Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut, ka raportuar të mërkurën për tetë persona të vdekur dhe 136 të infektuar me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri, pas testimit të 1,208 mostrave në 24 orët e fundit.
Sipas raportit, viktima janë: dy nga Shkupi, dy nga Tetova, dy nga Kumanova dhe nga një nga Velesi dhe Kërçova.
Me viktimat e ditës së mërkurë, numri i përgjithshëm i personave që kanë humbur jetën, pas diagnostikimit edhe me Covid-19, ka arritur në 259.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se 395 persona, apo 11.6% e të prekurve me virus po trajtohen nëpër spitalet e vendit, ndërsa pjesa tjetër ndodhen për shërim në ambiente shtëpiake.
Edhe pse numri i rasteve të reja të infektuar me koronavirus është më i lartë sesa numri i të shëruarve, nga Ministria e Shëndetësisë thonë se spitalet e Shkupit kanë kapacitete të mjaftueshme spitalore edhe për 272 pacientë.
Në Maqedoninë e Veriut deri më tani janë testuar 54,456 persona dhe prej tyre 5,445 kanë rezultuar me Covid-19.
Numri i përgjithshëm i personave të infektuar me koronavirus në këtë shtet, që nga fillimi i pandemisë, është 5,445, prej tyre 3,095 janë aktivë ndërsa 2,091 janë shëruar.