Nga një këndvështrim komunal, i bazuar në hulumtimet dhe analizat e mëparshme, dokumenti thotë se qytetet e Shkupit (vendbanimet Çair, Serava dhe Gazi Baba), Tetova, Gostivari dhe Kumanova janë vendet kryesore për grupet e ekstremizmit të dhunshëm në Republika e Maqedonisë. Ka ende sfida në drejtim të mbrojtjen e qytetarëve të Republikës Maqedonia nga ndikimi i ideologjive ekstremiste të bazuara në intolerancën, urrejtjen dhe dhunën, të cilat arrijnë qëllimet politike dhe ideologjike përmes abuzimit të fesë”, thuhet në strategji.
Autor: Ekipi i KDP
Para katër viteve tre të rinjtë shqiptarë nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut, të moshës nga 22 deri më 28 vjeç, ishin kapur në Turqi në një tentim për t’u futur në Siri dhe Irak. Plani i tyre kishte qenë futja në këtë rajon lufte për të përkrahur organizatës terroriste ISIS. Autoritetet turke, pasi kishin konfirmuar planin e tyre, i kishin kthyer në Maqedoninë e Veriut ku gjykata i kishte dënuar me nga tre vite burg.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat i ka siguruar KDP, thonë se rreth 150 qytetarësh të Maqedonisë kanë shkuar për të luftuar në Siri dhe Irak që nga fillimi i luftës në këto vende. Më shpesh deri në Siri dhe Irak ata kanë arritur nëpërmjet Turqisë. Rreth 33 prej tyre kanë vdekur në fushat e betejës, kurse 80 prej tyre janë kthyer në Maqedoni. Nga të kthyerit, 17 janë të dënuar dhe po vuajnë dënimet me burg.
Para një viti tre kumanovarët kishin përfunduar vuajtjen e dënimit të shqiptuar. Ishin lënë të lirë pa kaluar asnjë program risocializimi. Por, policia kishte vazhduar të ndjekë çdo hap të tyre. Deri para dy ditëve, kur Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare (ASK) dhe Prokurorinë Publike, i kishin arrestuar gjatë një aksioni të papritur. Autoritetet në Shkup thanë se “kanë arrestuar një grup terrorist tre anëtaresh”.
ARMË DHE EKSPLOZIV NË KUMANOVË
Sipas policisë, të tre nuk kishin ndalur aktivitetin e tyre për ideologjinë e dhunshme të ISIS as gjatë vuajtjes së dënimit e as pas lirimit nga burgu. Policia tha se gjatë aksionit janë konfiskuar edhe një sasi e madhe e armëve, municionit dhe pajisjeve të tjera.
“Departamenti për luftimin e terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka ngritur padi penale në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit kundër personit me inicialet B.A. (28) nga Kumanova, me banim në Shkup, ndërsa kundër personave me inicialet V. А. (22) dhe E.L. (25), të dy nga Kumanova, për veprën penale ‘organizatë terroriste’ dhe ‘terrorizëm’”, kanë bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme.
Institucionet e sigurisë një kohë të gjatë kanë ndjekur grupin, të cilit i kanë vënë edhe emrin “Celula”, Sipas tyre, ky grup ka ideologji të ngjashme me organizatën ISIS dhe se qëllimi i këtij grupi ka qenë kryerja e akteve terroriste në territorin e Maqedonisë së Veriut.
B.A. (28) ka banuar në Shkup, kryeqytetin e vendit, kurse V. А. (22) dhe E. L. (25) në Kumanovë, një qytet në veri-lindje të Maqedonisë së Veriut që gjendet 30 kilometra larg kryeqytetit. Të tre akuzohen për kryerjen e një vepre penale “organizatë terroriste” e parashikuar dhe e dënueshme sipas nenit 394-a dhe “terrorizëm” sipas nenit 394-b i Kodit Penal.
As pas kthimit në vendlindje e as pas lirimit nga burgu tre të rinjtë shqiptarë etnikë nga Kumanova nuk ishin penduar për veprën e bërë. Sipas policisë, në fillim të vitit 2019, B.A kishte krijoi një organizatë terroriste/kriminale në të cilën V.A., E.L. dhe disa persona të tjerë së bashku formuan një grup që ishte bazuar në matricën ideologjike të ISIS. Qëllimi kryesor i tyre, sipas policisë, ka qenë kryerja e një akti terrorist të në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Institucionet e sigurisë nuk japin lokacionin dhe vendin e saktë ku tre të rinjtë kishin planifikuar të kryenin sulmin dhe cilat do të kishin qenë pasojat nga i njëjti.
“Për të arritur këtë qëllim, anëtarët e grupit siguruan burime financiare dhe siguruan një sasi të madhe armësh, municioni dhe pajisje ushtarake, të cilat i fshehën dhe i ruajtën pranë rrugës lokale nga fshati Biljanoc në Pçinja, në vendin e quajtur “Menkova Koliba””, thuhet në njoftimin zyrtar policor.
