E mërkurë, 16 Korrik, 2025

ANKETË E BIRC: QYTETARËT SHQIPTARË DUAN ZGJEDHJE NË KORRIK

Korriku është muaji më i preferuar nga qytetarët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, tregon anketa e fundit e Institutit Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal – BIRC me seli në Tetovë, njofton KDP.

Në pyetjen se kur është më mire të mbahen zgjedhjet parlamentare, 35.8 për qind kanë thënë në korrik, 33.5 për qind në qershor, 22.3 për qind në vjeshtë dhe 8.4 për qind preferojnë zgjedhjet të mbahen vitin e ardhshëm.

Ditë më pare partitë politike dështuan edhe në takimin e dytë të caktojnë datën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në një takim të thirrur nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.

Lidhja Social Demokrate në pushtet, që drejtohet nga Zoran Zaev, ka insistuar në mbajtjen e zgjedhjeve në qershor, më 21 apo 28 qershor, si afate më të mira për zgjedhjen e institucioneve të reja, që sipas kësaj partie duhet të përballen me koronavirusin si dhe të përmirësojnë gjendjen ekonomike.

VMRO-DPMNE-ja opozitare mbetet në qëndrimin se zgjedhjet duhet të mbahen pas normalizimit të gjendjes me koronavirusin, ndërsa ka shprehur shqetësimin me rritjen e numrit të të infektuarve me COVID-19 (sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi). Kjo parti po kërkon që zgjedhjet të mbahen nga fundi i gushtit apo fillimi i shtatorit.

Partia opozitare Aleanca për Shqiptarët insiston që zgjedhjet të mbahen pasi të ketë vlerësime pozitive mbi pandeminë, por gjithashtu kërkon mbajtjen e tyre pasi të jenë hapur kufijtë, për të mundësuar votimin edhe të diasporës.

Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron se shëndeti është mbi të gjitha, por shprehet i gatshëm për pjesëmarrje në zgjedhje në cilëndo datë që do të merren vesh partitë politike.

Ndryshe, anketa e plotë e BIRC, ku janë edhe rejtingjet e partive politike dhe liderëve të tyre, do të publikohet të enjten.

Të fundit