E mërkurë, 26 Mars, 2025

Cakaj pas takimit me Grenell: Nuk ka plane për ndarje të Kosovës

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, tha se ka biseduar me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell për rëndësinë e një marrëveshjeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Cakaj tha se “nuk ka plane për ndarjen e Kosovës dhe as shkëmbime territoriale apo nxitime për një marrëveshje të dëmshme”.

https://www.facebook.com/cakajgent/posts/2654188244850800

Më 27 qershor, me ftesë të ambasadorit Grenell ishte paraparë të mbahej takimi midis delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Takimi ishte parë si rinisje e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i cili është ndërprerë qysh në fund të vitit 2018, pasi Kosova u ka vënë taksë 100 për qind mallrave të importuara nga Serbia, për shkak të fushatës së saj kundër pavarësisë së Kosovës.

Por, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e anuloi pjesëmarrjen në takim. Kjo ka ndodhur pasi Zyra e Prokurorit Special në Hagë ka paraqitur të mërkurën aktakuzë për krime lufte kundër Thaçit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Pjesëmarrjen në takim e ka anuluar edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, tha se pret që takimi midis dy palëve të ricaktohet së shpejti.

Të fundit