E martë, 18 Shkurt, 2025

Lajçak: Arrihet marrëveshje për agjendën e dialogut më 16 korrik

Dialogu Prishtinë – Beograd, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, u zhvillua të dielën në Bruksel përmes një video-konference.

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së Miroslav Lajçak, tha se është arritur pajtueshmëri për agjendën e takimit të radhës në Bruksel dhe elementet kryesore të procesit të dialogut.

“Jam i lumtur të them se pas Samitit të Parisit dhe takimit të sotëm midis Kosovës dhe Serbisë, dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve është kthyer në rrugë të drejtë pas 20 muajsh. Si rezultat i takimit të sotëm, ne u pajtuam për elementet kryesore të procesit dhe agjendës së takimit tonë të radhës që do të mbahet të enjten në Bruksel. Falenderoj partnerët për angazhimin konsturktiv”, tha Lajçak.

Përfaqësuesit e BE-së kishin zhvilluar takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të përfunduar me një takim të përbashkët mes dy palëve.

Hoti: Normalizimi i marrëdhënieve vetëm pas njohjes reciproke

Në një konferencë për media te dielën pasdite, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti përsëriti se dialogu nuk ka alternativë dhe se vetëm përmes dialogut mund të zgjidhën çështjet me Serbinë.

“Ne në këtë proces hyjmë për vetëm një qëllim e që është njohja reciproke dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, tha Hoti.

Ai konfirmoi arritjen e pajtueshmërisë në parim që më 16 korrik të zhvillohet takimi i parë ne Bruksel.

“Jemi të gatshëm të ulemi në çdo tavolinë të dialogut për të mbrojtur shtetësinë e Kosovës dhe për të kërkuar plotësisht normalizim të marrëdhënieve e cila vjen vetëm pas njohjes reciproke në mes të dy vendeve”, shtoi Hoti.

Sipas tij, marrëveshja finale duhet të përfshi njohjen reciproke, adresimin e çështjes të së pagjeturve, dëmet e luftës, kthimin e dokumenteve kadastrale, rregullimi i marrëdhënieve ekonomike në mes të dy vendeve, lidhjet infrastrukturore.

“Këto janë tema që do të jenë pjesë e procesit të dialogut nga e enjtja e tutje”, tha Hoti.

Hoti tha se ne Bruksel ai do të përfaqësojë shtetin e Kosovës si kryeministër, dhe bashkë me të do të jetë edhe delegacioni shtetërorë i cili përfaqëson koalicionin qeverisës, duke shtuar se gjithashtu është “shtrirë dora tek opozita që të jetë pjesë e këtij procesi”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se të dyja palët ranë dakord për temat e takimit që do të mbahet javën e ardhshme, ku do të jenë edhe fizikisht të pranishëm në Bruksel.

“Dialogu nën kujdesin e BE-së vazhdon pas njëzet muajsh. Për temat për takimin në Bruksel të enjten gjithashtu jemi pajtuar”, njoftoi Vuçiq në Instagram.

Të fundit