E martë, 11 Shkurt, 2025

OFERTA ZGJEDHORE: ZV.RYEMINISTËR MË TË DREJTË VETOJE DHE NDARJE PROPOCIONALE E BUXHETIT

Zgjedhjet përfaqësojnë një proces konkurrimi politik dhe demokratik të subjekteve politike. Ky proces demokratik konkurrimi nënkupton platformat politike të partive garuese që i ofrohen elektoratit si ofertë zgjedhore. Dinamika zgjedhore nënkupton shpalimin e kësaj oferte zgjedhore përpara qytetarëve, gjegjësisht elektoratit që pretendohet të përfaqësohet në institucionin ligjvënës, por edhe në pushtetin ekzekutiv. Në funksion të këtij pluraliteti politik, por edhe të debatit demokratik, KDP prezanton në vijim një sintezë të shkurtër të platformave politike, shtyllat kryesore të ideve politike me të cilat partitë konkurrojnë në këto zgjedhje të 15 korrikut. Kësaj radhe publikojmë sintezën e platformës politike të Partisë Demokratike Shqiptare, e cila në këto zgjedhje doli me idenë “ zëvendëskryeministrit shqiptar me të drejtë vetoje dhe ndarjes proporcionale të buxhetit”.

Autor: Bardhyl Zaimi

Partia Demokratike Shqiptare në këto zgjedhje ka dalë me idenë politike të zëvendëskryeministrit shqiptar me të drejtë vetoje që realisht ndërlidhet me idenë e ndarjes proporcionale të buxhetit. Platforma politike fokusohet në eliminimin e padrejtësive ekonomike dhe ngërthen edhe shumë dimensione tjera që ndërlidhen me pozicion e shqiptarëve në shtet, gjegjësisht barazisë së plotë të shqiptarëve në gjithë sistemin institucional. Kjo platformë përfshin edhe vazhdimësinë e Marrëveshjes së Re, që politikisht nënkupton aplikimin e demokracisë konsesuale.

Në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, Partia Demokratike Shqiptare, ka dalë me idenë politike të zëvendëskryeministrit shqiptar me të drejtë votë, idenë e parlamentit dydhomësh dhe ndarjen proporcionale të buxhetit. Këto tre kryeshtylla të idesë politike dimensionohen në gjithë strukturimin e platformës politike zgjedhore, e cila i ofrohet elektoratit shqiptar.

Platforma politike e PDSH mbarështrohet në disa kapituj, ndërkohë që hapet me programin ekonomik si prioritet kryesor në këto zgjedhje. Ky program ekonomik në kuadër të platformës politike bazohet në pozicionin e disvaforshëm të shqiptarëve në shtet që artikulohet nëpërmjet argumenteve ekonomike. “Përkundër kontributit multidimensional të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut për mbarëvajtjen e proceseve ekonomike të vendit, kthimi institucional në formë të lokalizimit të investimeve shtetërore apo investimeve private me kapital të huaj (dirigjuar nga institucionet shtetërore), në zonat e Maqedonisë së Veriut me shumicë shqiptare, të themi në rajonet e Pollogut, Verilindjes dhe Jugperëndimit, është margjinal dhe pothuajse neglizhent. Në favor të këtij konstatimi që argumenton diskriminimin ekonomik me premisa etnike në raport me shqiptarët, flasin edhe të dhënat kredibile të raportuara nga Banka Botërore apo edhe projeksionet buxhetore të shtetit në kontinuitet, kushtimisht të themi përgjatë dy periudhave tranzitore me rëndësi specifike për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, nga viti 1991 deri në vitin 2001 dhe nga viti 2001 deri në vitin 2020”, thuhet në platformën e PDSH-së.

Gjithashtu në kuadër të këtij argumentimi mbi pabarazinë ekonomike theksohet se “dallimet në zhvillim në mes rajoneve me shumicë shqiptare dhe atyre me shumicë maqedonase nxjerrin në pah evidencën e pabarazisë ekonomike që argumenton se në Maqedoninë e Veriut kemi një kufi ekonomik me premisë etnike që ndan prosperitetin dhe zhvillimin në emër dhe në llogari të popullit maqedonas nga njëra anë, nga getoizimi e varfëria në emër e në llogari të popullit shqiptar në anën tjetër, pavarësisht faktit që në detyrimet fiskale dhe obligimet e tjera juridike të gjithë qytetarët e Republikës u nënshtrohen ligjeve të njëjta”.

