E premte, 24 Janar, 2025

FUSHATË E ASHPËR PËR ÇDO VOTË

Kanë të drejtë ata të cilët mendojnë se Zaevi e Kasami, po edhe Sela e Gashi, apo edhe Menduh Thaçi, nuk do ta kenë të lehtë që t’i çojnë integristët e Ahmetit në – opozitë.

 

Autor: Seladin Xhezairi 

 

Të gjitha partitë politike kanë vazhduar fushatën  virtuale por edhe direkte në mënyrë që për votuesit të bëjnë sa më të kapshëm vizionin e tyre për shtetin në përgjithësi dhe shqetësimet e qytetarëve, në vaçanti.

Fushatë shprehimisht agresive dhe negative: ‘bomba’ politike që pritet të shpartallojnë kundërshtarin, nga të dyja blloqet rivale që pretendojnë se kanë tapinë e shtetit, pa çka se shkilet ligji, tema të porositura nëpër ekranet televizive dhe qërrim hesapesh në distancë me Bashkimin Demokratik për Integrim. Ideatorët e fushatës sikur e kanë të qartë se aktivizimi i ‘bombave’ politike mund të lodhë të gjithë pretendentët që mëtojnë të marrin bajrakun e fituesit të zgjedhjeve të 15 korrikut.

Kjo mund të jetë e kushtueshme si për Zaevin, ashtu edhe për Mickoskin, për shkak se nga ajo që mund të dëgjohet nga përmbajtja e përgjimeve, ashiqare të jashtëligjshme, nuk mund të thuhet se s’janë me interes publik, ndaj kjo është edhe një sprovë më shumë për shtetin e së drejtës – në drejtësinë e munguar dhe një karton i verdhë për të gjithë ata që po na e premtojnë shtetin ligjor.

Pra, është për t’u pritur që nga të dyja taborret e prira nga VMRO-DPMNE dhe LSDM-ja ditëve në vazhdim të kemi ‘granatime’ që nuk është e thënë se do të shkojnë huq. Kjo një, e dyta, tri ditët e fundit po shpërfaqet një fushatë agresive e koalicionit ‘Ne Mundemi’ kundër Bashkimit Demokratik për Integrim, veçmas pas  daljes së kësaj partie me kandidat jopartiak për kryeministër.

Sigurisht se kanë për të qenë votuesit ata të cilët do të vulosin mozaikun partiak të legjislaturës së dhjetë parlamentare, por kanë të drejtë ata të cilët mendojnë se Zaevi e Kasami, po edhe Sela e Gashi, apo edhe Menduh Thaçi, nuk do ta kenë të lehtë që t’i çojnë integristët e Ahmetit në – opozitë.

Thjesht, kjo nuk rezulton as nga sondazhet e deritashme, por as edhe nga matematika dhe aritmetika e  mesnatës së 15 korrikut. Kjo për shkak se votuesi do t’i besonte më shumë zotimit për uljen e kostos së jetesës për një përqindje të caktuar, sesa vetësigurisë për deklasimin e kundërshtarit. U mor vesh – këtë do të duhej ta bëjnë votuesit – të mërkurën e 15 korrikut. Të presim e të shohim!

Të fundit