyre, opinionshkruesit japin edhe zgjidhje për reduktimin e fenomenit, duke e konstatuar si të tillë. Ato janë politike, ekonomike, sociale etj. si: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ngritja e qeverisë së re qoftë edhe teknike, puna më e mirë e Prokurorisë për Krime të Rënda, shkarkimi i drejtuesve të policive në qarqe që dyshohen si tëpërfshirë në trafik, investimi në zonat e kultivimit të kanabisit, lufta ndaj kanabisit duke kombinuar veprimin e ligjit me politika dhe projekte të vërteta zhvillimi që prodhojnë punë, punësim dhe të ardhura dinjitoze, frenimi i kultivimit të kanabisit me presion nga opozita dhe ndërkombëtarët, investimi i ndërkombëtare në bujqësi, në artizanat, në industrinë përpunuese dhe agroturizëm etj.
Fotoja e publikuar nga gazetarja Anila Hoxha e parcelës me kanabis, i dyshuar si i kultivuar gjatë pandemisë Covid19

 

Të fundit