Si sot para 31 vjetësh, kryetari i atëhershëm i Serbisë, Slobodan Milosheviq, ka mbajtur fjalimin e tij luftënxitës për të cilin thuhet se ishte fillim gjakderdhjes dhe i shpërbërjes së federatës jugosllave. Përpara disa qindra mijra serbëve të sjellur gjithandej, në Gazimestan, Milosheviqi, në 600-vjetorin e betejës së Fushë Kosovës, porositi se nuk përjashtohen as betejat e armatosura. Autonomia e Kosovës ishte e suprimuar e pak më vonë krisi lufta. Vozhdi serb përfundoi në Gjykatën e Hagës për krime të luftës në ish-Jugosllavi.
Autor: Seladin Xhezairi
Fjalimin e Milosheviqit më 28 qershor të vitit 1989 në Fushë Kosovë shumëkush e interpretoi si paralajmërim të luftës dhe fillim të betejës për zgjerim territorial dhe ripërkufizim të kufijve të Jugosllavisë së atëhershme që ishte e mbërthyer nga intoleranca ndëretnike me bekimin e Beogradit zyrtar dhe që pikënisjen e kishte në Kosovë.
‘Gjashtë shekuj më vonë, sot, sërish jemi në beteja dhe para betejave. Ato nuk janë të armatosura, ndonëse edhe të tillat nuk përjashtohen ende, por pa marrë parasysh se çfarë janë, ato beteja nuk mund të fitohen pa vendoosmëri dhe guxim dhe sakrifica, pa ato tipare të mira që atëherë moti ishin të pranishme në Fushë Kosovë.’
Pati deklaruar Slobodan Miloshevi përpara masës së tubuar e në prani të krerëve të ushtrisë e policisë jugosllavo-serbe, por i bojkotuar nga udhëheqja politike, gjysmë e shpartalluar dhe diferencuar, e shqiptarëve të Kosovës: ‘Qëllimi i Milosheviqit ka qenë serbizimi i Jugosllavisë: Kinse mbrojtja e serbe e faktikisht ai ka desht me strukturën e vet me marrë në dorë krejt Jugosllavinë’ – ka deklaruar tri dekada pas fjalimit, Kaqusha Jashari një politikane e kohës që mospajtimin me politikën serbe nuk kishte pasur frikë t’i thotë Milosheviqit as edhe në Beograd ku kishte filluar beteja për suprimimin e autonomisë së Kosovës.
Fajlimi i Milosheviqit përshpejtoi krizën në Jugosllavi që u përshkallëzua në një luftë të përgjakshme me epilog më tragjik në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. Fjalimi u paraqit edhe si provë në Gjykatën e Hagës ku përfundoi dhe vdiq në vitin 2006. Ibrahim Rugova që pikërisht u imponua si lider i shqiptarëve në ish-Jugosllavi e cilësoi tubimin si një manifestim shovinist: ‘Vetëm mund të paralajmëroj serbët se përherë kur ndonjë popull i vogël, sepse edhe serbët janë popull i vogël, është përpjekur të imponojë sundimin në Ballkan, kjo ka përfunduar me tragjedinë e tij,’- pati thënë presidenti Ibrahim Rugova. Shumëkush, edhe nga kjo distancë, thotë se zhvillimet e mëpastajmë i dhanë plotësisht të drejtë.