AKS kishte marrë informacione operative për vendin e operimit të grupit ku thonë se gjetën pesë pushkë automatike, mitraloz, 18 korniza për pushkë automatike me 30 fishekë secila, kornizë me 15 fishekë, tre bishta druri, tre hedhës granatash dore, pesë granatahedhës me siguresa, dy kapakë kamuflazhi, dy nënveshje të zeza dhe gri, dy palë doreza maskimi, dy jelekë taktikë, katër jelekë maskimi taktik dhe flamur me mbishkrim ISIS. Bastisjet janë kryer në gjithsej katër lokacione, tre prej të cilave në zonën e Kumanovës dhe një në zonën e Shkupit, përfshirë edhe shtëpitë e të dyshuarve.
JELEK-BOMBË PËR SULME VETVRASËSE
Gjatë bastisjeve, policia tha se ka gjetur një gamë të gjerë armësh, midis të cilave edhe jelekë të njohur për sulme vetëvrasëse.
Sa ka rrezik që Maqedonia e Veriut të shndërrohet në një cak të ri të organizatave që janë të lidhura me ISIS dhe struktura të ngjashme?
Borçe Petrevski, Koordinator i Komitetit Kombëtar për Luftimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Terrorizmit, thotë se rreziku është real pasi jo të gjithë të kthyerit janë penduar apo risocializuar.
“Një pjesë e këtyre luftëtarëve të huaj ose që ishin në vatrat e luftës në Siri dhe Irak përbëjnë cenim të sigurisë dhe rrezik kombëtar të këtij vendi dhe për këtë shkak puna e shërbimeve të inteligjencës është shumë me rëndësi në parandalimin e aktiviteteve terroriste. Si shtet neve e kemi më mirë të parandalojmë planifikimin e akteve terroriste, prandaj duhet të punohet në planin e parandalimit”, tha Petrevski.
Por, ai ka konfirmuar se tre të dyshuarit për planifikimin e sulmit terrorist kanë vuajtur dënimet dhe tani janë të lirë, pa kaluar programet e parapara të risocializimit. Këtë e kanë konfirmuar edhe familjarët e tyre.
Sipas Strategjisë Kombëtare për Luftë Kundër Korrupsionit 2018-2022, i miratuar para dy muajsh, të kthyerit nga Siria dhe Iraku duhet t’i nënshtrohen një trajtimi të veçantë për të lehtësuar kthimin e tyre më të lehtë në jetën normale. Por, tre kumanovarët janë lënë të lirë pa kaluar një program konkret risocializimi.
Por, Petrevski thotë se procesi i risocializimit ka nisur nga burgjet ndaj të gjitha kategorive të personave të dënuar. “Ky proces nëse është zhvilluar edhe ndaj kësaj kategorie ka pasur efekt negativ. Në periudhën e ardhshme duhet të bëjmë vlerësime se çfarë shteti të ndërmerr për të pasur rezultate pozitive”, ka shtuar ai.
PROFILI I NJË PJESËTARI TË ISIS NGA BALLKANI
Individët që u larguan nga vendet e Ballkanit dhe iu bashkuan ISIS, sipas Strategjisë së qeverisë në Shkup, kanë disa tipare të përbashkëta: (1) lidhjet me diasporën në BE (veçanërisht në Austri dhe Gjermani), dhe (2) e kaluara kriminale para nisjes.
“Tiparet tjera të luftëtarëve të huaj terroristë janë niveli i ulët i arsimimit, papunësia, familjet jofunksionale ose të prishura dhe problemet e shëndetit mendor”, thuhet në dokument.
Strategjia vlerëson se sulmet eventuale terroriste do të acaronin edhe më shumë marrëdhëniet e brishta ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.
“Marrëdhëniet midis dy bashkësive më të mëdha janë akoma relativisht të tensionuara, veçanërisht në pjesët e vendit ku ekstremistët janë akoma të pranishëm, pasi të njëjtit janë të prirur për të përdorur dhunë për të arritur qëllimet e tyre politike. Këto akte të dhunës mund të intensifikojnë reagimet e dhunshme”, thuhet në dokument.
Nga një këndvështrim komunal, i bazuar në hulumtimet dhe analizat e mëparshme, dokumenti thotë se qytetet e Shkupit (vendbanimet Çair, Serava dhe Gazi Baba), Tetova, Gostivari dhe Kumanova janë vendet kryesore për grupet e ekstremizmit të dhunshëm në Republika e Maqedonisë. Ka ende sfida në drejtim të mbrojtjen e qytetarëve të Republikës Maqedonia nga ndikimi i ideologjive ekstremiste të bazuara në intolerancën, urrejtjen dhe dhunën, të cilat arrijnë qëllimet politike dhe ideologjike përmes abuzimit të fesë”, thuhet në strategji.