E diel, 18 Maj, 2025

FUNDJAVË “SHQETËSIMESH” PËR STRUGËN DHE OHRIN

Banorët e Strugës dhe Ohrit kanë shfaqur shqetësimin e tyre për mundësinë e përhapjes së virusit pas “vërshimës” së qytetarëve nga qytetet që iu nënshtruan karantinës treditore. Autoritet komunale theksojnë se nuk përbën rrezik ardhja e vizitorëve, ndërkohë që Inspektorati Shtetëror ka parashtruar 22 kallëzime penale për shkelje të protokollit në hapësirat e hoteleve.  

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Inspektorët e Inspektoratit të Tregut për fundjavë kanë parashtruar 22 kallëzime penale për mosrespektim të masave qeveritare nga ana e objekteve të kategorizuara dhe objekte hotelerike.

Inspektorati Shtetëror i Tregut ka bërë kontrolle intensive në qytetin e Ohrit, ndërsa kontrollet po kryhen me ndihmën e policisë për të siguruar respektimin maksimal të masave dhe protokolleve për mbrojtje nga COVID-19. 22 akomodues dhe hotelierë nga destinacionet turistike në të gjithë vendin kanë marrë kallëzime penale për mosrespektimin e rekomandimeve për mbrojtjen kundër virusit korona. Tetë kallëzime penale janë parashtruar në Ohër, katër në Strugë, pesë në Manastir, tre në Dojran dhe nga një kallëzim penal në Ponikvë dhe Mavrovë.

“Bëhet fjalë për kallëzime penale të parashtruara për shkak të shkeljes së ndalesës për akomodim të personave në objekte të kategorizuara, ndërsa vetëm një kallëzim është për tejkalim të orarit të punës dhe dy kallëzime penale për shkeljen e Protokollit 8, që nënkupton më shumë mysafirë në tarraca, mosrespektim të distancës apo mysafirëve në pjesën e brendshme të objekteve”, thekson Meri Proja Prodanovska e Inspektoratit Shtetëror të Tregut.

Sa i përket akomodimit të palejuar të mysafirëve në Ohër, për fundjavë inspektorët kanë hasur vetëm katër raste të tilla. Prodanovska thekson se krahasuar me ditët e para të lehtësimit të masave, operatorët ekonomikë në përgjithësi i respektojnë masat, ndalesat dhe rekomandimet për punë, gjegjësisht u përmbahen protokolleve të përcaktuara për punë. Kontrollet do të vazhdojnë në tërë territorin e vendit.

Ndërkaq, të enjten pasdite të gjitha rrugët çonin drejt Ohrit, Dojranit, por edhe Strugës. Gjatë ditës, shiu që kohë pas kohe binte në Strugë, siç duket nuk ka penguar që shumë vizitorë nga vende tjera ta shijojnë mikpritjen strugane.

Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, duke e përmendur disa herë mikpritjen strugane, thotë se fluksi i qytetarëve nga viset tjera, që kanë udhëtuar për në Strugë nuk përbën rrezik.

“Struga është vend turistik dhe shumica e qytetarëve kanë ardhur edhe nëpër shtëpitë e tyre. Le të shijojnë këtë ajër të pastër, ato që kanë ardhur nuk janë të sëmurë, kanë ardhur për të shëtitur”, thotë kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko.

Qytetarët e Strugës thonë se shteti është dashur të jetë më i kujdesshëm në këtë drejtim, është dashur të ketë karantinë për krejt territorin e vendit, pasi kështu paraqet rrezik për struganët dhe banorët e Ohrit.

“Edhe pse nuk ka shumë qytetarë këtu dhe më shumë ka në Ohër mendoj se paraqet rrezik për përhapje të virusit”, thotë një qytetar i Strugës. Një tjetër qytetar strugan thotë se është dashur të ketë karantinë në gjithë territorin dhe jo vetëm në disa vende. Sipas qytetarëve struganë, shumica janë drejtuar për atje, ndërkohë që banorët vendas kanë frikë të dalin.

Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore të enjten pasdite shënoi rekord automjetesh që kishin kaluar përmes pikë pagesave rrugore në dalje nga Shkupi, sidomos në autostradën Shkup – Tetovë, ku sipas informacioneve rreth 20 mijë vetura kishin braktisur Shkupin, të cilët gjatë fundjavës së vazhduar ishin nisur drejt qyteteve në perëndim dhe jug të vendit.

Të fundit