Pas gjumit gati 10-vjeçar në Ballkan, evropianët po krekosen se tani janë ulur në pozitën e shoferit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Mund të flitet tani për shumë tema, siç është folur deri në vitin 2018 dhe rezultati mund të pjesëtohet e shumëzohet me zero. Në të vërtetë krejt debati duhet të zhvillohet në një drejtim: a është e gatshme BE-ja dhe a janë të gatshme Gjermania dhe Franca t’i bëjnë presion Serbisë për ta njohur Kosovën? Nëse jo, dështimi është i kurdisur që tani. Për linja ajrore, hekurudhore dhe “autostradore” mund të flitet më vonë. Tash BE-ja i ka tri detyra: brenda saj duhet të bindë pesë shtetet anëtare të pranojnë Kosovën, të liberalizojë vizat për zonën e Schengenit për qytetarët e Kosovës dhe t’ia bëjë të qartë Serbisë se nuk mund t’i bishtnojë pyetjes thelbësore: kur do të pajtohet me ekzistencën e shtetit kosovar?
Pas takimit të fundit të kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të Serbisë në Bruksel, gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkroi: “BE-ja nuk po kërkon në mënyrë eksplicite që Beogradi ta pranojë Republikën e Kosovës. Por, ajo (Serbia) do të duhet të heqë dorë nga pasuesi i Kushtetutës, i cili e konsideron Kosovën pjesë integrale të Serbisë. Dhe të lejojë që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare”.
Para takimit në Bruksel gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” botoi komentin me gjasë të njëzetë apo tridhjetë me radhë në dy-tri vjetët e fundit, ku mes rreshtash kërkohet që Serbisë “t’i jepet diçka”. Kjo “diçka” deri më tani ka qenë territor, tash sipas “Neue Zürcher Zeitung”, duhet të jetë “autonomi për komunat serbe brenda Kosovës”. Synimi i BE-së, sipas gazetës, duhet të jetë që të arrihet së paku një marrëveshje ligjërisht e obligueshme, e cila i mundëson Kosovës ulëse në OKB. “Neue Zürcher Zeitung” nuk e përmend fare domosdoshmërinë që Serbia ta pranojë Kosovën si shtet, siç nuk po e përmend as Bashkimi Evropian. Marrëveshja e shpejtë, sipas së përditshmes së Zürichut, as që qenkësh e nevojshme: “Vendimtare është një marrëveshje e negociuar mirë që respektohet nga të dy vendet. Evropianët nuk mund të imponojnë zgjidhjen – sepse aranzhmanet e dekretuara nga perëndimi në Ballkan nuk janë dëshmuar si të qëndrueshme. Është mirë që ndërmjetësuesit evropianë t’ua lënë Beogradit dhe Prishtinës zgjidhjen përmbajtjesore të problemit. Në rrugën drejt qëllimit ata duhet të ngulin këmbë në dy parime: përjashtim absolut i dhunës dhe legjitimitet demokratik i rezultatit”.
Me fjalinë “aranzhmanet e dekretuara nga perëndimi në Ballkan nuk janë dëshmuar si të qëndrueshme” synohet të zhvlerësohet puna e presidentit Martti Ahtiaari, i cili si emisar i OKB-së propozoi pavarësinë e Kosovës. Kjo qasje e injoron në tërësi faktin se së pari pavarësia e Kosovës ka qenë e paalternativë dhe së dyti: pavarësinë e Kosovës e ka vulosur më 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND). Shtetet anëtare të OKB-së do të duhej të respektonin vendimin e GJND-së, organit më të lartë të OKB-së që ndan drejtësi. Disa gazetarë perëndimorë edhe nëse nuk e respektojnë këtë vendim, do të duhej së paku ta kishin të qartë dhe të mos e injoronin.
Pas gjumit gati 10-vjeçar në Ballkan, evropianët po krekosen se tani janë ulur në pozitën e shoferit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Mund të flitet tani për shumë tema, siç është folur deri në vitin 2018 dhe rezultati mund të pjesëtohet e shumëzohet me zero. Në të vërtetë krejt debati duhet të zhvillohet në një drejtim: a është e gatshme BE-ja dhe a janë të gatshme Gjermania dhe Franca t’i bëjnë presion Serbisë për ta njohur Kosovën? Nëse jo, dështimi është i kurdisur që tani. Për linja ajrore, hekurudhore dhe “autostradore” mund të flitet më vonë. Tash BE-ja i ka tri detyra: brenda saj duhet të bindë pesë shtetet anëtare të pranojnë Kosovën, të liberalizojë vizat për zonën e Schengenit për qytetarët e Kosovës dhe t’ia bëjë të qartë Serbisë se nuk mund t’i bishtnojë pyetjes thelbësore: kur do të pajtohet me ekzistencën e shtetit kosovar?
