Në një intervistë për KDP, profesori universitar, Visar Ademi, thotë se Maqedonia e Veriut është shtet me ekonomi të varfër dhe se rikuperimi ekonomik nuk mund të bëhet shpejt. Sipas tij, dëmet nga covid 19 në ekonomi mund të llogariten deri më 4 miliard euro. Ademi thotë se njerëzit frikohen të bëjnë ndonjë investim kapital. Ai gjithashtu thekson se ka filluar të ndjehet mungesa e ndihmës financiare nga mërgimtarët, në kohën kur remitencat kanë qenë burim ekonomie për qytetarët.
Autore: Xhumadije Ibrahimi
Profesori universitar, Visar Ademi, shprehet pesimist se në një periudhë të caktuar do të rikuperohet ekonomia e vendit për shkak se siç shprehet ai ekonomia e Maqedonisë është e varfër. Ademi thotë se mungesa e remitencave, përkatësisht mbështetja financiare nga diaspora, tashmë ka filluar të ndjehet, duke theksuar se paratë që sillnin punëtorët me punë të përkohshme në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe paratë e mërgimtarëve të cilët kalonin pushimet në Maqedoninë e Veriut mbeten burim serioz për ekonominë e vendit.
https://www.facebook.com/KlubiDebatitPolitik/videos/4052604258145160/
“Ne jemi ekonomi e varfër, e cila vlerësohet edhe nga shumë studime relevante. Fatura ekonomike e covid 19 do t’i kushtojë vendit 4 milard euro. Ky është dëmi i shkaktuar nga kjo pandemi”, thotë Ademi.
Ademi thotë se covid 19 do t’i dëmtojë degët kryesore strategjike të Maqedonisë siç është turizmi. “Njerëzit frikohen që të bëjnë ndonjë investim kapital”, thotë Ademi. Sipas tij, shteti duhet t’i ndihmojë sipërmarrësit me trajnime dhe gjetje alternative.
Në bazë të të dhënave nga Banka Popullore, diaspora në periudhën 2009 -2018 në Maqedoninë e Veriut i ka sjellë të ardhura brenda vitit në një mesatare prej rreth 200 milionë euro, të dhëna këto që bazohen në burimet administrative siç janë pagesat përmes llogarive bankare si dhe transferim i shpejtë i parave.