E premte, 25 Prill, 2025

FITUESIT E “ACARUAR”, APASIEVI DHE RRESHTIMET E MUNDSHME ETNIKE

Një gjë mbetet e sigurt që Maqedonia e Veriut, do të përballet me një proces të vështirë të krijimit të qeverisë që me gjasë do të zgjasë. Retorikat parazgjedhore, por edhe pozicionimet e partive në një skenë të brishtë politike me atutë që nënkuptojnë ruajtjen e elektoratit do ta bëjnë rrugën për krijimin e qeverisë me shumë të panjohura dhe me mundësi për të krijuar krizë politike 

Autor: Bardhyl Zaimi

Zgjedhjet e 15 korrikut kanë dhënë një rezultat me shumë të panjohura. Përkundër faktit që koalicioni LSDM ka dalë fitues te blloku politik maqedonas dhe BDI te blloku politik shqiptar, ashtu siç pritej, kombinatorikat për formimin e qeverisë do të diktohen nga shumë taktizime partiake.

Shqiptarët në këto zgjedhje kanë fituar një numër të jashtëzakonshëm mandatesh, 32 deputetë, duke llogaritur edhe deputetët e Lëvizjes Besa që ishte në koalicion parazgjedhor me socialdemokratët e Zoran Zaevit. Dalja e votuesve shqiptar përafërsisht mbetet si në ciklet tjera zgjedhore, ndërkohë që sipas ekspertëve ky numër deputetësh i faturohet daljes së ulët te elektorati maqedonas. Nga shumë analistë, mosdalja te maqedonasit është interpretuar si penalizim për të dy partitë kryesore LSDM dhe VMRO-DPMNE, të cilat nuk kanë mundur të nxjerrin në votime edhe votues që konsiderohen tradicional të partive të tyre.

Sidoqoftë, rezultati i ngushtë te partitë maqedonase e bënë me shumë të panjohura krijimin e shumicës parlamentare, sidomos për shkak të retorikave parazgjedhore, por edhe për shkak të numrave që shumë vështirë do të mund të artikulohen në një shumicë qeverisëse.

BDI e Ali Ahmetit me 15 deputetë të fituar thotë se është çelësi për krijimin e qeverisë së ardhshme, ndërkohë që të gjitha kombinatorikat e sigurta dhe më pak të komplikuara si numër shkojnë në favor të tyre.

Në ndërkohë edhe opozita te blloku politik shqiptar ka një rezultat solid dhe mbetet në lojë për formimin e koalicionit, por edhe për ndonjë formë tjetër të qeverisjes që do të nënkuptonte koalicion të zgjeruar.

Në variantet tjera të formimit të qeverisë pa BDI-në e Ahmetit rol vendimtar merr deputeti i PDSH-së, sepse bashkë dy deputetët e partisë ” E majta” të Apasievit, deputeti i PDSH-së e vulosë formimin e koalicionit.

Në ndërkohë, nëse nuk do të ketë ndryshim rezultati pas ankesave në KSHZ dhe pasi të vendosë gjykata administrative, ky skenar për formimin e qeverisë duket tepër i vështirë, gati i pamundur për shkak se do të duhet të harmonizojë kontradikta ideologjike dhe partiake gati të papajtueshme. 

Apasiev në këtë skenar mbetet lojtar tjetër kyç pa të cilin nuk mund të ketë formim qeverie. Në një prononcim pas zgjedhjeve, lideri i së majtës ekstreme siç është cilësuar në opinion, ka deklaruar se nuk ka dalë në këto zgjedhe për të hyrë në qeveri, por për t’u futur në parlament dhe për të pasur një zë aty për të fituar në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme sipas tij numër dyshifror të deputetëve. 

