E hënë, 28 Prill, 2025

ANALIZË E KDP: PSE “KRYEMINISTRI SHQIPTAR” SHKAKTOI SHUMË REAGIME?

  • Ideja e Ahmetit ka ngjashmëri me “spitzenkandidatin” gjerman, por ka edhe një dimension tjetër – sifidimi i mendësisë politike në Maqedoninë e Veriut, e cila nënkupton vende të paprekshme për qytetarë nga etnitë më të vogla dhe vende të rezervuara për qytetarë nga etnia shumicë.

 

  • Përveç qëllimit të përgjithshëm që të fitojë zgjedhjet, me këtë propozim Ahmeti tenton të arrijë tre qëllime specifike: të sfidojë LSDM-në, e cila promovon konceptin “Shoqëri për të gjithë”; të testojë koalicionin LSDM-BESA dhe të tregojë para elektoratit shqiptar se, për dallim nga opozita, kjo parti ka një ide politike që do të mobilizojë njerëz për qëllime të mëdha.  

 

  • Reagimet e ekspertëve dhe qytetarëve kanë qenë të ndara. Për një pjesë të analistëve kjo ide është  legjitime dhe demokratike për një parti politike, ndërkohë që një pjesë e analistëve kanë theksuar se kjo ide lansohet për vota në prag të zgjedhjeve parlamentare të cilat pritet të mbahen në fillim të gushtit.

 

  • Sipas të gjitha anketave të besueshme, koalicioni i ardhshëm qeverisës do të jetë i formatit me një parti etnike maqedonase dhe dy parti etnike shqiptare. Një deja vu i 2016, kur LSDM arriti të bëjë qeverinë vetëm pasi bindi BDI-në e Ahmetit dhe ASH-në e Selës që të jenë pjesë e saj. Në një përsëritje të këtij skenari, atëherë partitë shqiptare do të vihen para një presioni të madh nga opinioni që t’i bëjnë ballë premtimit të madh. Në të kundërtën, pritshmëritë e mëdha mund të konvertohen në zhgënjime edhe më të mëdha.

 

Autor: KDP

 

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, nëpërmjet një video-porosie, sot bëri publike se nuk do të jetë ai kandidati për kryeministër. Në tetëmbëdhjetë vjetorin e themelimit të partisë, ai lansoi idenë e “kryeministrit të parë shqiptar”, duke theksuar se tani është koha për një gjë të tillë.

Se kush do të jetë “spitzenkandidati” i Ahmetit, duket se do të ngelë enigmë deri në fillimin zyrtar të fushatës parazgjedhore. Fjala “spitzenkandidat” përdoret në skenën politike gjermane për kuadrot të cilët që para se të fillojë fushata promovohen si kandidatë për kryeministër. Ky term u fut edhe në retorikën zgjedhore për Parlamentin Evropian (PE), ku spitzenkandidati i EPP – koalicionit të djathtë – Manfred Weber fitoi zgjedhjet, por jo edhe kreun e Komisionit Evropian (KE). Kompromiset midis elitave politike nga vendet e ndryshme evropiane në fund nxorën një kryekomisionere tjetër – Usula von der Leyen, edhe pse nuk kishte garuar për atë pozitë.

EFEKTET E IDESË

Ideja e Ahmetit ka ngjashmëri me “spitzenkandidatin” gjerman, por ka edhe një dimension tjetër – sifidimi i mendësisë politike në Maqedoninë e Veriut, e cila nënkupton vende të paprekshme për qytetarë nga etnitë më të vogla dhe vende të rezervuara për qytetarë nga etnia shumicë. Një sfidë që ngjall debate edhe në vendet më të zhvilluara demokratike. Në SHBA, për shembull, sistemi mezi se nxori në vitin 2008 një president me ngjyrë. Ose problemet në Romani që shkaktoi zgjedhja e presidentit të shtetit nga etnia joshumicë gjermane.

Të pritshme ishin edhe reagimet e shumta ndaj kësaj ideje të Ahmetit, e cila duket se vjen pikërisht në kohë kur mendohet se tashmë Maqedonia e Veriut do të hyjë në proces zgjedhor, ashtu siç paraprakisht kishin rënë dakord liderët e të gjitha partive pas prolongimit të zgjedhjeve për shkak të pandemisë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, i cili nuk e ka pritur mirë këtë ide të Ahmetit, ndërkohë që në zgjedhjet e kaluara me konceptin e tij “një shoqëri për të gjithë” ka marrë mijëra vota te elektorati shqiptar. Zoran Zaev, ka deklaruar se kryeministër do të jetë vetë ai në rast të fitores në zgjedhje, ndërsa BDI-në e ka paralajmëruar se me ide të tilla, të mos llogarisë se do të mund të jetë pjesë e qeverisë së re.

