Prej sot, në kuadër të KDP-së, starton si përmbajtje më vete platforma Anticovid 19! Kjo është platformë informative dhe mbi të gjitha edukative, e cila do të merret kryesisht me informimin dhe edukimin e qytetarëve në gjithë vendin me masat mbrojtëse dhe me përkushtimin e shoqërisë për të mposhtur virusin e padukshëm!
Anticovid nuk pretendon se do të bëjë çudira, por pretendon të japë kontribut konkret që pasojat nga ky virus të jenë sa më të pakta.
Kjo platformë do të raportojë në bazë ditore për virus, duke prodhuar lajme dhe raporte ditore nga vendi, rajoni dhe bota, duke qenë shërbim i informacioneve zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik dhe sidomos nga Klinika e Sëmundjeve Infektive dhe në nivel ndërkombëtar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke dhënë këshilla edukative për qytetarët.
Brenda javës do të publikohet nga një intervistë me video, me mjekë, sociologë, ekspertë të mediave, gazetarë, psikologë dhe specialistë të fushave shoqërore, për të analizuar dukuritë e covid 19 dhe ndikimin e tij ndaj shëndetit mental, fizik, marrëdhënieve shoqërore dhe shoqërisë në përgjithësi.
Çdo ditë do të publikohet nga një kolumnë të autorëve të ndryshëm mbi covid 19 dhe reflektimet e tij sociale, ekonomike, arsimore e gjetiu.
Platforma do të bëjë edhe detektimin dhe demaskimin e lajmeve të rreme në mediat e ndryshme online, duke ofruar perspektivën profesionale dhe ekspertizën se si mund të mbrohemi nga lajmet e këtilla.
Ndërsa një rubrikë e veçantë do të jetë “Turizmi vendor”, në të cilën do të publikohen informacione dhe përmbajtje tjera mediatike, që kanë synim promovimin dhe afirmimin e turizmit të Maqedonisë së Veriut, si një përpjekje modeste për zbutjen e krizës ekonomike që virusi covid 19 shkakton ndaj turizmit.
E strukturuar në përmbajtje gjithëpërfshirëse mediale, kjo platformë synon të ofrojë sa më shumë informacione cilësore, trajtime, analiza, këndvështrime dhe mesazhe profesionale me të vetmin qëllim që qytetarët të jenë sa më të informuar mbi gjendjen me virusin korona, mbi rrezikun e infektimeve dhe mbi të gjitha mbi respektimin e masave për ta parandaluar përhapjen e virusit.
Platforma do të jetë një burim të dhënash, informacioni dhe trajtimesh të verifikuara mbi pandeminë, gjithnjë në funksion të informimit të drejtë dhe në funksion të mbrojtjes së jetës së qytetarëve. Platforma Anticovid gjithashtu do të shtrihet edhe në dimensionin e trajtimit të temave tjera që ndërlidhen me funksionimin e qytetarëve në një realitet krejtësisht tjetër të diktuar nga virusi korona.