Të gjitha kompanitë do të kenë në dispozicion shumën prej 8 milionë euro, donacion nga Japonia, që do të shpërndahen sipas kërkesave, në kredi pa kamatë në vlerë nga 3000 deri në 90 mijë euro.
Autore: Xhumadije Ibrahimi
Japonia ka ndarë 8 milionë euro për ndihmë të biznesit në Maqedoninë e Veriut dhe ruajtjen e vendeve të punës. Ndihma erdhi pas thirrjes nga organizatat ndërkombëtare për solidaritet në botë në kushte të pandemisë globale dhe pasojave serioze në ekonomitë lokale.
“Çdo vend lufton kundër virusit korona. Në këto kohë të vështira duhet të bashkëpunojmë dhe të mbështetemi. Më vjen mirë që sot mund ta konfirmoj miqësinë tonë të fortë”, ka theksuar ambasadori i Japonisë në Shkup, Keiko Haneda,
Ministrja e Financave, Nina Angellovska në një konferencë për media ka prezantuar të ashtuquajturën “Linjë e dytë të Kredive Kovid”.
Angellovska ka theksuar se mjetet për këto kreditë janë siguruar përmes Fondeve Kompenzuese të Japonisë. Paratë nga donacioni japonez do të jenë në dispozicion nga e mërkura e ardhshme, për kompani të vogla dhe të mesme, në formë të linjës kreditore pa kamatë e quajtur Covid 2. Kjo vijon pas pakos së parë së volitshme kreditore, në vlerë 5,7 milionë euro, që shteti ua dedikoi veprimtarive më të prekura – turizmi, transporti dhe hotelerisë.
“Që nga e mërkura, 29 prill, kompanitë e vogla dhe të mesme nga të gjitha sferat, të cilat janë prekur nga kriza e Covid-19 do të mund të aplikojnë për Linjën e dytë të kredive pa interes”, ka theksuar Angellovska.
Interesimi për kreditë pa kamatë është shumë i lartë, kështu që Covid 2 vjen në kohën e vërtetë. “Për dallim nga linja e parë kreditore kjo u dedikohet të gjitha veprimtarive. Shuma maksimale në këtë linjë është 90 mijë euro dhe është tri herë më e lartë në krahasim me linjën e parë kreditore. Shuma minimale është 3000 euro”, ka theksuar ajo.
Ministrja e Financave Ninan Angelovska ka theksuar se në kushte të këtilla të pandemisë do të ketë edhe shkarkime nga puna. Humbja totale e shkaktuar nga kriza korona në nivel vjetor, sipas Angelovskës, projektohet të jetë 3,7% që është në linjë me vlerësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për humbje në nivel global rreth 4%.
“Duhet të jemi realë, do të ketë edhe të tillë që do ta humbin vendin e punës, edhe për ata ka zgjidhje, së pari të jenë nën kujdes, me kompensim për persona të papunë, dhe pastaj shpejt të kthehen në vendin e punës kur të fillojë faza e rimëkëbjes”, ka theksuar Angellovska.
Aplikuesit nuk duhet vetë të sigurojnë dhe të paguajnë për dokumentet nga Regjistri Qendror. “Në marrëveshjen që e kemi lidhur me Bankën Zhvillimore është parashikuar që dokumentet nga Regjistri Qendror për të cilat kanë nevojë aplikantët për kredi në mënyrë elektronike t’i marrin të punësuarit në Bankën Zhvillimore”, ka theksuar drejtoresha e Regjistrit Qendror, Marija Boshkovska.
Ministrja e Financave, gjithashtu ka bërë të ditur se në seancën e Qeverisë së RMV-së do të propozojë që lojërat e fatit të zhvillohen online pasi të njëjtat janë mbyllur nga muaji mars.