E premte, 21 Mars, 2025

COVID 19, A DO TË PËRGJYSMOHEN REMITENCAT E MËRGIMTARËVE?

Pandemia po krijon një realitetit krejtësisht të ri. Kufizimet e lëvizjes dhe shtrëngesat ekonomike në të gjitha vendet do të reflektohen edhe në transferet e mërgimtarëve. Ekonomistët paralajmërojnë përgjysmim të parasë që vjen nga mërgimtarët. Sipas tyre, këto transfere janë jetike për Maqedoninë e Veriut, sepse ato kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit social dhe uljen e varfërisë. Remitancat qindra milionëshe dukshëm kontribuojnë në stabilitetin makroekonomik të vendit. Ato janë infuzion i jashtëzakonshëm për mirëqenien e qytetarëve.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Ndërkohë që të gjitha vendet e Europës dhe më gjerë i janë nënshtruar një izolimi të paparë më herët, qarkullimi i njerëzve, mallrave dhe kapitalit mbetet një problem më vete. Vendet e Ballkanit, shquhen për migrime të mëdha brenda këtyre tre dekadave të fundit. Por, përkundër kësaj, shumica e njerëzve që kanë migruar i ruajnë lidhjet me vendet e tyre, duke sjellë brenda vitit shuma parash të jashtëzakonshme në formë remitancash, ashtu siç quhen ndryshe me gjuhën e ekonomisë.

Maqedonia e Veriut bën pjesë në ato shtete që për shumëçka varet nga ky qarkullim parash që vijnë përmes disa formash në vend dhe që sipas ekspertëve të ekomisë janë një infuzion i fuqishëm për ekonominë, por edhe për ruajtjen e baraspeshës sociale në vend.

Fatkeqësisht, sipas të gjitha parashikimeve sivjet nuk do të ndodh një gjë e tillë, për shkak të krizës së pandemisë. Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se sivjet do të përgjysmohen remitancat për shkak të kushteve të reja të shfaqura edhe në vendet ku punojnë mërgimtarët.

 

Qindra milionë euro remitanca për çdo vit

Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se në periudhën 2009-2018 , në mesatare për çdo vit janë dërguar nga 200 milion euro nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë në mërgim. Në dhjetë vitet e fundit mërgimtarët kanë dërguar afër 2 miliardë euro në Maqedoninë e Veriut. Dërgesat e mërgimtarëve, por edhe ardhja e mërgimtarëve në vendlindje ka pasur një ndikim të madh në ekonominë vendore, sidomos në uljen e varfërisë. Ajo që është më e rëndësishmja, është sezoni i verës apo edhe pushimet tjera brenda vitit kur vijnë mërgimtarët. Pikërisht në këtë periudhë kemi qarkullim të madh në tregti, hoteleri, ndërtim, etj.

Migrimi i përgjithshëm i qytetarëve të Maqedonisë që kanë lëshuar vendin dhe kanë migruar jashtë vendit është diku mbi 630.000 njerëz. Supozohet se pjesa dërmuese e tyre punojnë në shtetet evropiane, në Gjermani, Zvicër, Itali, Danimarkë, Suedi, Austri, Francë, Belgjikë, Holandë etj. Pjesa tjetër e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut gjithashtu jetojnë dhe punojnë në vendet tej oqeanike si në SHBA, Amerikën Jugore, Australi, Kanada etj. “Me që pandemia Covid 19 është përhapur në të gjitha shtetet, nga kjo pandemi janë goditur edhe mërgimtarët tanë në shtetet ku jetojnë dhe nuk do mend se humbjet ekonomike janë evidente edhe tek ata”, thotë eksperti i ekonomisë, Izet Zeqiri.

Sipas tij, diaspora ka pasur dhe ka një ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të vendit. Këtë, thekson ai, e dëshmojnë të dhënat e shumave të mjeteve të cilat çdo vit janë afër dy miliard euro, të cilat qoftë nëpër kanalet bankare, qoftë nëpër kanale private hyjnë në Maqedoni e Veriut.

Për Zeqirin të gjitha këto mjete kanë paraqitur një pozicion të mirë në bilancin e pagesave të Maqedonisë së Veriut, si mjete devizore dhe transfere private të të ardhurave të punëtorëve tanë që punojnë në botën e jashtme, por edhe si konsum dhe investimet që diaspora i ka bërë në vendlindje.

 

Viti i përgjysmimit të transfereve

“Transferet e mërgimtarëve kanë një rëndësi jetike për ekonomin e vendit, sepse ato kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit social dhe uljen e varfërisë në Maqedoninë e Veriut. Remitancat dukshëm kontribuojnë në stabilitetin makroekonomik të vendit. Pothuajse çdo vit deficiti buxhetor, ai i llogarisë rrjedhëse të bilancit pagesor  dhe shumë deficite të tjera mbulohen edhe nga remitancat, thotë Zeqiri.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Tetovës , Seadin Xhaferi thotë se remitancat e mërgimtarëve paraqesin një infuzion të madh financiar për vendin.

“Remitancat e mërgimtarëve paraqesin një infuzion të madh financiar për vendin, ku për vite me radhë zbusin bilancin tregtar të vendit apo ulin dallimin midis importit më të madh në raport me eksportin më të vogël. Mosardhja e mërgimtarëve në vendlindje do të ketë pasoja të mëdha për gastronominë dhe tregtinë”, thotë Xhaferi

Eksperti i ekonomisë, njëherësh profesori universitar, Izet Zeqiri vlerëson se humbjet do të jenë shumë të mëdha, ndërkohë që pritjet janë që afër 50 përqind të transferave të mërgimtarëve do të zvogëlohen.

“Këtë vit si rezultat Coivid 19 supozohet se do të ketë zvogëlim afër 50 përqind të transfereve në para të mërgimtarëve dhe kjo do ta godas shumë ekonomin e vendit, sepse qytetarët që punojnë në diasporë, kursimet i kthejnë në vendlindje, duke i shpenzuar për plotësimin e nevojave personale të veta dhe të anëtarëve të familjes, edhe atë për nevojat primare të detyrueshme, ushqim, veshmbathje, nevoja dytësore që janë më pak të nevojshme në krahasim me të parat dhe përmbushja e nevojave luksoze në krahasim me nevojat e dy grupeve paraprake”.

Sipas Zeqirit një pjesë e mërgimtarëve kursimet i avancojnë në fondet kryesore të lëmenjve ekonomike, të cilët ndikojnë në potencialin prodhues të vendit. “Këto investime drejtpërdrejt ndikojnë në ngritjen e prodhimit të të mirave materiale”, thekson ai. Investimet e këtij lloji të diasporës janë faktor i vetëm i zhvillimit ekonomik.  Sipas Zeqirit, veprimtaritë investive ndikojnë drejtpërdrejt në ngritjen e mirëqenies ekonomike të qytetarëve dhe i japin bazë perspektivës ekonomike.

Të fundit