E diel, 20 Prill, 2025

RAPORTI I GI: JA SI BËHET LARJA E PARAVE NË SHKUP, TIRANË DHE PRISHTINË

Organizata globale për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar “Global Initiative” (GI) me seli në Vjenë, në raportin e saj të fundit të titulluar si “PRURJE FINANCIARE TË PALIGJSHME (PFP) NË SHQIPËRI, KOSOVË DHE MAQEDONINË E VERIUT”, thotë se të gjitha të dhënat sugjerojnë se PFP në këto tre vende janë përhapur në shkallë të gjerë, dhe se ato mundësohen nga një sërë faktorësh strukturorë në vendet e rajonit. Si faktorë që ndikojnë në këtë aktivitet të paligjshëm përmendet integrimi, shkalla e lartë e informalitetit në ekonomi, që llogaritet se përfaqëson 30–40 për qind të ekonomisë në të tre vendet si dhe dobësia e përgjithshme e shtetit, institucioneve shtetërore dhe kulturës demokratike.

“Nga pikëpamja gjeografike, rajoni ka shërbyer për një kohë të gjatë si korridor lidhës midis Azisë dhe Evropës për trafikimin e drogës, emigrantëve, dhe një game të gjerë mallrash. Pavarësisht nga përparimet e natyrës teknike në lidhje me hartimin e miratimin e masave kundër pastrimit të parave, luftës kundër financimit të terrorizmit (APP/BFT), dhe miratimit të masave kundër korrupsionit dhe përmirësimit të nivelit të transparencës, problemet sistemike në këto vende sabotojnë zbatimin e masave dhe arritjen e rezultateve konkrete”, thuhet në raport, përcjell KDP.

Sipas GI, ka një ndryshim shumë të madh midis shkallës së mundësive në ekonominë e krimit dhe ekonomisë së ligjshme.

“Në një rajon ku të ardhurat mujore mesatare shkojnë nga 400 deri në 600 euro, dhe niveli i papunësisë për rininë e kalon shifrën prej 20 për qind, trafikimi i drogave tranzit nëpër rajon llogaritet se shkon në më shumë se gjysëm miliardë euro në vit, vetëm për Shqipërinë”.

“Duke patur parasysh edhe kontekstin që u përmend në pikën e mësipërme, ekonomia e paligjshme natyrisht që ofron më shumë mundësi e të ardhura se sa ekonomia legjitime”.

PFP, thotë raporti, mundësohen gjithashtu edhe nga nivele të larta korrupsioni, që prekin të gjitha nivelet e shtetit, dhe që variojnë nga mitmarrja për favore e shërbime deri tek korrupsioni me fonde e investime publike.

“Ryshfetet dhe përqindjet konsiderohen si avantazhe të postit, dhe personazhe me lidhje të forta politike kanë akses të privilegjuar në sektorë fitimprurës dhe gëzojnë mbrojtje politike për interesat e tyre”.

“Duke parë edhe nivelin e lartë të pandëshkueshmërisë në shtet, qytetarët e thjeshtë nuk i kushtojnë rëndësi të madhe respektimit të ligjit. Analiza dhe vlerësime të ndërmarra kohët e fundit nga organizata ndërkombëtare tregojnë se qeveritë në rajon janë angazhuar në mënyrë aktive në marrjen e masave drejt reduktimit të kontrollit të institucioneve të pavarura mbi qeverisjen, po dobësojnë sistemin e kontrollit dhe balancave, dhe po sabotojnë përpjekjet për transparencë dhe dhënie llogarie”.

“Këtu përfshihen edhe sulme ndaj mediave të pavarura dhe reduktimi i hapësirave për shoqërinë civile”.

Financimi i partive politike, sipas GI,  është një hallkë veçanërisht e dobët në zinxhirin e përpjekjeve anti-PFP dhe strategjive të tjera zhvillimi, dhe nuk ka shenja të ndonjë ndryshimi pozitiv.

“Ndonëse ka kufizime në lidhje me shumat që mund të jepen nga donacione private, këto rregulla nuk monitorohen aq sa duhet, dhe mund të shmangen me lehtësi. Përveç akuzave dhe raportimeve të pakonfirmuara për “valixhe me para” që u jepen politikanëve, janë zbuluar edhe të dhëna e informacione që tregojnë për manipulime financiare nga ana e krimit të organizuar, dhe faktorëve të tjerë të brendshëm e të jashtëm, në jetën politike të të tre vendeve”.

“Është e qartë se figurat politike që mbështeten nga elemente e grupe të dyshimta do t’i kushtojnë shumë më pak vëmendje elektoratit të tyre”.

Në të tre vendet, GI thotë se shumica e transaksioneve kryhet me para në dorë, madje edhe pagesa miliona dollarëshe me para në dorë për apartamente luksoze konsiderohen si diçka normale.

“Kjo tregon natyrën informale të ekonomisë, dhe mënyrat e përdorura nga individë e kompani për të shmangur apo reduktuar tatimet që duhet t’i paguajnë shtetit. Ky lloj sistemi krijon pengesa serioze për masat APP/BFT, dhe ndërhyrjet e tjera legjislative për të siguruar integritetin e sistemit financiar. Duke qenë se origjina e pagesave me para në dorë nuk mund të monitorohet, këto transaksione mbeten jashtë vëmendjes dhe kontrollit të sistemit financiar. Ky është një avantazh i madh për ata që duan të pastrojnë para të pista, si brenda vendit ashtu edhe në rang ndërkombëtar. Llogaritet se shuma e parave që kalojnë në mënyrë të paligjshme kufijtë e shteteve është e madhe – kohët e fundit janë kapur persona që transportonin më shumë se nga një milion euro në makina private – por duket se parandalimi i trafikimit fizik të parave nuk është prioritet për forcat e zbatimit të ligjit, dhe agjencitë e kontrollit të kufirit”.

Sipas raportit, pastrimi i parave kryhet nëpërmjet metodave dhe mënyrave të ndryshme, veçanërisht nëpërmjet investimeve në prona të paluajtëshme.

“Ky proces nis me financimin e ndërtimeve të reja për zyra apo ambiente banimi, vazhdon me financimin e kontratave të ndërtimit dhe raportimin e shifrave më të ulëta për kostot e punës në ndërtim, dhe më pas vazhdon me shitjen e ndërtesës së përfunduar. Bashkëpunimi në këto forma aktivitetesh të paligjshme është identifikuar përgjatë gjithë zinxhirit, duke përshirë firma ndërtimi, agjenci të pasurive të paluajtëshme, noterë, avokatë e bankierë”.

Për dy nga tre vendet që studiohen në këtë raport GI thotë se i kanë përmbushur kriteret e kërkuara për të vazhduar më tej procesin e anëtarësimit në BE.

“Kjo është një arritje shumë e rëndësishme. Sidoqoftë, një vëzhgim më i thelluar në këtë drejtim – veçanërisht përsa i përket numrit të procedimeve të suksesshme penale – nxjerr në pah problemet dhe mangësitë e instrumenteve dhe institucioneve. Për të arritur rezultate në reduktimin e PFP është e nevojshme që të luftohet informaliteti, të ndryshohet mendësia që i quan diçka normale korrupsionin dhe politikat klienteliste, dhe duhet të shkatërrohen rrjetet e mbrojtjes dhe tutelës në majë të sistemit politik”.

 

Raportin e plotë në gjuhën shqipe e gjeni KËTU.

Të fundit