Opsioni i parë i formimit të qeverisë së re shihet te dy fituesit në zgjedhje 15 korrikut, LSDM dhe BDI. Nuk përjashtohen edhe mundësi të tjera, por as edhe koalicioni i zgjeruar. Partitë duket se mbeten të prira që të taktizojnë dhe kjo nënkupton një proces të zgjatur të formimit të qeverisë. Ndërkohë që vijnë paralajmërimet e para nga bashkësia ndërkombëtare për formim të qeverisë sipas afateve që të fillohet me menaxhim më efikas me pandeminë dhe sfidat tjera të integrimit që e presin Maqedoninë e Veriut.
ANALIZË E KDP
Tashmë është thënë se formimi i qeverisë në Maqedoninë e Veriut do të jetë një proces i rëndë për shkak të rezultatit zgjedhor. Fituesit në bllokun politik maqedonas dhe shqiptar LSDM e BDI edhe pse i kanë numrat duket se mbeten në pozicionet e forta parazgjedhore. Ndërkohë të dy partitë janë prononcuar për krijimin e qeverisë nga pozicione paska “triumfaliste”, secila duke ruajtur gardin e premtimeve parazgjedhore.
Pikërisht, prononcimet e këtilla kanë lënë hapësirë për më tepër interpretime dhe për më tepër kombinatorika në formimin e qeverisë, duke mos përjashtuar mundësinë e përfshirjes edhe të partive tjera në krijimin e shumicës parlamentare. Brenda kohës edhe VMRO-DPMNE ka shfaqur pretendime për formimin e qeverisë edhe pse një gjë e tillë mbetet me më pak gjasa. Gjërat për këtë parti po komplikohen pas rezultatit zgjedhor dhe pas përplasjeve brenda partisë që vijnë si zëra që kërkojnë llogari nga lideri i saj Mickovski.
Ndërkohë disa analistë si opsion të parë të formimi të qeverisë e shohin te partitë fituese LSDM-BDI, duke ia bashkëngjitur edhe PDSH e Menduh Thaçit. Por, ata, nuk kanë përjashtuar mundësinë edhe të kombinatorikave të tjera të cilat mund të vijnë në shprehje. Është përmendur edhe mundësia e formimit të koalicionit të gjerë që do të përfshinte partitë më të mëdha politike, sidomos për faktin që Maqedoninë e presin sfida të mëdha me menaxhimin e pandemisë dhe hapjen e kapitujve të bisedimeve me BD-në.
Opozita shqiptare ndërkohë ka deklaruar se do të presë që BDI të bisedojë për realizimin e idesë së kryeministrit shqiptar dhe nëse kjo parti nuk mund ta arrijë këtë, atëherë do të duhej që t’i lëshojë rrugë opozitës të nis fillimin për formimin e qeverisë. Në fakt ideja e kryeministrit shqiptar tash pritet të marr epilog pas konstituimit të parlamentit. Përveç kësaj, duket se rregulli i pashkruar që fituesi me fituesin të bëjnë qeverinë duket se ka pësuar “goditje” qëkur partia e Ahmetit në 2016 kishte krijuar koalicionin me LSDM-në si parti e dytë te blloku politik maqedonas.
Edhe pse në rrethana krejtësisht tjera, në një kontekst që nënkuptonte mundjen e siç ishte vlerësuar me kohë “regjimit të Gruevskit”, ky rregull tashmë ka filluar të kontestohet sidomos pas rezultatit të ngushtë në këto zgjedhje.
Edhe partitë jofituese mbeten në lojë, ndërkohë që sipas ligjit, ajo parti që siguron shumicën e deputetëve e formon edhe qeverinë. Kështu, ndërkohë ka deklaruar edhe president i shtetit, Stevo Pendarovski, i zgjedhur edhe me votat e BDI-së. Sipas tij, qeverinë e formon ajo parti që siguron shumicën në parlament të domosdoshme për formimin e qeverisë. Ai nuk ka përjashtuar mundësin e formimit të qeverisë edhe pa BDI-në si parti fituese në bllokun politik shqiptar.
BDI ndërkohë nuk ka lënë të kuptohet se do të heq dorë nga ideja e kryeministrit shqiptar. Ata e shohin këtë ide si legjitime dhe si përcaktim për një shtet të përbashkët të të gjithë qytetarëve. Njohës të mirë të rrethanave kanë folur për bisedime të vështira. Tash për tash nuk ka shenja për ndonjë kompromis të mundshëm edhe pse akoma nuk kanë filluar bisedimet mes partive, por sipas informacione të gjitha partitë janë në bisedime joformale me njëra-tjetrën.
Zgjedhjet e 15 korrikut për më tepër ishin një përgjigje ndaj kërkesës për të pasur një qeveri politike, e cila do të përballej me realitetin e krijuar nga pandemia, por edhe me shumë problem tjera që e presin Maqedoninë e Veriut. Urgjenca për mbajtjen e zgjedhjeve sikur u fashit në një fitore kalkuluese që kërkon më tepër kohë përpara. Formimi i shpejtë i qeverisë duket se mbetet urgjencë për Maqedoninë e Veriut, e cila do të duhet të dimensionojë shumë sfida që kanë të bëjnë me të ardhmen e saj euro-atlantike.
Në një intervistë për gazetën “Koha”, ambasadorja e SHBA-ve në Shkup, Kejt Mari Bërns ka theksuar se qeveria duhet të formohet në afatet e parapara. Qeveria e re të formohet në afatet e parapara, me qëllim që të vazhdohet ‘beteja’ kundër krizës shëndetësore të shkaktuar nga Covid-19. Në sistem parlamentar, çështja e kryeministrit është punë e shumicës parlamentare, ndërsa SHBA do të bashkëpunojë me të gjitha partitë politike në vend për të vazhduar rrugëtimi euro-atlantik i vendit, ka theksuar Bërns.
Edhe pse partitë mund të kenë dëshirë që të taktizojnë, duket se faktori ndërkombëtar insiston që sa më shpejtë të formohet qeveria në mënyrë që Maqedonia e Veriut të filloj të përballet me më shumë kapacitete me krizën e shkaktuar nga Covid 19 dhe me procesin e integrimeve europiane.
Më 4 gusht pritet të konstituohet parlamenti i rid he më pas zyrtarisht të fillojnë bisedimet për formimin e qeverisë. Partitë duket se nuk do ta kenë komoditetin të taktizojnë duke u mbështetur në retorikat parazgjedhore. Bëhet e qartë se formimi i qeverisë do të duhet të ndodh sa më shpejtë të jetë e mundur. Shumë njohës të rrethanave parashikojnë që deri në shtator Maqedonia e Veriut të ketë qeverinë e re. Cila do të jetë kjo qeveri do të varet gatishmëria e partive për gjetur solucionet e mundshme të krijimit të shumicës në parlamentare. Besohet se situate mund të kthjellohet vetëm pasi të fillojnë bisedimet në ndërkohë. Edhe pse mbetet e sigurt që bisedimet do të jenë të vështira dhe me shumë të panjohura për formimin e qeverisë.