Sipas një ankete mbi 99 për qind e kompanive janë prekur nga kriza e Covid 19. Të anketuarit janë shprehur se ballafaqohen me problemin e zvogëlimit të të ardhurave nga 80 deri më 100 për qind që nga fillimi i krizës. Ndërkohë, qeveria ka miratuar 476 kredi të reja për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në vlerë 5.14 milionë euro nga kreditë pa interes. Përqindja e kompanive që përmbushin kushtet mbetet e vogël, afërsisht 19 për qind
Autore: Xhumadije Ibrahimi
Deri më tani Banka për Zhvillim ka ndarë 7.13 milion euro nga linja e kreditit pa interes “Covid 2”, ka bërë të ditur ministrja e Financave Nina Angelovska në profilin e saj në Facebook. Fondet, sipas saj, janë ndarë për 593 ndërmarrje me 10.108 të punësuar. Problemi kryesor me të cilin përballen kompanitë për momentin është likuiditeti. Shumë kompani kanë gjeneruar fatura në bazë të detyrimeve për dhënien e shërbimeve ose shitjen e produkteve, megjithatë pagesë ende nuk ka, sepse llogariten si jolikuide, thotë kryetarja e Shoqatës së Odave Ekonomike të Maqedonisë, Angella Arsovska në një intervistë për REL.
“Së bashku me linjën ‘Covid 1’, deri më tani, përmes huave pa interes në vlerë prej 12.67 milion euro, janë mbështetur 1.331 ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme me 16.632 të punësuar”, shkruan Angelovska.
Ndërkohë qeveria ka miratuar 476 kredi të reja për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme me vlerë 5.14 milion euro nga kreditë pa interes “Covid 2” përmes Bankës për Zhvillim të Maqedonisë së Veriut. Këto kompani punësojnë 7.107 persona. Gjatë kësaj periudhe, kemi pasur ndryshime ligjore më shumë se kurrë, krahasuar me vitet e kaluara, prandaj kompanitë, në kohë të korona-krizës kanë probleme të adaptimit me kushtet e reja dhe si rezultat nuk i plotësojnë kushtet për të aplikuar për dëmshpërblim nga shteti, thotë Angella Arsovska, kryetare e Shoqatës së Odave Ekonomike. Ajo thotë se mbi 99 për qind e kompanive janë prekur nga kriza, ndërsa vetëm 19 për qind prej tyre i përmbushin kushtet për aplikim.
“Me likuiditetin luftojnë rreth 65 për qind e kompanive. Nga analizat e anketave, 81 për qind të kompanive nuk mund të adaptohen në kushtet e reja, gjegjësisht nuk mund të funksionojnë në mënyrë alternative, kurse 19 për iqnd, ose paraprakisht janë përshtatur, ose tani, gjatë krizës sepse puna që kanë ia lejon atë. Por 99.1 për qind të të anketuarve u shprehën se ballafaqohen me problemin e zvogëlimit të të ardhurave nga 80 deri 100 për qind nga fillimi i krizës “, thotë Arsovska.
Sa i përket ndihmës me të ardhurat për punëdhënësit, gjegjësisht, ndihma prej 14.500 denarë për të kontribuuar në rrogat e punëtorëve, të cilat nuk janë dedikuar për pagesë minimale, sepse kjo shumë nuk e plotëson as rrogën minimale, është ndarë për muajin prill, kurse në vijim pritet të lëshohen edhe për muajin maj.
“Deri në këto momente, janë realizuar pagesa për të ardhurat të cilat ishin dedikuar për ndihmë të rrogave për muajin prill, gjegjësisht, këto nuk janë dedikuar për rroga, por për ndihmë financiare për punëdhënësit, të cilat do të duhej të përdoren për ndihmë të konsiderueshme për sektorin e rrogave sepse, siç e dini, 14500 denarë bruto nuk janë të mjaftueshme as për rrogë minimale. Besoj se këto të ardhura janë të mirëseardhura për kompanitë, jo vetëm se kanë problem me likuiditetin, sidomos kompanitë të cilat kanë qenë të mbyllura gjatë kësaj periudhe, sepse rrogat nuk janë harxhimet e vetme të një kompanie”, thotë Arsovska.
Edhe pse odat ekonomike kërkuan nga qeveria ndihmë për kompanitë, gjegjësisht, rroga minimale për të punësuarit, edhe për muajt qershor dhe korrik, qeveria miratoi një gjë të tillë vetëm edhe për muajin qershor.