Lideri i Alternativa-s, Afrim Gashi, tha se partia e tij u fut në qeveri në 2018-ën për të implementuar Marrëveshjen e Prespës. Ai, në emisionin “Klan Debat” të Seladin Xhezairit, tha se nuk ka dallime në orientimet strategjike me Aleancën për Shqiptarët, me të cilën kanë bërë koalicion parazgjedhor, përcjell KDP.
“Është fyese të ofendoni 50-60 mijë shqiptarët që na kanë votuar duke u thënë se e keni trupin këtu e kokën atje. Ne u bashkuam me ASH sepse nuk dëshirojmë të jemi të përçarë. Në 2016 BDI kishte 86 mijë vota e mori 10 deputetë, a opozita me 120 mijë vota më pak. Ne dëshirojmë ta dëshmojmë se në politikë nuk jemi për qëllime personale, por për të mirën e përgjithshme. Kjo shihet në programin “Shtet për të gjithë” i përkrahur nga partia jonë dhe ASH. Ky program dhe qëllimet e përbashkëta na kanë bashkuar”, tha Gashi.
Koalicioni ASH-AAA, sipas tij, në këto zgjedhje është përcaktuar t’u qaset votuesve në atë mënyrë që “t’i bindë se tash është koha të jenë të barabartë, të kenë kushte më të mira, ekonomi më të mirë, kanalizim, ujësjellës. Neve na duhen platforma mbipartiake për probleme të mëdha për qytetarin”.
“Është turp tetovari të mos ketë ujësjellës, kurse haraçinasi kanalizim. Është koha të mendojmë se si mund të hapim vende të reja të punës – këtë mund ta bëjmë me 25 mijë vende pune brenda një mandati”, theksoi Gashi.
I pyetur për të komentojë koalicionin LSDM-BESA, Gashi me përgjigje: “Koalicioni i LSDM me partitë e vogla bën garë për kampin maqedonas, kurse të shqiptarët garon BDI dhe koalicioni ASH-AAA. Shqiptarët kanë dy opsione – BDI dhe ASH-AAA.”
Shqiptarët në Maqedoni, nënvizoi Gashi, “nga 2002 janë të përfaqësuar vetëm nga një parti politike”. “Rezultatet janë ato që janë, unë nuk dua të flas për këtë, do të flasin vetë qytetarët. Në zgjedhjet e 15 korrikut shqiptarët duhet të flasin e të vendosin nëse e duan ndryshimin, apo status quo-në, a duan të vazhdojnë me këtë përfaqësim apo dëshirojnë një periudhë të re të ndryshimit”.
“Ne si Alternativë kemi dëshmuar qeverisjen e mirë me Ministrinë e Kulturës. Nuk mund të flas për ASH. Por, kur kemi bërë programin parazgjedhor i kam lutur që të mos premtojmë diçka që nuk mund të realizojmë”, tha Gashi.
Duke folur për menaxhimin e pandemisë me koronavirusin, Gashi vlerësoi se investimi në shëndetësi nuk duhet të jetë prioritet i një partie, por i shtetit.
“Kjo është një çështje që nuk mund të shihet si etnike. Neve na duhen strategji mbipartiake dhe mbietnike për zhvillim të shtetit në të gjitha segmentet. Çdo parti ka plane si të fitojë zgjedhjet e ardhshme, e jo si ta zhvillojë shtetin. Çdo parti duhet të japë kontributin e saj për zhvillimin e shtetit, jo vetëm për të fituar zgjedhjet.”
Gashi komentoi edhe idenë e Ahmetit për kryeministër shqiptar. “Kryeministri u promovua si ëndërr e një partie. Votuesit më 15 korrik duhet të zgjedhin midis ëndërrave dhe programit tonë konkret”.
Intervistën e plotë e gjeni në videon më poshtë:
https://www.facebook.com/KlanMacedonia/videos/989543708164487/