E diel, 8 Shtator, 2024

ZIGZAG – NENAD KULAÇIN: NUK BESOJ SE MUND TË KETË SHKËMBIM TERRITORESH KOSOVË-SERBI

Autor: Seladin Xhezairi 

Të dielën në Serbi mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe lokale në të cilat të gjitha sondazhet nxjerrin fituese partinë e presidentit Aleksandar Vuçiq. Këto zgjedhje mbahen 20 vjet pas zgjedhjeve të para parlamentare në të cilat u rrëzua nga pushteti Slobodan Milosheviq i cili më pas, për shkak të rolit në gjakderdhjen në ish-Jugosllavi, sidomos në Kosovë, në fillim të viteve nëntëdhjetë, përfundoi në Gjykatën e Hagës ku edhe vdiq.

Më poshtë ju sjell një intervistë me analistin Nenad Kulaçin lidhur me debatet që kanë të bëjnë me Kosovën dhe qëndrimin serb ndaj saj. Kulaçin thotë se gjatë fushatës parazgjedhore Kosova nuk ka qenë temë mbizotëruese.

-Tek ne temë kryesore është – çfarë do të ndodhë me dialogun ndëmjet Prishtinës dhe Beogradit për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Në fakt, cilat janë parashikimet tuaja duke marrë parasysh se aktualisht kemi një garë mes Brukselit dhe Uashingtonit për arritjen eventuale të një marrëveshjeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë.

Nenad Kulaçin: Ne në fakt nuk e dimë nëse ndonjë marrëveshje e qëndrueshme edhe ekziston, për shkak se përflitet se ekziston diçka, si në mjegull, se emisarë të ndryshëm kanë punuar shumëçka gjatë periudhës së kaluar, por ajo që unë intimisht e mendoj është se ndoshta ka ardhur momenti i vërtetë që gjithë këtyre negociatave t’ju vëhet pikë dhe ngadalë të shkojmë drejt normalizimit të të gjithë Ballkanit dhe të të gjithë këtij rrëfimi. Ajo që mua më ka dëshpëruar dhe prekur shumë është se përfundimisht Brukseli është i paaftë dhe nuk ka fuqi që të realizojë çfarëdo lloj marrëveshjeje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Këtë e them në bazë të më shumë situatave: E dimë se pala serbe është e pakënaqur pse Marrëveshja e Brukselit nuk po zbatohet në atë pjesën që ka të bëjë me Bashkësinë e Komunave Serbe. Beogradi është i pakënaqur që Brukseli nuk bëri presion të fuqishëm mbi Kosovën lidhur me çështjen e vendosjes së tarifave për mallrat nga Serbia dhe kjo zgjati pafundësisht. Nga ana tjetër, as pala kosovare nuk është e kënaqur me Marrëveshjen e Brukselit, për disa pjesë të saj, si dhe as me politikën e Beogradit zyrtar ndaj ç’njohjehs së pavarësisë së Kosovës. Dhe, kur keni një administratë e cila nuk mund të realizojë disa hollësi teknike, atëherë patjetër se do përzihet dikush tjetër të cilit i ka ardhur majë hunde ai ‘guri në këpucë’. Ajo që mbase ndikon në gjithë këtë rrëfim, sadoqë ne të na duket se Amerika nuk është e interesuar për të gjithë ne këtu, së bashku, dhe as që duan të dëgjojnë për shkak se kanë problemet e veta, sidomos presidenti Trump tani, sipas disa infomacioneve që kemi edhe ne këtu në Serbi, thelbi është se Trump dëshiron të poentojë me Kosovën pikërisht për shkak se administrata e demokratëve, Klintonit dhe Obamës, nuk ia doli të zgjidhë çështjen e Kosovës dhe thjesht, tani në këtë situatë kur pandemia e koronaviorusit ka mbërthyer gjithë botën, nuk besoj se presidenti Trump nuk është i interesuar të zgjidhë problemin e Kosovës dhe të thotë ‘ja, ju demokratët nuk ishit të aftë ta zgjidhni as këtë problem të vogël, kurse ne e zgjidhëm pa ndonjë problem të madh’. Prandaj, unë vërtet dëshiroj që t’i vëhet pikë gjithë kësaj. Nuk shikoj se çfarë mund të fitojë Beogradi – kjo që Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq vazhdimisht flet se ‘ne vazhdimisht duhet të fitojmë diçka’. Nuk besoj se mund të ketë ndonjë shkëmbim territoresh. Mendoj se kundër kësaj është sidomos Evropa, por kush e di, ndoshta ekziston ndonjë paketë, ndoshta ekziston diçka, por ajo që ndoshta mund të jetë njëfarë zgjidhjeje është që, si dhe shumë punë të cilat janë bërë në Ballkan, të ndodhë diçka në heshtje, që Beogradi thjesht të heqë dorë nga politika e vet e anulimit të njohjeve të pavarësisë, kurse Kosova, si kompensim për këtë, të shfaqë më shumë kujdes për komunitetin serb në Kosovë dhe atëherë ne Beogradi ka për të përsëritur refrenin ‘nuk do ta njohim kurrë Kosovën e pavarur, por edhe nuk do të kundërshtojmë që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, sepse ne jemi të vegjël dhe nuk mund ta pengojmë’.

