Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë edhe këtë të shtunë ka vazhduar të flasë me optimzëm se po punon për krijimin e shumicës parlamentare dhe konform kësaj edhe të qeverisë së re ‘me mandat të plotë katërvjeçar’. Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE-ja duke e shikuar këtë me mosbesim – ka kërkuar nga socialdemokratët të tregojnë se ‘me cilat parti do do të krijojë shumicën dhe kush ka për të qenë kryeministër’. Ndërkohë, TV Klan mëson se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka ftuar krerët e partive shqiptare për një takim që do të ishte ringjallje Tryezës së Partive Shqiptare, konform Deklaratës së para tre vjetëve.
Autor: Seladin Xhezairi
LSDM-ja e Zoran Zaevit dhe VMRO-DPMNE-ja e Hristijan Mickoskit, kanë vazhduar edhe këtë fundjavë luftën informative në përpjekje për të përforcuar realitetin paszgjedhor në të cilin edhe njëra edhe tjera, natyrisht kush më shumë e kush më pak, mund të ushqejnë shpresën për krijimin e mazhorancës parlamentare. Kështu, socialdemokratët thonë se po punojnë seriozisht për formimin e qeverisë së re, me mandat të plotë katërvjeçar. Vmro-istët, pretendojnë të kundërtën – se LSDM-ja nuk e ka shumicën dhe, ‘shkon në opozitë’.
Intensifikimi i luftës përmes kumtesave pasoi takimet kokë më kokë të liderit të BDI-së Ali Ahmeti, me të parin e LSDM-së, Zaev, dhe kreun e VMRO-DPMNE-së, Mickoski. Nga ajo që mund të mësohet nga burime të besueshme nga familja e integristëve është se, ndonëse do të parapëlqenin vazhdimin e bashkëpunimit me LSDM-në, për momentin mund të përdoret e ashtuquajtura ‘politikë e ekuidistancës’ në sensin se, për dallim prej para katër vjetëve, tani ‘gjithçka është në lojë’. Me fjalë të tjera, aritmetika politike, ajo e raportit të forcave në parlament, shkon në favor të qëndrimit të liderit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për vendosjen në tavolinë të kandidaturës së Naser Zyberit për Kryeministër.
Natyrisht do të ishte ireale dhe politikisht e paqendrueshme të kërkohet mandat i plotë, por një rotacion sipas formulës ‘Tre- një apo dy – dy’ do ishte një zgjidhje, pse jo, e pranueshme për të dyja, përkatësisht për të trija palët: dy blloqet rivale maqedonase dhe – për palën shqiptare.
Dy të parat, pas 15 korrikut duket se janë me këmbë në tokë duke hequr dorë nga retorika parazgjedhore. Është për t’u pritur prandaj që këtë ta bëjë edhe pala shqiptare. Televizioni Klan Maqedoni mëson se në këtë rrafsh, numri një i BDI-së ka ftuar për këtë fundjavë liderët e partive shqiptare, ata të opozitës, por edhe kreun e Besës, që është në koalicion me LSDM-në, për të shqyrtuar mundësitë e pozicionimit sa më mirë të palës shqiptare, sikundër thonë, konform Deklaratës së fillim-janarit të 2017-ës për Tryezën e Partive Shqiptare Parlamentare për përkrahje të ndërsjellë të agjendës së përbashkët politike që parashikon realizimin e objektivave me interes kombëtar e shtetëror-shoqëror ‘gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës dhe çdo mandati tjetër pasues’.
Vëzhguesit thonë se nga riaktivizimi apo jo i kësaj tryeze, që atëbotë nuk u mirëprit nga pala maqedonase, varen edhe pretendimet reale të shqiptarëve në ekzekutivin e ri. U mor vesh, pa harruar këtu rolin dhe pozicionimin e faktorit ndërkombëtar amerikano-evropian që deri tani ka qenë – vendimtar. Për më tepër kryediplomatë të caktuar të shteteve perendimore këtë javë që po lëmë pas nuk është se, përsa i përket mazhorancës së re, nuk e kanë matur pulsin e lojëtarëve kryesorë. Është biseduar madje edhe për ‘jetëgjatësinë’ e saj!