Me rastin e deklaratave nga Uashingtoni dhe Izraeli në lidhje me synimin e Serbisë për të zhvendosur ambasadën e saj nga Tel Aviv në Jeruzalem, Ambasadori Palestinez në Beograd Mohamed Nabhan vlerësoi se, nëse kjo ndodh atëherë do të ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat e KB lidhur me çështjen Palestineze, përcjell KDP.
Ai, siç njofton gazeta në gjuhën serbe Politika, tha në një njoftim për shtyp se Jeruzalemi ishte një qytet i okupuar dhe se një qëllim i tillë dëmtoi të drejtën e popullit Palestinez për të krijuar shtetin e tij në të gjitha territoret që Izraeli pushtoi në 1967, duke përfshirë Jeruzalemin.
Për më tepër, u vlerësua se kjo do të dëmtonte miqësinë tradicionale midis Palestinës dhe Serbisë dhe nuk do t’i shërbente zhvillimit të saj.
Ambasadori Nabhan, i cili konsiderohet mik i Serbisë dhe popullit serb, siç u tha, shprehu shpresë se një Serbi miqësore do të distancohet nga ato deklarata, raporton Beta.
Palestina ka kultivuar një politikë të afërt me Serbinë, duke refuzuar që të njoh Kosovën pasi në vitin 2008 shpalli pavarësinë.
Sipas Insajderit, Palestina ka 24 njohje më shumë se Kosova dhe ka shpallur pavarësinë 10 vjet më herët.
Njohja nga Singapori ka ngritur në 113 numrin e shteteve që e njohin pavarësinë e Kosovës, një nga shtetet më të reja në botë.
Mes shumë problemeve dhe bllokimeve të Serbisë, Rusisë dhe Kinës, në qarqet diplomatike, njohja e pavarësisë së vendit mbetet ende një sfidë e madhe për diplomacinë kosovare, por një shtet tjetër gjithashtu problematik sa i përket njohjes ndërkombëtare megjithatë është jo shumë larg nesh.
Ani pse e ka shpallur pavarësinë me 15 nëntor 1998, Palestina, është njohur deri më tani nga 137 vende.
Kosova dhe Palestina në fushën diplomatike kanë pak a shumë të njejtat probleme. Të dyja vendet së fundmi dështuan të anëtarësohen në Interpol, si pasojë e bllokimit nga Serbia, Izraeli dhe Rusia.