-Thoni se Brukseli është i paaftë të bëjë çfarëdoqoftë lidhur me këtë çështje. Këto ditë shefi i diplomacisë gjermane deklaroi se zgjidhja për Kosovën duhet të gjendet në Bashkimin Evropian e jo diku tjetër. Po ashtu, nga pala serbe, gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm rus në Beograd, u përsërit se nuk mund të arrihet kurrfarë zgjidhje pa pëlqimin edhe të Moskës zyrtare!

Nenad Kulaçin: Le t’i shikojmë gjërat kështu: Unë nuk e di kush do të jenë negociatorët, por po them, nëse Beogradi dhe Prishtina zyrtare, më 27 qershor në Uashington nënshkruajnë çfarëdo qoftë, çfarëdo qëllimi, çfarëdo dokumenti, unë nuk shikoj mënyrë dhe arsye pse Bashkimi Evropian dhe Rusia të shqetësohen nëqoftëse të dyja palët kanë rënë dakord. Ata mund të kenë hesape të paspastruara me Uashingtonin, por nëse merren vesh Beogradi dhe Prishtina, unë nuk shoh ndonjë arsye që Evropa të vazhdojë të imponojë çfarë do qoftë si vullnet të vetin, se pse ka kaluar shumë kohë – nga njëra anë, kur është fjala për Brukselin, kurse nga ana tjetër Moska e ka atë qëndrimin e vet se ajo do t’i dalë në krah kësaj mbrojtjes serbe të Kosovës deri në vijën e ineteresave të saj. Është përsëritur disa herë qëndrimi se nuk do të ketë asgjë kundër marrëveshjes nëse atë e pranojnë edhe Beogradi e Prishtina. Ky është mendimi im natyrisht, nëse ndodhë diçka epokale në Uashington, nuk shoh ndonjë arsye që Brukseli të mund ta kontestojë. Moska mbase mund ta kontestojë për t’u inatiosur edhe më tej me gjithë botën për arsye të veta, por nëqoftëse këtë e firmos dikush në emër të Beogradit, atëherë nuk shoh arsye se implementimi i asaj që do të nënshkruhej, mund të vëhet në në pikëpyetje në çfarëdo lloj mënyre.

-T’ju pyes, në fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të së dielës, tek ju në Serbi, sa është e pranishme tema e Kosovës?

Nenad Kulaçin: Është një pyetje mjaft interesante. Kosova absolutisht nuk është temë e këtyre zgjedhjeve. Kanë ndodhur disa gjëra tepër interesante kur është fjala për Kosovën, të them edhe Metohija, për shkak se kjo në Serbi nuk ndahet dhe nëse ndahet ju vlerësojnë si ‘tradhëtar’ dhe mund të shpalleni ‘tradhëtar i vendit dhe mercenar i jashtëm’, por një detaj interesant ndodhi kur u paraqit një spot i Partisë Përparimtare Serbe për këto zgjedhje, i titulluar “Për Fëmijët tanë” dhe ky spot paraqiste hartën e Serbisë bashkë me Kosovën, fillonte nga Subotica dhe të gjitha shkrimet “Për fëmijët tanë” nga Subotica, Novi Sadi etj. përfundojnë me Vranjën. Vranja ishte bosh. Dhe, natyrisht, kjo u kuptua si mesazh i qartë kur është fjala për Kosovën. Ne, sa jemi në dijeni, për zgjedhjet për parlamentin serb, në Kosovë do të happen, nuk e di sa vendvotime, por nga ana tjetër e dijmë se pushteti lokal zgjidhet sipas ligjeve të Kosovës e jo sipas ligjeve të Serbisë, për shkak se po të ishte ndryshe, ne do të kishim zgjedhje lokale, të paktën në ato komuna me shumicë serbe. Nga ana tjetër, Ivica Daçiq u referohet në rezultateve të suksesshme të punës së tij katërvjecare dhe pikërisht ajo politikë e tërheqjes së njohjeve të Kosovës dhe në këtë segment është përmendur dhe absolutisht Kosova këtu nuk është temë dominante. Ashtu siç pritej, Marko Gjuriqi foli rreth kësaj teme dhe ajo që është interesante ministri i Mbrojtjes Aleksandar Vulin nuk ka thënë asnjë fjalë për Kosovën. Kështu që, në këto zgjdhje Kosova nuk është temë dominante, por edhe zgjedhjet nuk janë dominante, për shkak se rezultati tashmë dihet dhe ajo që mbetet enigmë është se cilin nga opozita Vuçiqi do ta çojë në Parlament, që të mos i bëjë probleme supozojmë rreth Kosovës. Ndryshe, Kosova, sipas shumë hulumtimeve, është në nivelin më të ulët të interesimit të qytetarëve të Serbisë. Në vendin e parë janë temat ekonomike. Natyrisht, nëpër debate nuk mungojnë pyetjet ‘çfarë mendoni për Kosovën, si do të zgjidhet çështja e Kosovës?’, por larg asaj që ajo të jetë temë dominante.

Të fundit