Autor: Sefer Selimi Jr.
Zgjedhjet e prodhuan rezultatin, tani partitë duhet ta ndërtoj koalicionin i cili do të qeveris vendin. Arti i negociatave duhet të ndaj hisen në qeveri, ku gjithkush mundohet të merr më shumë dhe të jetë më afër premtimeve parazgjedhore. Në thelb, dy partitë e koalicionit më të mundshëm duhet të gjejnë kompromis për premtimet e tyre kryesore: LSDM të bëj koalicion me BDI edhe pse premtonte që ‘’BDI do të jetë në opozitë, pse jo?’’ ndërkaq BDI me ‘’kryeministrin e parë shqiptar, pse jo?’’. A mund të arrihet një kompromis mes tyre? Pse jo?! Partitë politike në Maqedoni kanë treguar se nuk e kanë problem të kapërcejnë mbi premtimet e tyre kryesore dhe të gjejnë arsyetime nga më jologjiket deri tek ato më qesharaket për mospërmbushjen e tyre. Disa nga premtimet e shkuara të LSDM-së për shembull: Rizgjedhja e gjykatësve dhe prokurorëve; Rroga mesatare 30,000 denar; Dënimi i politikanëve të korruptuar, kthimi i parave të keqpërdorura dhe numërimi i tyre publik mbi Portën Triumfale. BDI-ja: Implementimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare dhe dënimi i bartësve të funksioneve për mosimplementimin e saj; Kodra e diellit; Hapja e kufirit në Llojan; Një sërë projektesh infrastrukturore që bëhen Copy&Paste në çdo program parazgjedhor; Decentralizimi i plotë fiskal dhe administrativ e shumë të tjera. Madje, partitë nuk e kanë problem t’i kapërcejnë edhe inatet e urrejtjet personale kur bëhet fjala për pushtet, e kështu është shumë e mundur që Muhamed Zeqirin ta shihni të buzëqeshur krah deputetëve të BDI-së, mbase edhe me ndonjë video live gjatë zgjedhjes së tyre në krye të një funksioni. Mos u habisni as edhe me buzëqeshjen e Ali Ahmetit kur të takohet me Zoran Zaevin tu mos dhënë as ‘’pesë pare’’ për ‘’zemërimin dhe dëshpërimin’’ e tij me ofendimin që ua paska bërë Zaevi shqiptarëve. Është e mundur që Zijadin Selën dhe Afrim Gashin t’i shihni të buzëqeshur për shkrepjen e fotos së koalicionit qeveritar duke qëndruar afër atyre që i shanin ditë e natë e që ‘’ua kanë vjedhë demokracinë shqiptarëve dhe votat koalicionit të tyre’’. Në politikën Ballkanase, gjithçka është e mundur përveç normalitetit!
Çfarë do të prodhojnë negociatat paszgjedhore duhet të presim me durim tymin e bardhë nga oxhaku i ndërtesës së Qeverisë. Në fund të fundit, kjo është ajo që më pak duhet të na interesoj si qytetarë. Fokusi ynë kryesor, posaçërisht i shqiptarëve, duhet të shkoj përtej simbolikës dhe mos mjaftohemi me triumfalizmin populist për institucionet që do të udhëhiqen nga partitë shqiptare. E para dhe më e rëndësishmja është shkëputja nga mentaliteti feudal i ndarjes së plaçkës së pushtetit. Më shumë se sa cilën ministri do ta marrin, duhet të na interesojë se kush është ministri në krye të saj. Më shumë se sa cilën drejtori apo agjenci e kanë ‘’fituar’’ duhet të na interesoj se kush është në atë pozicion. Dhe më shumë se sa kush është në atë pozicion duhet të na interesojë se cili është procesi i përzgjedhjes, kompetencat e saj/tij dhe cili është vizioni, programi dhe prioritet në kuadër të detyrës së marrë. Nuk është utopike të presësh që gjatë përzgjedhjes të dominoj meritokracia profesionale dhe jo ajo partiake. Nuk është tragjike që Ministria mos ti takoj ndonjërës prej degëve të partisë por në krye të saj të përzgjidhet një profesionist/e nga ndonjë fshat i cili nuk ka peshë në vota. Partitë politike duhet të vendosin qartë dhe në mënyrë transparente një proces të mirëdefinuar për mbushjen e pozicioneve politike duke hapur rrugë për ambiciet e shëndosha, kthimin e besimit tek partitë dhe prodhimit të një shteti që vërtetë kujdeset për interesat e qytetarëve. Kjo do ti nderoj vetë ata, anëtarët e partisë dhe më së shumti votuesit e tyre.
Dhe gjithsesi, me që jemi në pritje të fillimit të negociatave për anëtarësim në BE, në kriteret e përzgjedhjes së udhëheqësve të pozicioneve kryesore duhet të jetë edhe dhënia e provimit për njohjen e Bashkimit Evropian (Studime Evropiane), njërës nga gjuhët e saj zyrtare dhe drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe maqedonase. Pse jo?!
Ah, edhe mos i harroni gratë!