E diel, 13 Korrik, 2025

Ministri Zemaj propozon masa shtesë kundër pandemisë

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj ka thënë se në mbledhjen e Komitetit për Menaxhimin e Pandemisë COVID-19, ka rekomanduar masa shtesë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Masat kanë të bëjnë kryesisht me bizneset e gastronomisë dhe qendrat tregtare.

“Qendrat tregtare ushqimore dhe jo ushqimore të obligohen qe të kenë një punonjës i cili nuk lejon hyrjen brenda të konsumatorëve pa maska, në qendrat tregtare ushqimore mos të lejohet hyrja e konsumatorëve pa karrocë të blerjes ( sepse ajo vet e krijon distancën mes personave sa janë në market), lokalet e gastronomisë të jenë të obliguara qe një numër të tavolinave t’i kufizojnë për mos lejim për shërbim”, ka shkruar Zemaj në rrjetin social Facebook.

https://www.facebook.com/zemajarmend/posts/3308169625896561

Zemaj ka kërkuar që të shtohet komunikimi brenda institucioneve për menaxhimin më të mirë të situatës së pandemisë, sidomos në periudhën e ardhshme kur pritet të fillojë viti i ri shkollor dhe sezoni i vjeshtës.

Qeveria e Kosovës së fundi ka fuqizuar disa masa për parandalimin e përhapjes së pandemisë. Në kuadër të masave obliguese është vendosja e maskës në publik, si dhe reduktimi i stafit nëpër institucionet private dhe publike. Një ndër masat në fuqi është edhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve në qytetet me më së shumti raste të të infektuarve.

Që nga muaji mars, në Kosovë nga koronavirusi i ri, janë infektuar 11.545 persona, prej tyre 410 kanë vdekur dhe 7.343 janë shëruar. Raste aktive janë 3.792.

Të fundit