E diel, 16 Mars, 2025

AHMETI E KONFIRMON FTESËN NGA HAGA: I GATSHËM TA DËSHMOJ ÇILTËRSINË E POPULLIT SHQIPTAR

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, është ftuar nga Gjykata Speciale me seli në Hagë, njofton KDP.

Ahmeti, si një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pritet që të ketë statusin e dëshmitarit në rastet ku të dyshuar janë ish-krerë të këtij formacioni ushtarak.

Ai e konfirmoi ftesën në faqen e tij në Facebook:

“Të nderuar qytetarë,

sundimi i ligjit dhe arritja e drejtësisë së mirëfilltë joselektive, vendore dhe ndërkombëtare, janë synim dhe detyrim i imi i përhershëm në të gjithë veprimtarinë time.

Andaj, ju njoftoj që Dhomat e specializuara të Republikës së Kosovës, gjegjësisht prokuroria speciale e Kosovës, më ka ftuar në cilësinë e dëshmitarit dhe pa hamendje kam pranuar ftesën si dhe kam vendosur kontakt konstruktiv dhe bashkëpunues me zyrtarët në Hagë.

Gjithëmonë kam qenë ithtar i drejtësisë joselektive dhe jam në dispozicion të tërësishëm të organeve të drejtësisë për ta dëshmuar qiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit serb të Millosheviçit.”

https://www.facebook.com/454337564602783/posts/3122211687815344/

Ditë më parë në bisedë në Hagë u ftua edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Paraprakisht, i dyshuar kishte qenë edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe ai i NISMA-s, Fatmir Limaj.

Një javë më parë, në një intervistë për RTK Ahmeti tha se “lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe në funksion të mbrojtjes së jetës së njerëzve në Kosovë.

Burime të KDP thonë se ftesa në adresë të Ahmetit ka arritur që në fillim të korrikut, por se me kërkesë të tij është shtyrë shkaku i fushatës së zgjedhjeve parlamentare, që u mbajtën më 15 korrik. “Ahmeti nuk ka dashur kjo temë të përfshihet në fushatë, edhe pse ka mundur t’i sjellë rritje të mbështetjes”, tha një zyrtar i lartë i partisë.

Udhëtimi i Ahmetit në Hagë pritet të ndodhë në fund të muajit gusht, pikërisht në periudhën kur do të intensifikohen bisedimet për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut. BDI e Ahmetit mori 15 deputetë dhe doli parti e parë te shqiptarët, duke i siguruar pozicionin e përcaktuesit të qeverisë së ardhshme të Shkupit. /KDP

Të fundit