Së këndejmi artikulohet edhe ideja e ndarjes proporcionale të buxhetit, e cila shihet si një mundësi për krijuar një zhvillim të barbartë edhe të vendbanimeve shqiptare. “PDSH-ja në mandatin katërvjeçar do të angazhohet për eliminimin e diskriminimit të planifikuar ekonomik ndaj shqiptarëve dhe për vendosjen e mekanizmit institucional të barabarësisë në ndarjen e mjeteve buxhetore, qoftë të harxhimeve rrjedhëse, qoftë të harxhimeve të kapitalit. Kjo strategji do të realizohet me aprovimin e ligjit të vendosjes së një mekanizimi institucional që gjatë përpilimit dhe aprovimit të buxhetit mbi 30% e mjeteve buxhetore të alokohen te komuniteti shqiptar, aq sa ata kontribuojnë në buxhetin në fjalë”, thuhet në platformën e PDSH-së.

Politikisht, ndarja proporcionale e buxhetit, si në fazën e ndërtimit të buxhetit vjetor, ashtu edhe në fazën e propozimit të buxhetit për miratim, thuhet në platformë, do të kontrollohet me veto nga ana e zëvendëskryeministrit shqiptar. Posti e zëndëskryeministrit shqiptar me të drejtë vetoje, realisht ndërlidhet me ndarjen proporcionale të buxhetit, por edhe me dimensione tjera politike që kanë të bëjnë me pozicionin e shqiptarëve në shtet.

“Partia Demokratike Shqiptare do të iniciojë edhe ndryshime dhe plotësime shtesë të ligjit për funksionimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në këtë drejtim, duhet të ndryshojë pjesa e tretë e ligjit në fjalë, që përkufizon të drejtat dhe obligimet e kryetarit të Qeverisë dhe anëtarëve të qeverisë. Duke u bazuar në principet e legjitimitetit etnik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe në potencialin sovran të popullit shqiptar (aktualisht të njohur në aktet normative të kushtetutës si populli mbi 20%), ligji i ndryshuar i funksionimit të Qeverisë, do të duhet t’i garantojë partisë politike shqiptare fituese të zgjedhjeve brenda kampit politik shqiptar, të ketë mundësinë për të propozuar në Kuvend mandatarin e saj për pozitën e zëvendëskryeministrit të vetëm te Qeverisë, sipas principeve të njëjta me të cilat veprohet edhe brenda kampit politik maqedonas”, thuhet në platformën politike të PDSH-së.

Posti i zëvendësministrit definohet pikërisht në funksion të hises së buxhetit që shqiptarët duhet të marrin nga shteti, si një mekanizëm që e siguron këtë princip: ”ndarja e drejtë dhe proporcionale e buxhetit të shtetit si në fazën e projektimit të buxhetit vjetor, ashtu edhe në fazën e propozimit të buxhetit për miratim, do të kontrollohet nëpërmjet mekanizmit të vetos nga ana e zëvendëskryeministrit shqiptar”.

Pjesë e programit ekonomik është edhe ideja e rritjes së qëndrueshme ekonomike, e cila sigurohet nga korniza makro-ekonomike, duke stimuluar sektorët me përparësi krahasuese, rritje të pagës minimale në 18 000 denarë dhe pagës mesatare në 36 000 mijë denarë. Gjithashtu ky program ekonomik parasheh edhe amnistinë fiskale dhe rritjen e investitorëve vendorë dhe të jashtëm, duke e përmirësuar klimën e biznesit.

Politikat ekonomike të PDSH-së gjithashtu përqendrohen edhe në zhvillimin e sektorit të biznesit duke aplikuar masa konkrete siç janë: shkurtimi i procedurave për regjistrim elektronik, lirimi nga tatimi në fitim për 50% për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që janë të orientuara nga eksporti si dhe Subvencionimi me deri 30,000 euro dhe mbështetje e vazhdueshme konsultative për kompanitë “Start-up” – në veçanti nga të rinjtë.

Një dimension tjetër i kësaj platforme është edhe zhvillimi i agrobiznesit dhe industrisë ushqimore, zhvillimi i infrastrukturës publike, e cila është operacionalizuar me investime dhe ndërtime konkrete në të gjitha vendbanimet shqiptare. Zhvillimet i turizmit dhe ekologjia gjithashtu janë aspekte të rëndësishme të kësaj platforme politike.

Shëndetësia, arsimi dhe kultura gjithashtu trajtohen në detaje në këtë platformë, duke dhënë zgjidhje dhe investime konkrete për secilin qytet shqiptar, por edhe duke e dimensionuar këtë synim në tërësinë shtetërore.

Pjesë e kësaj platforme, si vazhdimësi, është edhe Marrëveshja e Re, e cila nënkupton aplikimin e demokracisë konsesuale. Në këtë drejtim mbetet edhe barazia e plotë e shqiptarëve në sistem, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe pa segregime fyese, përfaqësimi adekuat i kontrolluar, decentralizimi i njëmendtë etj.

 

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Të fundit