Autor: Sefer Selimi Jr
Me konstituimin e parlamentit dhe verifikimin e mandateve të deputetëve të ri, afatet kushtetuese për formimin e shumicës parlamentare që do të votoj qeverinë e ardhshme filluan numërimin mbrapsht. Presidenti i shtetit tani duhet t’ia ndajë mandatin ‘’atij/asaj që do të dëshmojë që ka krijuar shumicë parlamentare për formimin e qeverisë’’. Precedentët dhe dilemat e krijuara në të kaluarën, e posaçërisht ekzibicionet politike dhe kushtetuese të ish presidentit Ivanov me ndarjen e mandatit duket se kësaj radhe nuk do të krijojnë situata paqartësie, por paqartësia ngelet sërish tek numrat për krijimin e shumicës.
Negociatat politike janë gjithmonë një lojë nervash dhe mjeshtërisë se kush do t’iu shmanget provokimeve dhe kush do të mund t’i qëndroj më gjatë presionit shumëdimensional. Provokimet bëhen përmes mediave dhe informatave që plasohen në publik përmes kanaleve të ndryshme, herë përmes individëve konkret e herë përmes thirrjes në burime të larta partiake që ngelin anonime. Këto provokime kanë për qëllim të dobësojnë apo forcojnë një pozicion të caktuar të palëve negociuese dhe shpesh herë për të matur pulsin e opinionit për një kompromis të mundshëm. Ndërkaq presioni është kryesisht i ndërtuar mbi interesat partiake për qeverisje, për përmbushjen e premtimeve klienteliste parazgjedhore, interesave personale karrieriste, qasjen deri tek resurse publike dhe mbi të gjitha mbrojtjen nga e kaluara e afërt dhe e largët. Cilët janë pozicionet negociuese të partive kryesore që mund të bëjnë shumicën:
LSDM dhe koalicioni Mundemi – si fitues me një diferencë të vogël pozitat negociuese të LSDM-së janë të dobëta. Shanset e suksesit të tyre për të krijuar një qeveri të re varen nga kapaciteti i tyre për të bërë kompromise të cilat nuk do të jenë as të vogla por as të lehta. Kalkulimet publike edhe me BDI dhe koalicionin ASh-AAA nuk e ndihmojnë pozitën e saj sepse në të dyja rastet kompromiset do të jenë të vështira:
– Koalicioni me BDI-në duhet të vijë me një kompromis për ‘’kryeministrin e parë shqiptar’’ dhe kjo duhet të përkthehet në një formulë nga e cila BDI duhet të del ‘’me fytyrë të bardhë’’ nga procesi negociues para votuesve të tyre, në ndërkohë që LSDM të mbaj kryeministrin. Kjo nënkupton ndarje më të madhe të pushtetit, dhe nëse BDI është e arsyeshme me ndryshime të theksuara kualitative në të gjithë sistemin shtetëror.
– ‘’Kërcënimet’’ për koalicionim me ASh-AAA nuk është me kosto më të vogël e që përfshinë edhe ndryshimet kushtetuese dhe një sërë kërkesash që mund të kualifikohen sipas Zaevit si ‘’nacionaliste’’. Nëse koalicioni Ash-AAA do të jetë formula e mundshme për të krijuar një shumicë të re, ajo nuk mund të vij në asnjë mënyrë vetëm me arsyetimin se BDI është në opozitë, sepse kjo do të ishte fitorja më e madhe për vetë BDI-në, e cila do të rikthehet pas jo më shumë se 1 viti më e fortë edhe se në ditët e saja më të mira. Gjithashtu, kjo nënkupton edhe transferimin e deputetëve nga VMRO-DPMNE, kosto edhe financiare edhe kredibile për qeverisje stabile.
VMRO-DPME dhe koalicioni – opcionet janë më të vogla dhe pothuajse të pamundura. Varianti i vetëm i mundshëm është koalicionimi me BDI duke përfshirë 2 deputetët e Levicës, parti fashiste me qëndrime ekstreme që janë jashtë realiteti faktit të Maqedonisë së Veriut dhe gjeopolitikës në përgjithësi. Gjithsesi ky variant ngelet më tepër si një kartë shtesë në dorën e BDI-së se sa si një variant i mundshëm. Aq më tepër që VMRO-DPMNE në radhët e saja ende ka mbetje nga frontmenët e Gruevskit dhe bartësit e protestave që sollën në ngjarjet e 27 Prillit. Kjo parti ende nuk është distancuar dhe nuk ka kërkuar falje për qeverisjen shoveniste të Gruevskit dhe koalicionimi me të njëjtën, përfshirë edhe kompromisin për kryeministër shqiptar vjen me koston e zhdukjes së partisë koalicionuese, në këtë rast të BDI-së.
Përveç këtyre opcioneve ngelet edhe mundësia e zgjedhjeve të reja, një zgjidhje që nuk do ti konvenonte vetëm LSDM-së e që për paradoks është e vetmja parti që e përdorën si mjet presioni në tavolinën e negociatave.