Autor: Lorik Idrizi
Të paktën 28,000 njerëz më shumë kanë vdekur gjatë pandemisë së koronavirusit gjatë muajit të kaluar me COVID-19 sesa në periudhën e njëjtë në vitet e mëparshme, tregon një përmbledhje e të dhënave të vdekshmërisë në 11 vende, njofton NYT, përcjell KDP.
Në muajin e fundit, shumë më shumë njerëz vdiqën në këto vende sesa vitet e kaluara, zbuloi The New York Times. Gjithsej përfshijnë vdekjet nga Covid-19 si dhe ata nga shkaqe të tjera, me gjasë duke përfshirë njerëz që nuk mund të mjekoheshin pasi spitalet u stërmbushën.
Këto numra hedhin poshtë idenë se shumë njerëz që kanë vdekur nga virusi, së shpejti do të vdisnin gjithsesi. Në Paris numri i zakonshëm i njerëzve të vdekur çdo ditë është rritur për dy herë, shumë më tepër sesa kulmi i një sezoni të keq të gripit. Në New York City, numri tani është katërfishi i sasisë normale.
Sigurisht, të dhënat e vdekshmërisë në mes të një pandemie nuk janë perfekte. Pabarazitë midis numrave zyrtarë të vdekjeve dhe rritjes totale të vdekjeve ka shumë të ngjarë të reflektojnë testime të kufizuara për virusin, sesa nën-llogaritjen e qëllimshme. Zyrtarisht, rreth 165,000 njerëz kanë vdekur në të gjithë botën nga koronavirusi që nga e marta.
Por numrat e përgjithshëm të vdekjeve ofrojnë një portret më të plotë të pandemisë, thonë ekspertët, veçanërisht sepse shumica e vendeve raportojnë vetëm ato vdekje të Covid-19 që ndodhin në spitale.