Apasiev ka akuzuar se ia janë vjedhur 10 mijë vota, ndërkohë që gishtin e ka drejtuar kah LSDM. Kjo e bën shumë të vështirë një koalicionim të kësaj partie me socialdemokratet, ndërkohë që me shumë qëndrime më tepër përafrohet me të djathtën e Mickovskit. Apasiev është cilësuar si lider kontravers dhe një bashkëpunim me partinë e tij duket i brishtë dhe me shumë të panjohura. Sidoqoftë në politikë gjithçka është e mundur prandaj edhe ky skenar mbetet i hapur edhe pse me shumë pak gjasa.

Krijimi i koalicionit nga dy fituesit në këto zgjedhje, LSDM dhe BDI, pavarësisht se i kanë numrat, duket se do të jetë tepër i vështirë për shkak të kundërvënieve të forta gjatë fushatës zgjedhore dhe për shkak të idesë për kryeministër shqiptar në të cilën insiston BDI. Lideri i kësaj partie Ahmeti ka bërë të ditur se ka biseduar me partitë tjera shqiptare për ta mbështetur në idenë e tij. Me gjasë kjo parti do të insistojë deri në fund për kryeministrin shqiptar dhe këtë e ka paralajmëruar ndërkohë në paraqitjet e saja publike. 

Nuk përjashtohet mundësia edhe për ndonjë kompromis, por kjo me siguri do të vijë pas një periudhe të gjatë bisedimesh dhe taktizimesh që mund ta nënkuptojnë edhe marrjen e mandatit për formim qeverie edhe nga VMRO-DPMNE, e cila ka shfaqur gjithashtu ambicie për sigurim të shumicës parlamentare duke e arsyetuar këtë me kredibilitetin që ka si parti.

Një gjë mbetet e sigurt që Maqedonia e Veriut, do të përballet me një proces të vështirë të krijimit të qeverisë që me gjasë do të zgjasë. Retorikat parazgjedhore, por edhe pozicionimet e partive në një skenë të brishtë politike me atutë që nënkuptojnë ruajtjen e elektoratit do ta bëjnë rrugën për krijimin e qeverisë me shumë të panjohura dhe me mundësi për të krijuar krizë politike. 

Vetë fakti që qeveria e ardhshme në të gjitha variantet do të jetë e brishtë dhe mbase pa një kohezion dhe kondicion për të qenë e qëndrueshme determinon pozicionime të forta të partive politike që në njëfarë mënyre i nënkupton zgjedhjet tjera të parakohshme mbase bashkë me ato lokale që pritet të mbahen vitin e ardhshëm.

Ky konfiguracion politik, sfida me pandeminë dhe me një krizë të pritshme ekonomike në vjeshtë nuk e përjashton mundësinë e një koalicioni të zgjeruar ose qeverie ekspertësh, sidomos në kohën kur Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë ndërkohë edhe me hapjen e kapitujve të bisedimeve me BE-në. 

Sipas të gjitha paralajmërimeve rruga deri te qeveria e ardhshme do të jetë tepër e vështirë dhe me shumë taktizime. Përderisa BDI ka theksuar se të gjitha rrugët çojnë në Reçicë të Vogël, ku e ka selinë kjo parti, lideri i partisë fituese te maqedonasit, Zoran Zaev ka parapëlqyer pushimet para se të nis bisedimet për formimin e qeverisë. Ideja e kryeministrit shqiptar e bën procesin politik të bisedimeve për krijimin e qeverisë me shumë të panjohura, duke mos përjashtuar edhe rreshtime mbi baza etnike, ashtu siç kishte paralajmëruar Zaev gjatë fushatës dhe siç paralajmëron Ahmeti për një ” bashkim” të subjekteve politike shqiptare rreth idesë së kryeministrit shqiptar.

Në politikë gjithçka është e mundur, por antagonizmat politike brenda kampit të njëjtë etnik janë aq të mëdha sa duket e pamundshme të ketë unifikime mbi këtë bazë. Sidoqoftë, në rrethana të një rezultati që betonon pozicionin e partive për të drejtuar me çdo kusht qeverinë e ardhshme mund të prodhojë edhe rreshtime mbi baza etnike.

Të fundit