Përveç qëllimit të përgjithshëm që të fitojë zgjedhjet, me këtë propozim Ahmeti tenton të arrijë tre qëllime specifike: të sfidojë LSDM-në, e cila promovon konceptin “Shoqëri për të gjithë”; të testojë koalicionin LSDM-BESA dhe të tregojë para elektoratit shqiptar se, për dallim nga opozita, kjo parti ka një ide politike që do të mobilizojë njerëz për qëllime të mëdha.

Me gjasë kjo ide e Ahmetit do t’i vendosë përballë partnerët edhe aktual të koalicionit, të cilët gjatë gjithë qeverisjes, pavarësisht nga fjalori bashkëpunues, kanë shfaqur mosdurime dhe përplasje për shumë çështje, por jo edhe për çështjet e rëndësishme siç kanë qenë anëtarësimi në NATO dhe hapja e bisedimeve me BE-në. Gjatë tërë qeverisjes edhe pse nuk është thënë deri në fund ka pasur një tendencë për ta “goditur” njëra-tjetrën në ato pozicione që në të shumtën e rasteve kanë pasur për motiv përkrahjen te elektorati shqiptar. Kjo përplasje e heshtur ka vazhduar sidomos pas shpalljes së zgjedhjeve jashtëzakonshme.

PËRGJIGJJA E OPOZITËS DHE E LSDM-së

Pa marrë parasysh nëse kjo ide do të bëhet realitet pas zgjedhjeve të radhës, bërja publike e saj trazoi opinionin publik në Maqedoninë e Veriut. Si parti që ka një stazh të gjatë në qeveri, BDI ka arritur të thyej disa barriera etnike kur bëhet fjalë për funksionet shtetërore – si Kryetari i Parlamentit apo Ministri i Mbrojtjes. Kjo i jep kredi që të dalë edhe me idenë “Kryeministër shqiptar”, sado që mund të tingëllojë vetëm si një retorikë parazgjedhore.

Duke u nisur nga këto rrethana, opozita shqiptare dhe LSDM duket se janë gjetur të papërgatitur ndaj kësaj ideje. Reagimi i menjëhershëm dhe i vrullshëm i Zaevit u kuptua se ai nuk është i gatshëm të shohë një shqiptar në ulësen që ai e kishte në tre vitet e kaluara. Ndërkohë, idetë politike të opozitës duken jo mirë të kristalizuara – nga “Parlamenti dydhomësh” e deri te “20 përqindëshi”, si nevoja për ndryshime të Kushtetutës. Këto ide janë të nevojshme, por partitë në opozitë ende nuk kanë arritur të bindin pjesën më të madhe të njerëzve se kanë vazhdimësi, kapacitet dhe qëndrushemëri në realizimin e tyre. Kjo nga shkaku se nuk kanë marrë pjesë në pushtet për një periudhë të gjatë, si BDI, që të kenë mundësi të dëshmojnë kapacitetin e tyre të plotë.

Aleanca për Shqiptarët ka deklaruar se propozimi i BDI-së është si pasojë e rënies së popullaritetit të saj, të cilin synon ta ngritë me propozime të tilla.

“Ziadin Sela me rejting është përpara Ali Ahmetit. Do të dalin së shpejti anketat edhe për partitë politike. Pra, e shihni pse e lansojnë idenë e kryeministrit shqiptar, për të cilën absolutisht ASH-ja nuk është kundër. Por, e parashtrojmë pyetjen, pse në gjashtë mandatet e kaluara asnjëherë nuk e kanë bërë këtë punë”, ka deklaruar Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët.

Ndërkohë, nga Lëvizja Besa kanë theksuar se ky propozim vjen për shkak se BDI-së është e vetëdijshme se kanë humbur rejtingun  tek votuesit shqiptar.

“Ne jemi në proces zgjedhor, i cili ka filluar. BDI duhet të jep shpjegim se pse këtë propozim nuk e ka dhënë në zgjedhjet të cilat duhej të mbahen më 12 prill, por e jep në këtë fazë dhe në këtë situatë. Ne e dimë arsyen sepse BDI çdoherë kur është në humbje të poenëve politik apo rejtingut të saj politik shpëtimin e vet e kërkon nëpër këto ide, gjoja për unifikimin e faktorit politik shqiptar”, ka deklaruar Arjanit Hoxha nga Levizja Besa.

Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, gjatë emisionit debativ “Klan debat”, ka theksuar se nëse Ahmeti e ka seriozisht me këtë ide, ai është në gjendje që ta përkrah. Ai ka theksuar se është i gatshëm të nënshkruaj një marrëveshje me Ahmetin, që të dy të dalin për kryeministër dhe cili i humb zgjedhjet te shqiptarët të obligohet katër vjet në koalicion ta mbështesë kryetarin e partisë shqiptare që i ka fituar zgjedhjet për t’u bërë kryeministër.

