E shtunë, 20 Prill, 2024

ZIGZAG: LIRIA E MUNGUAR

Miku im Velibor Çoviq më cyti t’ju rikthehem kushedi pas sa vitesh ‘Këngëve të Ali Binakut’ të kënduara, të shkruara, nga Radovan Zogoviqi e të përkthyera aq mjeshtërisht, besoj nga Esad Mekuli, ky luftëtari për lirinë tonë të munguar në ish-Jugosllavi. Këngët janë cilësuar si një protestë ezopiane, nga vet autori, por edhe si një dëshmi burrërie e krenarie. Çoviqi, në fakt ka bërë një dokumentar me metrazh të gjatë për refugjatët nga Kosova të cilët gjetën strehim, më 1999, në Mal të Zi…

 

Autor: Seladin Xhezairi

 

Frymëzimin për këtë Zigzag, ma dha filmi i mikut tim, Velibor Çoviq, ‘Ishte dhjetë vjeçe’, një rrëfenjë për krajatat e refugjatë nga Kosova, në fundt të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Dokumentari çelet me vargjet e poetit malazez Radovan Zogoviq (1907- 1986) nga poema e tij ‘Këngët e Ali Binakut’ të cilat në shqipe na i pati sjellur i madhi Esad Mekuli. Në të është përshkruar fati ynë tragjik, por dhe qëndresa heroike, apo, sikundër citohet vet autori, poema vjen si një ‘protestë ezopiane kundër politikës serbomadhe’ të kohës:

I rrëzuen gardhiqet e mija si të lashtat,
i shkelën gardhiqet e mija si të lashtat e ndeme;
i shkelën livadhet e mija të blerueme
si rrushin.
Livadhi pranveror është si uji i kthejlltë i blertë-
sa dielli mos me turbullue me gishtat e vet;
livadhi bardhë-lulue si bora e parë-
sa zogu gjurmën mos me lanë mbi të;
era mos m’u valvitë mbi barin e vesuem-
mos me gafrrue!
I rrëzuen gardhiqet e mija si të lashtat,
i shkelën livadhet e mija si rrushin.
Këmba ime kurrë nuk shkeli mbi gardhin e tij,
këmba ime kurrë nuk la gjurmë në livadhin e tij
(as kur ka borë mbi të deri në gju),
as dhuja ime kurrë
nuk hypi në gardhin e tij pipat e murrizit m`i ndukë.
Në livadhin tim qinda rre si mbi borën e vjeme.
Dhe shih, kalon ai si dje nën degët e rëndatë qershive
të mija,
ndalet dhe degën shqyen,
e asaj, si gjerdanit të këputun,
iu dridhën dhe iu derdhën inxhinjtë e kuq të qershive.
Dhe plaga ku dega u shqye
u mbush me gjak.

Ti rikthehemi filmit ‘Isha dhjetë vjeçe’: Fjala është për Edita Bujupajn, kryeprotagonistjen – nga tavolina e montazhit e së cilës shpërfaqet gjithë golgota kosovare e fundshekullit të kaluar dhe kujtesa për atë kohë, kur nën trysninë e forcave ushtarako policore serbe, ndodhi dyndja e paparë, kur Kosova praktikisht u boshatis: shumica e shqiptarëve gjetën strehim në Shqipëri, Maqedoni dhe në Mal të Zi. Në këtë të fundit u vendosën mbi 100 mijë. Edita më 1999 ka qenë dhjetë vjeçe, tash punon në një televizion të Prishtinës.

Rrëfenjat e dokumentarit janë dëshmi rrënqethëse për krajatat nëpër të cilat kaluan, por edhe provë e mikpritjes dhe bujarisë. Gjurmëve të kësaj fotoje, një foshnjë në krahët e nënës, të lindur këtu e njëzet vjet më parë në spitalin e Rozhajës në Mal të Zi, skenaristi dhe regjisori Velibor Çoviq e gjenë atë, në lulen e rinisë, në qytetin e Pejës: ‘Gjatë xhirimeve në Kosovë unë kam hyrë në të paktën 50 shtëpi. Nga secila familje kam dëgjuar të thuash të njëjtat fjalë: për burrërinë dhe besën. Në kujtesën kolektive u ka mbetur e ngulitur çdo hollësi nga ato ditë. Kujtimet e veta ua kanë lënë amanet edhe fëmijëve të tyre, njësoj si e ëma e kësaj vashe’. E, vasha me emrin Ejolla Muriqi, nuk nguron ta pranojë këtë edhe përpara syurit të kameras: ‘Kur do të fejohem, do të shkojë të marrë çertifikatën time në Mal të Zi dhe do të takoj maminë Jelena Veriq dhe doktoreshën Almina Daciq të cilat kanë ndihmuar lindjen time’. Në filmin dokumentar të Velibor Çoviqit, premiera e të cilit këto ditë u mirëprit në një festival ndërkombëtar të Podgoricës, defilojnë dëshmi autentike, me xhirime të ngjarjve e të 1999-ës që, në fakt, në rastin konkret, provojnë thënien e urtë të Mark Milanit për burrërinë e trimërinë, malazeze, gjithësesi!

Të fundit