E martë, 25 Mars, 2025

VIDEO / Neziri dhe Rushiti në Euronews: Çfarë realizoi BDI dhe a do të dorëhiqet Ziadin Sela?

Zgjedhjet e 15 korrikut prodhuan rezultat të favorshëm për partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe përforcim të pozitave të tyre negociuese. Fituesja e zgjedhjeve në bllokun shqiptar, Bashkimi Demokratik për Integrim, mori besimin me premtimin për kryeministër shqiptar, por kjo duke se është arritur vetëm për 100 ditët e fundit të mandatit.

Koalicioni opozitar Aleanca për Shqiptarët – Alternativa shënoi rritje të konsiderueshme por të pamjaftueshme për ta mundur BDI-në. Nga 33 deputetë shqiptarë, 12 iu besuan Ziadin Selës dhe Afrim Gashit. Dy liderët opozitarë megjithatë kundërshtojnë rezultatin e zgjedhjeve, duke akuzuar për manipulim dhe vjedhje votash. Ndërkohë në vjeshtë, Maqedonia e Veriut pret fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, një nga detyrat më të rëndësishme të qeverisë së re.

Xhelal Neziri, analist nga Tetova thotë se, ka ardhur koha për të bërë një kapërcim në organizimin e partive politike në Maqedoninë e Veriut.

“Është mirë që në të ardhmen, partitë politike shqiptare të profilizohen ideologjikisht dhe të lënë anash atë mburojë etnike. Kështu do të ishte i mundur një kapërcim tjetër nga organizimi etnik në një organizim ideologjik”, tha ai.

Ndërsa Sulejman Rushiti, analist nga Gostivari është i mendimit se ende nuk flitet për përmbajtje ndërsa parashikon qeverisje të vështirë.

“Deri tani nuk flitet për përmbajtje, njëlloj analize se ku jemi. Kemi 20 vite nga firmosja e marrëveshjes së Ohrit dhe shumë tema etnike mbeten ende të hapura. Kjo qeveri do të ketë bllokada për plotësim kërkesash për shkak të kompozimit”, tha ai.

Të pyetur nëse kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zidian Sela do të duhet të japë dorëheqje, të dy analistët u ndanë në qëndrimin e tyre.

Neziri tha se të gjithë liderët gjatë fushatës u zotuan se do të mbanin përgjegjësi për rezultatin por, tani Sela nuk e njeh rezultatin zyrtar.

“Aleanca për Shqiptarët nuk i ka pranuar rezultatet duke thënë se  BDI ka falsifikuar rezultatet zgjedhore. Por kjo nuk është e bazuar në asnjë raport. Mirëpo edhe nëse nuk jep dorëheqje statusi i lejon vetëm dy mandate dhe vitin e ardhshëm do të duhet të lërë detyrën e kryetarit”, tha ai.

Nga ana tjetër, Rushiti tha se në Maqedoninë e Veriut është tendenca që t’i kërkohet llogari humbësit në këtë rast opozitës në një kohë kur duhet të ndodhte e kundërta.

“Kemi tendencën që t’i kërkojmë llogari opozitës në një kohë kur ajo për përgjegjshmërinë e saj dënohet nga votuesi në zgjedhjet e ardhshme. Kërkesa e llogarisë duhet të drejtohet nga qeveria”, tha Rushiti.

Të fundit