REAGIME TË NDARA

Reagimet e ekspertëve dhe qytetarëve kanë qenë të ndara. Për një pjesë të analistëve kjo ide është  legjitime dhe demokratike për një parti politike, ndërkohë që një pjesë e analistëve kanë theksuar se kjo ide lansohet për vota në prag të zgjedhjeve parlamentare të cilat pritet të mbahen në fillim të gushtit.

Sidoqoftë, ideja e Ahmetit për kryeministrin e parë shqiptar tashmë ka hapur një debat të gjerë në skenën politike, por edhe përgjithësisht në hapësirën publike. Përkrahja dhe kundërshtimet dita-ditës vijnë duke u intensifikuar dhe besohet se nëse zgjedhjet mbahen ashtu siç pritet në në fillim të korrik kjo temë do të dominojë në debatin politik. Jashtë përplasjeve politike, kundërvënieve partiake, teorikisht nuk ka asnjë pengesë që një shqiptar të zgjidhet drejtues i qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Me kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, çdo qytetarë ka të drejtë të zgjedh dhe të zgjidhet. Ndërkohë, në pjesën për zgjedhjen e qeverisë dhe të kryeministrit në nenin 90 të kushtetutës thuhet se “Qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, e zgjedh Kuvendi me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve”. Ky është aspekti ligjor, teknik i zgjedhjes së qeverisë, që e nënkupton shumicën parlamentare, pra janë deputetët ata që e zgjedhin kryeministrin dhe qeverinë. Hipotetikisht, për të pasur një kryeministër shqiptar duhet që partia fituese të mos ketë shumicë votash dhe të mos varet nga votat e partive të bllokut politik shqiptar dhe të mos bëjë marrëveshje me partinë tjetër maqedonase, e cila del humbëse në zgjedhje.

Në këtë situtatë, zgjedhja e kryeministrit, kalon në terrenin politik, në krijimin e shumicës parlamentare për votim të kryeministrit dhe qeverisë. Në Maqedoninë e Veriut, me përjashtim të një rasti, kur ish kryeministri Gruevski, kishte shumicë për krijimin e qeverisë, në të gjitha rastet tjera, qeveritë janë krijuar nëpërmjet koalicionimeve me partitë shqiptare, përveç në rastet e qeverisjeve të zgjeruara dhe teknike. Hipotetikisht, rruga e mundshme e zgjedhjes së një shqiptari në postin e kryeministrit kalon përmes kombinatorikave politike paszgjedhore për krijimin e shumicës parlamentare për votim të qeverisë.

A ËSHTË I MUNDUR “KRYEMINISTRI SHQIPTAR”?

Në botë, por edhe në rajon ka pasur shumë raste kur parti që nuk kanë fituar zgjedhjet, për shkak të varshmërive tjera, kanë zgjedhur për kryeministër një nga partitë më të vogla. Në Kosovë disa herë ka pasur situata të këtilla të cilat kanë imponuar zgjedhjen e kryeministrit nga një parti që nuk i ka fituar zgjedhjet. Gjithashtu, Ilir Meta, në Shqipëri, është zgjedhur kryeministër në 2007 nga kombinatorikat politike, njësoj si Daçiç në Serbi.

Situata paszgjedhore mund të krijojë hapësirë për një ide të tillë, nëse votat e BDI-së do jenë vendimtare për krijimin e qeverisë. Hipotetikisht, kjo situatë është e mundshme dhe ideja e kryeministrit të parë shqiptar mund të bëhet realitet. Sigurisht, e gjithë kjo situatë varet nga një vullnet politik dhe nga shumë ndërvarësi tjera që realisht krijojnë një situatë të komplikuar, por jo edhe të pamundshme.

Partitë shqiptare gjatë tërë periudhës së demokracisë kanë synuar poste udhëheqëse në shtet. Partitë shqiptare kanë pasur kandidatët e tyre në disa cikle zgjedhore për president shteti. Rasti i fundit është i profesor Blerim Rekës, si kandidat i përbashkët i ASH-së dhe Lëvizjes Besa.

Sipas të gjitha anketave të besueshme, koalicioni i ardhshëm qeverisës do të jetë i formatit me një parti etnike maqedonase dhe dy parti etnike shqiptare. Një deja vu i 2016, kur LSDM arriti të bëjë qeverinë vetëm pasi bindi BDI-në e Ahmetit dhe ASH-në e Selës që të jenë pjesë e saj. Në një përsëritje të këtij skenari, atëherë partitë shqiptare do të vihen para një presioni të madh nga opinioni që t’i bëjnë ballë premtimit të madh. Në të kundërtën, pritshmëritë e mëdha mund të konvertohen në zhgënjime edhe më të mëdha.

Të fundit