Nëse gjatë fushatës parazgjedhore theksi është vënë në parimet dhe vlerat, tani ai kalon te interesat. Në këtë garë të madhe nuk përjashtohen afrime e largime të atypëratyshme të subjekteve politike që gjatë fushatës ishin partnerë apo kundërshtarë, pasi qëllimi parësor tani është se kush do të arrijë deri te numri prej 61 deputetësh.
Autor: Xhelal Neziri
Tani më tre ditë me radhë, që pas konstituimit të Parlamentit, liderët e partive politike po zhvillojnë garën e ashpër për mandatin, i cili njërit do t’i japë mundësi të formojnë pushtetin e ri ekzekutiv. Po takohen secili me secilin, pa ndonjë rend të caktuar dhe pa informacione më konkrete për opinionin publik. Është kohë kur partitë taktizojnë, pjesëmarrësit në bisedime bëjnë blofe, kurse kryesitë e partive hartojnë strategji e platforma për negociatorët.
Por, këtu ka një paqartësi që mund të sjellë një krizë kushtetuese që mund të prolongojë formimin e qeverisë së re. Neni 90 i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut nuk e precizon edhe aq qartë se cilit politikan, parti politike apo koalicion presidenti i shtetit duhet t’ia japë mandatin për të krijuar qeverinë e re. :“Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut është i detyruar brenda dhjetë ditësh nga konstituimi i Parlamentit t’i besojë mandatin për përbërjen e Qeverisë kandidatit të partisë, respektivisht partive që kanë shumicën në Parlament. Mandatori brenda 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit në Parlament paraqet një program dhe propozon përbërjen e Qeverisë. Qeveria, me propozimin e Kryeministrit dhe bazuar në program, zgjidhet Kuvendin me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve”.
Në këtë vlug bisedimesh e takimesh, ky nen kushtetues hap disa dilema:
E para, çfarë do të ndodhë nëse 10 ditë pas konstituimit të Parlamentit asnjëri nga liderët apo partitë politike nuk arrin të krijojë shumicë parlamentare. A mund që presidenti t’i dorëzojë mandat një përfaqësuesi nga partitë parlamentare nëse nuk ka shumicë? Me siguri se në këtë rast Pendarovski do të duhet të takojë të gjithë liderët e partive parlamentare dhe më pastaj të vendosë se si më tutje.
E dyta, si duhet të veprojë presidenti i shtetit nëse, në vend të partisë së parë, shumicën parlamentare brenda kësaj periudhe dhjetëditore e siguron partia e dytë ose e tretë? Nëse marrim parasysh precedentin e vitit 2016, atëherë Pendarovski duhet t’ia dorëzojë mandatin liderit të koalicionit fitues LSDM/BESA, Zoran Zaev, i cili ka 46 deputetë. Para katër vitesh, ish-presidenti shtetit Gjorgje Ivanov refuzoi t’ia dorëzojë mandatin Zaevit, edhe pse kishte siguruar nënshkrimet e mbi 61 deputetëve. Arsyeja ishte se partia VMRO-DPMNE, asokohe e drejtuar nga Nikolla Gruevski, kishte marrë 51 deputetë, dy më shumë se LSDM e Zaevit. Së këndejmi, interpretimi i Ivanovit ishte se mandati i jepet së pari partisë ose koalicionit fitues, e më pastaj kalon te partia e dytë. Kjo praktikë u kundërshtua ashpër nga LSDM-ja dhe ekspertë të çështjeve juridike, duke e akuzuar Ivanovin se po shkel Kushtetutën e vendit vetëm e vetëm t’i mundësojë Gruevskit ta formojë qeverinë. Si kandidat i VMRO-DPMNE-së, Ivanov ishte zgjedhur si president shteti dy mandate radhazi nga viti 2009 e deri më 2019. Vitin e kaluar në krye të shtetit erdhi Pendarovski, si kandidat i LSDM-së dhe i përkrahur nga BDI. Në këtë kontekst kohor do të ishte e pritshme që Pendarovski të veprojë njëjtë si Ivanov në 2016, nëse VMRO-DPMNE si parti e dytë me 44 deputetë do të arrinte të sigurojë 61 nënshkrimet e deputetëve për të marrë mandatin.
E treta, marrja e mandatit nga kreu i LSDM-së, apo ndoshta i VMRO-DPMNE-së, pasi t’i ketë siguruar 61 nënshkrime nuk do të thotë se brenda afatit kushtetues prej 20 ditësh ai do të mund të bëjë qeverinë. Kjo nga shkaku se gjatë kësaj periudhe kohore pas pranimit të mandatit duhet të harmonizohet programi dhe përbërja e qeverisë, dy dokumente që duhet të miratohen nga shumica parlamentare për ta bërë efektiv pushtetin e ri ekzekutiv. Duke marrë parasysh ambiciet e BDI-së për postin e kryeministrit, apo përcaktimet e ASH/AAA te pjesa e programit qeveritar, mund të ndodhë që mandatari i parë për formimin e qeverisë të dështojë. Një situatë e parë në fillim të vitit 2017, kur Gruevski deri në momentin e fundit priti pajtimin e Ahmetit që të vazhdonte të drejtonte shtetin, por një përgjigje e tillë nuk ndodhi.
Sido që të jetë, në këto momente dramatike vijnë në shprehje mjeshtëritë politike të liderëve dhe figurave kyçe në parti, taktikat dhe strategjitë e tyre gjatë procesit dhe arritjes së objektivave të vëna. Strategjitë janë plane për arritjen e qëllimeve afatgjate, kurse taktikat – hapa, lëvizje dhe aksione që përdoren në një moment të caktuar për të realizuar strategjitë. Nëse gjatë fushatës parazgjedhore theksi është vënë në parimet dhe vlerat, tani ai kalon te interesat. Në këtë garë të madhe nuk përjashtohen afrime e largime të atypëratyshme të subjekteve politike që gjatë fushatës ishin partnerë apo kundërshtarë, pasi qëllimi parësor tani është se kush do të arrijë deri te numri prej 61 deputetësh.