Autor: Sefer Selimi Jr.
Dhe përnjëherë filloi debati për ‘’Kryeministrin e parë shqiptar’’. Duhet pranuar që ky ishte një truk PR-i politik që i kapi në befasi të gjithë dhe me qenë se shkrepi si vetëtima në qiell të kthjellët, reagimet në fillim ishin të përziera, të ngurta dhe me hezitim nga shumica e opinionit publik. Pastaj vazhdoi një valë mbështetjesh, akuzash, kundërshtish deri në përqeshje të idesë. Por befasia nuk ishte për shkak se kjo ide po hidhet në opinion sepse ajo asnjëherë nuk ka qenë e përjashtuar, aq më pak si një ‘’ëndërr’’ por nga fakti që një ide të tillë e hodhi Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), parti e cila në 18 vjetorin e themelimit të saj mbushi të plota 16 vite pushtet.
Dhe me të drejtë skepticizmi rreth kësaj deklarate ‘’bombastike’’ dhe kampanjës së fuqishme që ndërtohet rreth saj është pikërisht në sinqeritetin e saj. E hedhur në këtë formë në opinion të gjithë e dinë që është e pasinqertë dhe ka për qëllim vetëm të defokusoj debatin mbi çështje të cilat janë të qenësishme dhe për të cilat BDI duhet të japë llogari për qeverisjen e saj. Propaganda më e mirë ndërtohet mbi ide të thjeshta, të cilat mund të ndajnë lehtësisht njerëzit në pro dhe kundër, ne dhe ata dhe në të cilat ka shumë pak hapësirë për debat konstruktiv pa e shpallur tjetrin tradhtar.
Jo më larg se një vit më parë BDI e kishte gojën plot duke akuzuar partitë opozitare që u vendosën në mbështetje të kandidatit të pavarur shqiptar për president se po manipulojnë me qytetarët, se po bëjnë politikë me folklorizëm patriotik, se po nxisin nacionalizëm dhe po krijojnë ndasi të reja, se një kandidat i tillë pa konsensus më të gjerë nuk bën bereqet, se, se… Mjafton që vetëm të riktheheni për ta parë fushatën e kaluar zgjedhore për president dhe do ta dëgjoni nga vetë eksponentët e saj më të lartë politik se pse atëherë nga opozita dhe sot nga vetë BDI një propozim i tillë është i pasinqertë dhe manipulativ me ndjenjat e qytetarëve.
Ky debat është i inskenuar për të lënë nën hije çdo lloj debati tjetër, prandaj forma më e mirë për të mos rënë pre e këtij truku dhe për ta vendosur BDI-në para përgjegjësisë së premtimeve të dhëna elektorale dhe sfidës për programin e ardhshëm qeveritar duhet të kalohet me një përgjigje të thjesht: Kryeministri i parë shqiptar?! Po, sigurisht që po, tash hajde të flasim për gjërat serioze!
Para se BDI, por dhe partitë tjera shqiptare dhe jo vetëm, të flasin për kryeministrin shqiptar duhet të filloj me ristrukturimin e konceptit dhe veprimit politik. Është mentaliteti feudal që dominon organizimin e partive politike dhe për sa kohë një profesionist, një profesor, një mjek apo një student i ekselencës vlen aq sa ka vota në familje, lagje apo qytet partitë do të jenë përjashtuese për kualitetin e vërtetë. Meritokracia mbi vlerat profesionale në kuadër të partive politike, posaçërisht BDI-së, që rrjedhimisht reflektohet në përfaqësuesit e vertikales dhe horizontales së pushtetit është një ‘’ëndërr’’ shumë më largët se sa vetë posti i kryeministrit.
Partitë politike kanë përgjegjësinë që pritshmëritë dhe mentalitetin e gjeneratave të reja të mos e ndërtojnë mbi ndjenjën e viktimizimit, inferioritetit dhe klientelizimit partiak. Qasja ndaj pozicionit më të lartë në ekzekutivin e shtetit përmes kësaj forme është nënçmuese sepse kryeministrin e parë shqiptar e zhvesh nga çdo vlerë individuale dhe profesionale duke e lënë vetëm simbolikën, një simbolikë që mund të lë shije të hidhur – siç ka lënë disa herë në të kaluarën.