E shtunë, 15 Mars, 2025

RRITJE ALARMANTE E TË INFEKTUARVE, NUK PËRJASHTOHET MUNDËSIA E RIKTHIMIT TË MASAVE

Maqedonia e Veriut po shënon rritje alarmante të të infektuarve me Covid 19. Ministri Filipçe thotë se menaxhimi me virusin po ecën mirë, por nuk e përjashton mundësinë për rikthimin e masave restriktive. Sipas tij, vala e dytë e infeksionit tani me dinamikë të ngjashme i ka prekur edhe vendet fqinje

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka theksuar se për momentin Komisioni për Sëmundje Infektive vlerëson se nuk ka nevojë për rikthimin e masave restriktive, por që nuk përjashtohet si mundësi rikthimi i kësaj mase nëse trendi i rasteve të reja me koronavirusin e ri vazhdon të rritet.

Krahas rritjes së vazhdueshme të numrit të të infektuarve të rinj, ministri i shëndetësisë thekson se menaxhimi i krizës korona në vend ecën mirë dhe se vala e dytë e infeksionit tani me dinamikë të ngjashme i ka prekur edhe vendet fqinje.

Që të sigurohen shtretër të mjaftueshëm në spitale dhe kuadër për mjekimin e të sëmurëve nga Covid-19 janë të përfshira edhe tre spitale private, edhe pse për momentin nuk është plotësisht e qartë kush do ta paguajë llogarinë. Për hapjen e aeroporteve sipas Filipçe ende është herët, posaçërisht pasi që rritet numri i të infektuarve të rinj në vendet fqinje.

Një ekip i ri prej pesëdhjetë mjekëve dhe motrave medicinale nga institucionet më të vogla në vend janë shpërndarë në Klinikën infektive dhe në spitalin “8 Shtatori” në Shkup, ku është presioni më i madh nga numri gjithnjë në rritje i të sëmurëve me Covid-19. Kjo vjen si mbështetje dhe zëvendësim i kuadrit të lodhur pas luftës katër mujore me sëmundjen. Pikërisht për shkak të plotësimit të kapacitetit të spitaleve, ministri i shëndetësisë Venko Filipçe u bën thirrje qytetarëve.

“Punonjësit shëndetësorë nuk kanë shkuar në shtëpi me muaj të tërë, janë të ekspozuar në rrezik të madh, punojnë me turne të gjata për të shpëtuar çdo jetë dhe këtë si qytetarë të gjithë ne duhet ta respektojmë. Secili mund të ndihmojë duke i ndjekur tre rekomandime të thjeshta – maskë, distancë dhe dezinfektim. Ju lutem t’i respektoni këto masa që punonjësit shëndetësorë të mund të marrin frymë, të lirohen nga presioni sepse kjo është mënyra e vetme që t’i jepet fund kësaj krize”, thekson Filipçe.

Filipçe edhe më tej thotë se është i kënaqur nga mënyra si identifikohen edhe izolohen kontaktet në mes të të infektuarve, numri i të cilëve është më i madh në Shkup, ndërsa nga lagjet, në Çair. Sipas tij, në këtë riorganizim të kapaciteteve do të kyçen edhe tre spitale private, të cilët prej tash pacientët e tyre që do të vërtetohet se janë pozitivë në Covid -19 do t’i mbajnë në izolim në këto spitale në vend që të barten në spitalin “8 Shtatori”, siç ka qenë deri më tash.

“Vala e dytë erdhi pak më herët se sa e prisnim, megjithatë siç duket ky është një trend çdokund në rajon . Për momentin nuk vjen parasysh vendosja e serishme e restrikcioneve, por nuk mund ta përjashtoj mundësinë. Absolutisht. Epidemiologët mendojnë se me këtë qasje intensive të analizimit të kontakteve, testimit dhe vënies në izolim në periudhën që vjen do të arrihet rezultat”, thotë ai.

Filipçe ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë bërë 1391 testime, kurse janë regjistruar 193 raste të reja me Covid 19. Në Shkup janë 140 raste,  në Tetovë 19, Ohër 11 raste, Shtip  6, Strugë  5, Gostivar  4, Kumanovë, Veles, Resnjë nga 2 dhe nga 1 rast në Dibër dhe Sveti Nikollë.

Në Klinikën Infektive kanë ndërruar jetë tre persona nga Shkupi të moshës, 47, 78 dhe 85 vjeçarë. Në Spitalin “8 Shtatori” kanë ndërruar jetë 4 persona, dy pacientë nga Shkupi të moshës 67 dhe 69 vjeçar dhe një pacient 61 vjeçar nga Tetova, kurse në Spitalin e Kumanovës ka ndërruar jetë një 81 vjeçar.

Instituti për Shëndet Publik ka regjistruar 46 pacientë të shëruar, prej të cilëve 35 në Shkup. Në nivel vendi janë bërë gjithsej 46.445 testime, kurse sot nuk ka pasur teste në kuadër të skriningut.

Numri i përgjithshëm i të diagnostifikuarve me Covid 19 në vendin shkon në 4482, numri i të shëruarve është 1803, i viktimave 210, kurse për momentin shënohen 2469 raste aktive.

Të fundit