E mërkurë, 18 Shtator, 2024

INTERVISTË, BILALL KASAMI: VMRO-DPMNE MBETET NACIONALISTE, ME LSDM-në DO TË QEVERISIM NË KATËR VITET E ARDHSHME

Bilall Kasami, lideri i Lëvizjes BESA, në thotë se manifestimi i Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM) në Strugë gjatë kohës kur kishte ndalesë për tubime ishte manifestim i fuqisë dhe dominancës. E njëjta gjë, thotë ai, pastaj pasoi edhe me kërkesën për të festuar Bajramin, përcjell KDP. “Ky presion për faljen e Bajramit ishte si rezultat i manifestimit në Strugë, kështu që rritën numrin e të infektuarve. Çdo reagim për inat të tjetrit më shumë do ta prekë atë individ sesa tjetrin”.

Kasami, në emisionin “Klan Debat” të Seladin Xhezairit, thotë se slogani i koalicionit me LSDM-në e Zoran Zaevit – “Mundemi” ndërlidhet edhe me menaxhimin e pandemisë. “Pas zgjedhjeve, kur të kemi një qeveri politike, do të mundemi me sukses të zgjidhim këtë krizë si në aspektin shëndetësor poashtu edhe në atë ekonomik.”

Me hapjen e bisedimeve me BE, Kasami thotë se qeveria e koalicionit LSDM-BESA do të mund ta bëjë Maqedoninë e Veriut një shtet evropian. “Sllogani jonë lidhet edhe me kapacitetin për të zgjidhur çështjet me fqinjët, të cilat koalicioni VMRO-BDI nuk arritën deri në vitin 2016”.

Sipas tij, pandemia “na nxori të gjithë bërllokun e fshehur nën qilim”.

“Sistemin e shëndetësisë e kemi të pareformuar dhe jo mirë të menaxhuar. Spitalet me dy drejtorë po tregohen si joefikase, mos flasim për ato në brendësi të shtetit. Mungon investimi në kuadër mjekësor dhe specializimin e tij. Politika është ajo që duhet të krijojë kushte për zhvillimin e sistemit shëndetësor”, thotë Kasami.

Atë çka kemi mbjellë në të kaluarën, thekson ai, sot në pandemi e korrim. “Ne mund të kemi ministrin më të mirë, por nëse sistemi është i këtillë atëherë edhe rezultatet nuk janë ato që dëshirohen. Një element thelbësor i programit tonë është shëndetësia dhe ballafaqimi i suksesshëm me pandeminë. Shëndetësia është në dy prioritetet e para në qeverisjen e ardhshme të Lëvizjes BESA”.

Lëvizja BESA, thotë Kasami, nuk arriti të bëjë koalicione me partitë shqiptare por është e hapur ndaj prurjeve të reja. “Në Resnjë tërë dega e BDI-së kaloi në BESA. Nga ASH kemi ish-kryetarin e degës së Tetovës Altrim Mahmuti. Ne do të jemi parti e parë te shqiptarët”.

“Ne jemi të përkushtuar të mbledhim sa më shumë individë, organizata dhe grupe qytetarësh rreth konceptit të BESËs. Kemi dhjetëra prurje të reja të cilat nuk kanë qenë më herët në politikë”, tha Kasami.

Lidhur me deklaratën e para 6 muajve, ku ka thënë se është herët për koalicione parazgjedhore shqiptaro-maqedonase, Kasami përgjigjet: “Situata politike është më e komplikuar sesa një imazh bardh e zi. Ne kishim një koalicion të tillë ku BDI ishte në koalicion me LSDM, si në zgjedhje lokale poashtu edhe në ato presidenciale. Unë kisha një takim transparent me liderin e VMRO-DPMNE duke menduar se kemi një parti të reformuar. Por, kjo parti ngelet në koncepte nacionaliste maqedonase. Ne shkuam në koalicion pasi LSDM pranoi kërkesat e BESËs”.

Ai tha se BDI është në koordinim me VMRO-DPMNE dhe se kjo është parë gjatë caktimit të datës së zgjedhjeve.

 

Për më shumë shiheni videon më poshtë:

https://www.facebook.com/KlanMacedonia/videos/327067021631337/

Të fundit