Në pajtueshmëri me masat dhe rekomandimet e vendosura nga institucionet kompetente shtetërore lidhur me pandeminë e shkaktuar nga Kovid-19, sot Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, e realizoi konferencën shkencore “Veshjet tradicionale në trevat shqiptare”.
Koordinatori i konferencës, Sefer Tahiri, thekoi se kjo konferencë është vazhdimësi e ciklit të përvitshëm të konferencave të Insitutit, që zhvillohen nën siglën e “Javës së trashëgimisë kulurore”. Më tej Tahiri sqaroi se për shkak të gjendjes së krijuar, kjo konferencë sivjet zhvillohet duke ruajtur masat e distancës fizike, ashtu që disa nga prezantimet do të zhvillohen nga salla e konferencave të Institutit, pa publikë, kurse prezantimet tjera të autorëve nga Kosova e Shqipëria do të zhvillohen në formatin ‘online’.
“Shumë të nderuar qytetarë, dashamirë të shkencës dhe kulturës që po na ndiqni përmes rrjeteve sociale, ne sot, si e gjithë bota përballemi me pandemi, përballemi siç e quajnë të gjithë një armik i padukshëm, por që është global.Kjo gjendje natyrshëm është sfidë edhe për ne, për hulumtimin shkencor dhe për Institutin tonë!
Por ne edhe në këtë gjendje nuk duam të qëndrojmë duarkryq, por duam të jemi aktiv, ti japim shpirt jetës shkencore këtu tek ne, duke respektuar masat e reja dhe duke vepruar në rrethana të reja.
Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve- Shkup ka nderin të organizojë konferencën shkencore me temë “Veshjet tradicionale në trevat shqiptare”.
Gjatë kësaj konference, do të prezantohen variacionet e shumta të motiveve të shumta në veshjet tradicionale në trevat shqiptare, si vlerë e trashëgimisë kulturore.
Një pjesë të punimeve shkencore do t’i prezantojnë vetë studiuesit që janë të panishëm sot fizikisht, ndërsa një pjesë e tyre nga vendi, Kosova dhe hapësirat tjera shqiptare na kanë dërguar punimet e tyre në power point, ndërsa me një pjesë do të lidhemi drejtpërdrejt.
Punimet e prezantuara shkencore gjatë vitit do të botohen në revistën shkencore “SCUPI”, një botim i veçantë i Institutit tonë.”, tha Tahiri.
Në hapje të konferencës shkencore, fjalë përshëndetëse pati drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, i cili theksoi faktin që përkundër gjendjes së përgjithshme të krijuar në vend dhe në botë, Instituti po vazhdon me realizimin e plan-programit të paraparë, duke iu përshtatur rrethanave të krijuara.
Sipas tij, kjo konferencë e sotme ka një rëndësi të madhe për studimin dhe ruajtjen e një pjese shumë domethënëse të trashëgimisë sonë kulturore, siç janë veshjet tradicionale shqiptare. Sot me kontributet e tyre hulumtuese-shkenore paraqiten studiues nga shumë treva shqiptare, të cilët pasqyrojnë arritjet e tyre në këtë fushë të etnologjisë, u shpreh drejtori Asani.
Më pas, punimet e tyre i prezantuan studiuesit: Rini Useini nga ITSHKSH – Shkup (me temë “Veshjet tradicionale në trevat shqiptare- vështrim etnologjik“), Afet Jashari – etnolog i punësuar në Ministrinë e Kulturës së Maqedonisë së Veriut (“Venbanimet e Karshiakës që kanë ruajtur veshjet popullore”), Nexhat Çoçaj nga Universiteti UBT – Prishtinë (“Aspekti informativ në veshjen e grave të Hasit”), Idaete Sinani nga ITSHKSH – Shkup (“Veshjet tradicinale të grave në fshatin Krushopek të Shkupit”), Gureta Bajrami – Breznica nga Universiteti i Tiranës (“Veshja – kulturë materiale dhe shpirtërore, si tregues i mënyrës së jetesës së shqiptarëve në rajonin e Kumanovës në shek. XX”), Minir Ademi nga ITSHKSH – Shkup (“Veshjet popullore shqiptare në trevën e Karadakut të Kumanovës”), Angjelina Hamza-Hasanaj dhe Vlorë Fetaj- Berisha nga Instituti Albanologjik i Prishtinës (“Veshja tradicionale e femrave në Rrafshin e Dukagjinit- Kosovë”), Besnik Rameti nga ITSHKSH – Shkup (“Veshjet tradicionale në Derven të Shkupit“), Hiriet Ziberi nga Universiteti i Tetovës “Fadil Sulejmani” (“Përpunimi i veshjeve të grave në Malin e Thatë”), Bekim Ramadani nga Universiteti i Tetovës “Fadil Sulejmani” (“Qerim Etemi, mjeshtër i prodhimit të veshjeve tradicionale”), si dhe Sali Islami nga ITSHKSH – Shkup e Bunjamin Xhemaili nga Muzeu Arkeologjik i Maqedonisë së Veriut (“Veshjet ilire në disa gjetje arkeologjike para pushtimit romak“).
Të gjitha këto kumtesa parashihet të botohen në një nga numrat e radhës të edicionit “Scupi”.
Ky aktivitet mbështetet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
https://www.facebook.com/100003539058793/posts/2825914117536529/