E shtunë, 24 Maj, 2025

KUSH PËRFITON NGA KORONAVIRUSI?!

Nëse nisemi nga supozimet për vërtetësinë e teorive të komplotit, sipas të cilëve koronavirusi është sajuar që dikush të përfitojë, atëherë nga “laboratori e ka lëshuar” Xhef Bezosi, e jo Bil Gejtsi.
Kjo, për shkak se COVID-19 ka patur ndikim të shëndoshë në financat e Kompanisë “Amazon” të Xhef Bezosit.

 

Autor: Rean Saiti

 

Nga fillimi i këtij viti, aksionet e Amazonit janë rritur për rreth 70%, kurse vlera në treg e kësaj kompanie që meret me tregti elektronike ka arritur madje 1.500 miliardë dollarë. Vetëm për një ditë Xhef Bezos ka fituar 13 miliardë dollarë duke vendosur kështu një rekord të ri botëror.
Padyshim, kjo teori, sikurse edhe ajo ku thuhet se koronavirusin e ka sajuar Bil Gejtsi, nuk është e vërtetë!

Nëse e gjithë bota, shkaku i COVID-19 pëson humbje, duke e parë në aspektin afatgjatë – as Bezosi nuk mund të përfitojë. COVID-19 i ka kushtuar ekonomisë botërore 11.000 miliardë dollarë. Nga fillimi i pandemisë, ky është borxhi i ekonomisë botërore, mjete këto për të sanuar pasojat e virusit.

Me këtë, siç kanë paralajmëruar nga FMN-ja dhe Banka Botërore, borxhi global për herë të parë në histori ka tejkaluar prodhimtarinë globale.

Se bëhet fjalë për para të majme, flet kjo e dhënë: Maqedonisë së Veriut, me këtë nivel të BPV-së, do t`i duheshin më shumë se 250 vite që të përfitojë 11.000 miliardë dollarë.
Xhef Bezosi në planin afatgjatë nuk është duke llogaritur në rritjet enorme të të ardhurave.

Para pak kohësh ai kishte paralajmëruar investitorët se profitin e pritur katërvjeçar në këtë kuartal do ta investojë në harxhime që lidhen me COVID-19, sic janë masat për mbrojtjen e sigurisë së të punësuarve, por edhe sigurinë e dërgesave dhe rezervave.

Për këtë shkak, teoritë se koronavirusi është sajuar që dikush të përfitojë – janë të pasakta.

Nuk ka fitues aty ku të gjithë humbin!

Një argumentim i këtillë mund të zbatohet edhe tek Bil Gejtsi.

Pa marrë parasysh se ky miliarder para pak kohësh është larguar nga Majkrosoft-i dhe I është përkushtuar aktivitetit humanitar, mund të thuhet me siguri të plotë se nuk është në interesin e tij që të “vdesin” sa më shumë konsumatorë dhe që kompania e themeluar nga ai të shesë sa më pak kompjuterë.

Autorët e teorive të komplotit thonë se interesi i Bil Gejtsit është që të zvogëlohet numri i njerëzve, derisa në planetin tonë nuk mbetet “një miliardi i artë”. Përtej kësaj, shtrohet pyetja: Ku është interesi i prodhuesve të mëdhenj të kompjuterëve – të kenë treg me 7 miliardë njerëz ose treg me 1 miliardë?

Vetëm nëse dikush nuk mendon nëse Bil Gejtsi, që tani i është përkushtuar filantropisë, planifikon që problemin e varfërisë ta zgjidh me vdekjen e popullatës botërore. Megjithatë, koronavirusi, nuk zgjedh. Për shkak të COVID-19 edhe të pasurit vajtojnë e vdesin.

Të paargumentuara janë teoritë, sipas të cilave “kinezët e kanë sajuar dhe lëshuar virusin”. Vetëm në tremujorin e parë, ekonomia kineze ka shënuar rënie prej 6.8%, kurse prodhimtaria industriale pësoi rënien më të madhe në 30 vitet e fundit.

Nuk kanë kuptim, po ashtu, as teoritë se virusin e kanë sajuar amerikanët. Krahas rënies së bursave, pritet që rënia e ekonomisë amerikane, deri në fund të vitit, të arrijë në 8%. Madje 40 milion amerikanë për shkak të koronavirusit kanë mbetur pa punë.

Ekziston edhe teza se pandemia e koronavirusit është në interes të industrisë farmaceutike.

Megjithatë, për shkak të virusit, kompanitë më të mëdha farmaceutike shënojnë humbje.

Së pari, për shkak të mbylljes së kufijve dhe pezullimit të fluturimeve është vështirësuar furnizimi. 90% e lëndëve të para për ilaçet gjenerike, për shembull, importohen nga Kina.

Kësisoji, kompania amerikane “Fajzer’ në tremujorin e parë të këtij viti ka realizuar për 8% më pak të ardhura krahasuar me vitin e kaluar. Së dyti, problemi me furnizimet me lëndët e para mund të shkaktojë edhe mungesa në tregun e ilaçeve. Së treti, nuk është me interes as edhe për prodhuesit e medikamenteve që të vdesin ata që blejnë ilaçe.
Por, a do të përfitojë në industrinë farmaceutike, kompania që e para do ta prodhojë një vaksinë efikase kundër COVID-19?

Nëse është kështu, atëherë përse kompania ASTRA ZENEKA paralajmëron se vaksinën e saj do të shesë me çmim prej vetëm 2.5 euro? Përse atëherë Drejtori i kësaj kompanie Paskal Soriot, për shembull, ka deklaruar se qëllimi i tij është vaksina të jetë e kapshme për të gjithë njerëzit? Për shkak se është në interesin e tij, por edhe të kompanisë së tij që të parandalohet ngulfatja e ekonomisë globale. Ngase, kjo krizë është më shkatërruese se ajo e vitit 2008.

Borxhi i përgjithshëm botëror deri në fund të vitit do të rritet për 20%. Kjo paraqet dyfishin e atij gjatë recesionit të madh. Me këtë borxhi global publik do të arrijë nivelin më të lartë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Dhe, për fund, ka prej atyre që janë të bindur se COVID-19 është krijuar paralelisht me përhapjen e rrjetit 5G.

Këto teori shkojnë aq larg, sa që mund të dëgjohet se telat në maskat mbrojtëse janë pranues të rrjetit 5G. Megjithatë, kjo teori ka një gabim të qartë logjik. Koronavirusi ka arritur edhe atje ku nuk ka rrjet 5G, kurse maska mbrojtëse për këtë lloj teorie komploti, që kanë ndikim infektues në opinionin publik, ende nuk është zbuluar!

Të fundit