Me këtë pyetje udhëheqësit kosovarë duhet ta ballafaqojnë sidomos ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas, i cili ka paralajmëruar një vizitë në rajon. Si asnjë ministër i Jashtëm gjerman, Maas është shquar për fjalë të ngrohta pa asnjë përmbajtje kur bëhet fjalë për problemet e rajonit. Si kryesuese e BE-së në 6 muajt e ardhshëm, si shteti me ndikimin më të madh në Evropë, si vend që ka investuar qindra miliona në komponentin ushtarak dhe civil në Kosovë, Gjermania ka një përgjegjësi të madhe për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin po e mban të hapur Serbia me politikat e sabotimit dhe destruktivitetit.
Me njoftimin se në Gjykatën Speciale është dorëzuar një propozim për një akuzë kundër kryetarit të Kosovës, tani për tani është përjashtuar nga loja edhe emisari i Donald Trumpit nga procesi misterioz i arritjes së një “marrëveshjeje historike” në Washington. Lidhur me publikimin e letrës së prokurorit të Gjykatës Speciale qarkullojnë disa teori. Dy më të përhapurat janë këto: letra u bë publike nën presionin e fuqive evropiane (dhe sidomos Gjermanisë) për ta penguar Richard Grenellin të marrë në dorë “dizgjinët e problemit të Kosovës”, siç shkruan në një analizë revista e pavarur e Beogradit, “Vreme”. BE-ja është donatori më i madh financiar i Gjykatës Speciale. Teoria e dytë (sipas “Frankfurter Allgemeine Zeitung”): prokurorët synuan që para takimit në Washington të vetëmbrohen nga presioni i pritshëm i Donald Trumpit. Muajve të fundit, presidenti i Kosovës pati shpeshtuar sulmet kundër BE-së dhe lavdërimet me tonet më të larta për Richard Grenellin, Donald Trumpin, Shtëpinë e Bardhë. “Diplomatët perëndimorë në Prishtinë qëmoti dyshojnë se kjo domethënë që Thaçi shpreson në mbrojtje amerikane – kështu që ndaj Washingtonit po shfaqet si partner i pashmangshëm, me gjasë synonte të fitojë përkrahjen politike amerikane për të evituar aktakuzën për krime të luftës. Nëse ky ka qenë kalkulimi i tij, atëherë kjo është zbuluar tani”, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Letra e prokurorit special, sipas “Neue Zürcher Zeitung”, ka ndikuar që nga procesi të shmanget edhe Thaçi, i cili është “kundërshtari i pëlqyer” nga Aleksandar Vuçiqi. Se përse është “kundërshtar i pëlqyer” nga Vuçiqi, gazeta nuk e shpjegon. Ndërsa revista gjermane “Der Spiegel” shkroi se Thaçi e ka lozur rolin e “zagarit të strategëve gjeopolitikë amerikanë”.
Kjo gjuhë toksike nuk është e pazakonshme në disa media gjermane, por nuk është e pazakonshme as për politikanë gjermanë, sidomos të majtë, të cilët ushqim kryesor e kanë antiamerikanizmin. Të tillët mbase vetëm do të rrudhnin supet nëse do të pyeteshin se “zagar” i kujt është ish-kancelari Gerhard Schröder, i cili punon për një kompani ruse të gazit, tregon mirëkuptim për aneksimin e Krimesë nga Rusia, e quan Ukrainën një “vend të ndarë kulturalisht” dhe e lavdëron Aleksandar Vuçiqin. Në një listë të Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, Schröder është klasifikuar si “armik i Ukrainës”.
Sa i përket dialogut në Bruksel, për akterët evropianë duhet të jetë e qartë se pa njohje të Kosovës nga Serbia asnjë marrëveshje nuk e meriton të quhet e tillë. Një llafazanëri e re do të jetë e rrezikshme për stabilitetin në rajon. Takimi i radhës i nivelit të lartë është paralajmëruar për në shtator. Duket se krejt synimi i tanipërtanishëm i BE-së është “të kontrabandohet” disi deri në zgjedhjet presidenciale në SHBA, me shpresën se nga fundi i janarit 2021 shef në Shtëpinë e Bardhë do të jetë dikush tjetër. Pastaj? “Shohim e bëjmë” – me këtë parullë BE-ja dhe administrata e Barack Obamës kanë rrëshqitur në qorrsokak në Ballkan.