E shtunë, 22 Mars, 2025

ZGJEDHJET 2020: TË GJITHË PO I VRET SAMARI

Ndërsa procesi zgjedhor po rrumbullakohet duke i hapur kështu rrugë konstituimit të legjislaturës së dhjetë parlamentare, partitë pretendente për krijimin e shumicës parlamentare vazhdojnë të jenë në ethet parazgjedhore, aniqë votimet pak-kujt i dhanë të drejtë. Për shkak të rezultatit të ngushtë, ditët e fundit janë vënë në lëvizje edhe kancelaritë perendimore, në përpjekje për të bindur krerët e partive politike që të reflektojnë konform verdiktit të shprehur. Raporti i forcave flet se të gjithë do e kenë të vështirë , pa përjashtuar këtu as faktorin ndërkombëtar.

Seladin Xhezairi

 

Autor: Seladin Xhezairi

Nuk është se vetëm VMRO-DPMNE-ja, dikur shndërronte institucionet në shtabe partiake. Këto ditë këtë e bënë edhe LSDM-ja dhe pjesërisht edhe BDI-ja: Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes, Radmila Shekerinska, Kryediplomati, Nikola Dimitrov dhe bashkërenduesi nacional për euro-integrimet, Bojan Mariçiq, pritën në selinë e Ministrisë së Jashtme ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kate Marie Byrnes, dhe shefin e delegacionit të BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar.

Një takim ky normal dhe i pritshëm, po të kihet parasysh se për dallim nga vendet dhe rajonet e tjera, në rastin e Maqedonisë së Veriut, Uashingtoni dhe Brukseli zyrtar, që domethënë Amerika dhe Evropa, kanë folur me një zë për çështjet më të ndjeshme. Një takim të ngjashëm kryediplomati evropian në Maqedoninë e Veriut, pati dhe me Zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Bujar Osmani. Dhe, edhe kjo ndodhi në mjediset e institucionit – Sekretariatit për Çështje Evropiane. Çështja që shtrohet është përse takimet nuk ndodhën nëpër selitë partiake për shkak se nëse Osmani mund të të arsyetohet, trojka socialdemokrate e ka disi të vështirë të shpjegojë se si ndodhi kjo që që të tre të mirëpresin dyshen euro-amerikane?

Për më tepër, njoftimet nga takimet ishin goxha të thata dhe, së këndejmi, mund të mirëkuptohet shija e krerëve të partive të tjera, të cilët, me o pa të drejtë, mund ta kenë marrë këtë si një sinjal për konturat e koalicioni të ri qeverisës. Kjo do të ishte e kuptueshme sikur të mos kemi intolerancën mes socialdemokratëve dhe integristëve të Ahmetit: Të parët jo që nuk i spostuan në opozitë këta të dytët, por tani përballen, njësoj si dhe VMRO-DPMNE-ja e Mickoskit me kërkesën – thonë të panegociueshme- për kryeministër shqiptar. E kanë rrokur këtë temë diplomatët euro-amerikanë – këtë nuk e thonë, aniqë është pak e besueshme të mos e kenë bërë.

Sidoqoftë, ditëve në vazhdim mbase mund të ketë zhvillime më të dukshme: Pritet pozicionimi i opozitës shqiptare, por edhe i dy forcave maqedonase, pa harruar këtu edhe çfarë ka për të thënë Lëvizja Besa. Raporti i forcave në parlament tregon se sa i përket krijimit të qeverisë, edhe LSDM-në, edhe, VMRO-DPMNE-në, po edhe BDI-në, të gjitha, në fakt, kë më shumë e kë më pak, sikurse thotë populli, po i vret samari. Mbetet të shihet se kush me kë do të bëjnë qeverinë!

 

Të fundit