Autore: Erisa Zykaj / Bruksel
Komisioni Europian (KE) ka miratuar një propozim për një paketë ndihme makro-financiare prej 3 miliardë eurosh për dhjetë vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian (BE) dhe shtete fqinje.
Kjo ndihmë vjen për t’i ndihmuar këto vende të përballen me pasojat ekonomike të pandemisë koronavirus. Vendet që përfitojnë nga kjo paketë janë: Republika e Shqipërisë (180 milion €), Republika e Maqedonisë së Veriut (160 milion €), Bosnja dhe Hercegovina (250 milion €), Gjeorgjia (150 milion €), Mbretëria e Jordanit (200 milion €), Kosova (100 milion €), Republika e Moldavisë (100 milion €), Mali i Zi (60 milion €), Republika e Tunizisë (€ 600 milion) dhe Ukraina (1.2 miliardë €).
Fondet e asistencës makrofinanciare do të vihen në dispozicion për 12 muaj në formën e kredive me kushte mjaft të favorshme për t’i ndihmuar këto vende të mbulojnë nevojat e tyre të menjëhershme, urgjente të financimit.
Së bashku me mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, fondet mund të kontribuojnë në forcimin e stabilitetit makroekonomik dhe krijimin e hapësirës për të lejuar që burimet të përdoren për zbutjen e pasojave negative socio-ekonomike të pandemisë koronavirus për qytetarët e këtyre vendeve.
Autorja është korrespondente e TV Klan Maqedonia nga Brukseli