E shtunë, 22 Mars, 2025

QEVERIA E RE: PJELLË PAZARESH APO PARIMESH

Konstituimi i legjislaturës së dhjetë parlamentare, edhe zyrtarisht ka hapur rrugën e krijimit të mazhorancës, përkatësisht të qeverisë së re. Të martën, liderët maqedonas të dy blloqeve me më shumë deputetë, Zoran Zaev e Hristijan Mickoski pohuan se po punojnë për të marrë mandatin nga presidenti i vendit për krijimin e kabinetit qeverisës. Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ndërkaq, rikujtoi se qeveria nuk formohet as me 15 , por as me 46 deputetë. Pyetja që shtrohet tani është: A do të jetë qeveria e re rezultat i parimeve apo i pazareve politike dhe, në këtë shtrirje, a do të tërhiqen Ahmeti e Zaevi nga istikamet ku janë janë barrikaduar nga fillimi i fushatës e praktikisht deri dje?

 

Autor: Seladin Xhezairi

 

Politika, thonë, është edhe matematikë edhe aritmetikë, për shkak se teoritë dhe shifrat janë pjesë e saj. Të martën lideri maqedonas, Zoran Zaev, dhe ai shqiptar, Ali Ahmeti, të ndikuar mbase nga verdikti i parlamentareve të 15 korrikut, na lanë të kuptojnë se nuk po dalin nga istikamet e parazgjedhjeve dhe për më shumë, me o pa qëllim, nuk folën për mbledhjen, heqjen, pjesëtimin dhe shumëzimin e numrave. Thjeshtë na e rikujtuan se Qeveria nuk u bëka me përkatësisht 15 dhe 46 deputetë. Po kryeministri, vallë, si do bëhet? Mund t’na e tregojë dot Hristijan Mickoski?

Neni 90-të i Kushtetutës thotë shprehimisht: Presidenti i Maqedonisë e ka për detyrë që në afat prej dhjetë ditëve, nga dita e konstituimit të Kuvendit, mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicë në Kuvend. Mandatari, në afat prej 20 ditëve, nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit ia paraqet për miratim programin dhe përbërjen e Qeverisë.

Tani kur duhet të përcaktohet për mandatarin, leximi dhe interpretimi i këtij përcaktimi kushtetues mbase mund të jetë sfidë për presidentin Stevo Pendarovski, por pavarësisht kësaj, duket se lideri i socialdemokratëve nuk e ka kuptuar mesazhin e partnerit të tij të deridjeshëm shqiptar, Ali Ahmeti, se në situatën e krijuar ‘të gjitha palëve u duhet qetësi, urtësi dhe të mendojnë për interesa të larta të shtetit’.

Kjo për shkak se tani të gjitha palëve, veçmas atyre që pretendojnë të marrin timonin e ekzekutivit u lipset të manifestojnë shkathtësitë diplomatike që janë shtylla të negociimit. S’do mend se negociatat, në fund, kanë për të rezultuar me zgjidhje kompromise qoftë nga Zaevi, Mickoski apo Ahmeti, po pse jo edhe nga Apasiev, Thaçi, Sela-Gashi, pa përjashtuar as kreun e Besës, Bilall Kasamin. Koronavirusi, çelja e negociatave me Bashkimin Evropian, domosdoshmëria për rritjen e cilësisë së jetesës, janë sfidat të cilat imponojnë nevojën që qeveria e re të jetë pjellë e parimeve, jo inateve, jo e pazareve politike, të stilit ‘për inat të s’ime vjehrë’…

Të fundit