E shtunë, 24 Maj, 2025

HIQET GJENDJA E JASHTËZAKONSHME, ÇKA TASH?

Në mesnatë përfundoi gjendja e jashtëzakonshme e vendosur më 18 mars dhe e vazhduar katër herë, si rezultat i pandemisë së koronavirusit. Heqja e gjendjes ndërkaq nuk përkon me uljen e kurbës së sëmundjes vdekjeprurëse, e as me ndonjë marrëveshje mes liderëve politik për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlametare. Burime të Televizionit Klan thonë se ka shumë gjasë që krerët e shumicës së partive politike të bien dakord që të caktojnë një datë mes dhjetë e 15 korrikut.

Autor: Seladin Xhezairi.

Gjendja e jashtëzakonshme skadoi. Konform dekretit të Qeverisë me fuqi ligjore, për shkak se Parlamenti është shpërndarë, zgjedhjet do të duhej zhvilluar më pesë korrik. Ndonëse takimi monoetnik i liderëve të dy forcave kryesore maqedonase, VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, në Presidencë, tek shefi i shtetit Stevo Pendarovski, nuk prodhoi lajmin e rënies ujdi për datën e zgjedhjeve, prapëseprapë, burime të afërta me të dyja palët, lënë të kuptohet se Zoran Zaevi e Hristijan Mickoski do të mund të përafrojnë qëndrimet që zgjedhjet për legjislaturën e dhjetë të Maqedonisë së pavarur të zhvillohen diku mes pesë e 15 korrikut.

Dhe, po të merret edhe si e mirëqenë kjo datë, duket se  partitë në pushtet dhe ato në opozitë që tashmë kanë aleatë parazgjerorë, nuk do të mund të mburren përpara votuesve as me efektivitetin e gjendjes së jashtëzakonshme – me masat që nënkupton ajo, por as edhe me menaxhimin e pandemisë së koronavirusit. Aktualisht, Maqedonia e Veriut ka një numër treshifrorë të të infektuarëve dhe në raport me fqinjët, për momentin, mbanë një rekord të palavdishëm e të hidhur: Numri i të prekurve ka shkuar në rreth 3.900 ndërsa i viktimave  – 179. Bilanci iu referohet të dhënave zyrtare të së shtunës.

Debatet dhe përplasjet të shkohet me çdo kusht në zgjedhje sikur përçojnë mesazhin tek qytetarët se: duhet të mësohemi me koronavirusin. Mirëpo, kjo nuk i amniston autoritetet shëndetësore e politike, ekzekutive, qëndrore e vendore, nga përgjegjësia që deklarimet e tipit ‘shëndeti mbi të gjitha’ të mos mbeten retorikë boshe, për shkak se murtaja e quajtur Covid-19 shpërfaqi me gjithë vrazhdësinë e vet mungesën e një sistemi të atillë shëndetësor që do t’i përballojë të gjitha sfidat. Prandaj, është për t’u pritur që të paktën në këto zgjedhje të dilet me programe të cilat sistemin e shëndetësisë do të bënin vërtet të shëndetshëm, në të gjitha shkallët.

Të fundit