Stjepan Mesiq, ish-president i Kroacisë dhe i udhëheqjes së fundit kolektive të Jugosllavisë, ka deklaruar se politikanët e Ballkanit Perendimor duhet ta kenë të qartë se nuk ka ndryshim të kufijve. Në një intervistë dhënë ditë më parë Televizionit shtetëror malazez, Mesiq ka folur për Marrëveshjen e Prespës, për pritjet nga dialogu Kosovë -Serbi, ndërkohë që ka akuzuar Zagrebin dhe Beogradin për mosfunksionimin si shtet – të Bosnjë e Hercegovinës.
Ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq, ka vlerësuar se marrëveshja e Prespës Maqedoni-Greqi lidhur me emrin ishte rezultat I përkushtimit të lidershipit të të dyja vendeve.’Është e qartë se çështja e emrit të shtetit, e gjuhës, për çdo popull diçka nga më të rëndësishmet që kanë të bëjnë me një popull’ – tha Mesiq ditë më parë për Televizionin e Malit të Zi duke shtuar se nëse një populli i merret e drejta për gjuhën, e drejta për të pasur shtet, atëherë prej tij nuk mbetet asgjë: ‘Prandaj, marrëveshja ishte me rëndësi kardinale për Maqedoninë, kurse për Greqinë ishte një ndër çështjet politike nëse ky vend do të quhej kështu ose ashtu. Mendoj se pjekuria e udhëheqjeve të të dyja palëve, Greqisë dhe Maqedonisë, solli këtë zgjidhje të arsyeshme me të cilën tani Maqedonia mund të përparojë’
I pyetur se çfarë epilogu pret nga bisedimet Kosovë-Serbi, Mesiç ka thënë se sigurisht në to nuk do të flitet për statusin e Kosovës: ‘Kosova ka qenë element konstituiv i Federatës jugosllave që në fund, me shumë viktima, edhe u realizua si një korpus i pavarur dhe kjo pjesë ka marrë fund,’ – citon Tv Klan Macedonia ish – kreun e fundit të udhëheqjes kolektive të Jugosllavisë sipas të cilit negociatat mund të zhvillohen ndërmjet dy subjekteve ndërkombëtarisht të njohura për disa çështje të pazgjidhura, por jo edhe për statusin e Kosovës. ‘Kjo punë ka marrë fund’- ka thënë Mesiq.
Duke folur për çështjet që lidhen me funksionimin e Bosnjë e Hercegovinës si shtet, Mesiq është shprehur se problemi nuk qëndron atje, por në Beograd dhe Zagreb: ‘Beogradi zyrtar u dërgon mesazh serbëve, përkatësisht Bosnjë e Hercegovinës, se mbështet Bosnjë e Hercegovinën në kufijt e vet, tërësinë e saj tokësore, por e mbështet për gjithçka Milorad Dodikun i cili nuk e njeh Bosnjë e Hercegovinën! Kroatët, po ashtu: Zagrebi zyrtar thotë se mbështet tërësinë e Bosnjë e Hercegovinës, por mbështet Dragan Çoviqin i cili së bashku me Milorad Dodikun e shkatërron Bosnjë e Hercegovinën. Problemi është në Zagreb dhe në Beograd,’- ka deklaruar Stjepan Mesiq duke nënvizuar se me gjithë luftrat në hapësirat e ish-Jugoslllavisë, me mbi 100 mijë viktima, kufijtë nuk ndryshuan: ‘Arkitektura e Evropës është e mbyllur: nuk ka më ndryshim kufijsh’- përfundon njëri ndër politikanët më popullor të rajonit.