E enjte, 12 Shtator, 2024

BARDHYL ZAIMI: FUSHATA NËNKUPTON KRITIKA, POR TË ARGUMENTUARA (video)

Në një intervistë për emisionin “99 minuta” të TV Klan-Maqedoni, publicisti Bardhyl Zaimi, ka theksuar se për shkak të pandemisë fushata zgjedhore për zgjedhjet e 15 prillit në Maqedoninë e Veriut, do të jetë krejtësisht ndryshe dhe do të zhvillohet më tepër në media, sidomos në mediat online dhe rrjetet sociale. Fillimin e fushatës, ai e ka parë, si akoma të pa strukturuar nga ana e partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje. Sipas tij, në fillim të fushatës janë vërejtur kakofoni mesazhesh, ndërkohë që ka vlerësuar se gjatë periudhës që vjen subjektet politike me siguri që do të jenë më kreative në transmetimin e mesazheve kryesore politike përpara elektoratit që e synojnë.

Sipas Zaimit, gjithë fushata zgjedhore duhet të shihet në kuadër të strategjive zgjedhore, në kuadër të betejës politike të subjekteve garuese, të cilat do të duhet të shpalojnë përpara elektoratit vizionin e tyre politik. Në kuadër të strategjive rivalizuese politike zgjedhore, ai e sheh edhe kandidatin shqiptar në këto zgjedhje të përkrahur nga BDI, Naser Ziberin, për të cilin tha se si figurë është e denjë për konkurrim në raport me dy konkurrentët tjerë, Zoran Zaev dhe Hristian Mickovski.

Zaimi ka theksuar se mbetet shumë e rëndësishme që rivalitetet dhe kritikat gjatë fushatës të jenë të argumentuara dhe në funksion të ideve politike që shpalon secili subjekt. “ Opozita është në të drejtën e vetë që të kritikojë dhe të shpalojë vizionin politik, sikundër që partitë në pushtet janë në të drejtën e tyre që të mbrojnë konceptin e tyre politik.
Sipas tij, mundësia e zgjedhjes së një kryeministri shqiptar, kryesisht do të varet nga rezultatet zgjedhore, ndërkohë që këto rezultate nuk mund të prejudukohen. Ai ka theksuar se në fazën paszgjedhore mund të ketë konvergjenca politike, të cilat në fazën e fushatës nuk mund të mendohen, sepse partitë synojnë secila të grumbullojë sa më tepër vota.

Zaimi ka theksuar se për shkak të pandemisë jehona e votuesve në këto zgjedhje do të jetë më e vogël, ndërkohë që ka bërë thirrje që subjektet politike përveç mesazhit politik duhet që të angazhohen edhe për një vetëdijësim sa më të madh të qytetarëve për respektim të protokolleve zgjedhore të vendosura nga institucionet.

Më poshtë e gjeni intervistën e plotë:

Të fundit