E premte, 21 Mars, 2025

ZIGZAG: DALLIMET NË KONSUMIM  

Për gjendjen e çrregullt të një shoqërie ku nuk veprojnë a nuk respektohen ligjet thuhet shkurt e shqip: anarki. Një mendimtar yni flet edhe për ‘anarki kriteresh’. Kjo gjendje, sikur po shpërfaqet me gjithë vrazhdësinë e vet edhe në këtë kohë të murtajës së zezë.

Nejse, të mos e zgjas, jam dakord: Belgjika është Belgjikë e Kosova – Kosovë!

 

Autor: Seladin Xhezairi

1. Do thuash: titull ‘pa lidhje’, ndërsa unë po tërheq një paralele mes një vendi evropian e një tjetri ballkanik, të grup-moshave të ndryshme! E kam fjalën për veprimet e politikanëve në Belgjikë e në Kosovë, mundet edhe në ndonjë shtet tjetër të rajonit, në kushtet e pandemisë që ka mbërthyer gjithë rruzullin tokësor: Në Belgjikë, të cilën këto ditë publicisti Khaled Diab e cilësoi si ‘shtet të dështuar’, këto javë politikanët, thotë ai, me ‘paaftësi kronike, rekorde, për të formuar koalicion qeverisës, patën kurajë që shëndetin publik ta vënë mbi interesat partiake duke i dhënë kryeministres në detyrë Sophie Wilmes, përmes Parlamentit, shumë autorizime të jashtëzakonshme, vetëm e vetëm të zgjidhë krizën aktuale, tejet akute në vend! Ç’të thuhet për Kosovën tonë? Politika është interes? Këtë të gjithë e dimë, po ku mbeti përgjegjësia, për shkak se demokracia nënkupton edhe respektimin e procedurës, për shkak se edhe çdo lojë ka rregullat e veta! Referët nuk i mbajnë kot kartuçat e verdhë e të kuq, në terrenin jeshil të futbollit, nuk u shpik kotnasikoti sistemi VAR?! Nejse, të mos e zgjas, jam dakord: Belgjika është Belgjikë e Kosova – Kosovë!

2. Po, kjo pandemia, kjo murtaja e zezë, na i ndryshoi rregullat, besa ka për të na i ndërruar edhe tabiatet: Para nja dy muajsh e pata një rrufë të prapë. Falë t’ime bijë, me njëmijë e një lutje, i bëra analizat dhe doktori më tha të heq dorë nga duhani, në mos krejtësisht, atëherë doemos ta rralloj. U tërhoqa në atë që quhet vetizolim, do thoshte doktori, si masë parandaluese. Plotë dy javë. Dhe, nisa të mësohem të punoj ‘nga shpia’… Ndërkohë plasi koronavirusi. Sot, më rastisi të lexoj mbresat e një doktori nga Kumanova, njëri prej atyre që u gjet në vijën e parë të frontit dhe që ndërkohë është vënë në karantinë. Si ai ka dhe shumë të tjerë. Mantelbardhë që meritojnë respekt, deri në përunjësi. Ne, vërtet duhet t’i ndihmojmë doktorët që ata t’na ndihmojnë ne! Sa mirë e thënë! Dhe, ndihma jonë, në këso rrethanash, nuk është kushedi se çfarë: Mjafton të jemi të sinqertë me mjekun tonë amë, të rrëfehemi para tij, para se të bëhet vonë. Kështu e ndihmojmë veten, po edhe doktorët! Apo jo?

3. Organizata ndërkombëtare ‘Reporterët pa kufinj’ në raportin e vet vjetor paralajmëron se dhjetëvjeçari i ardhshëm ka për të qenë vendimtar për lirinë e medias në mbarë botën, por edhe në Ballkanin Perëndimor. Vendet tona janë diku mes vendeve skandinave të prirë nga Norvegjia – si flamurtare të lirisë, dhe Koresë Veriut, Kinës e Arabisë Saudite – shtete këto që në ‘indeksin e lirisë së medias 2020’ qëndrojnë më së keqi. ‘Reporterët pa kufij’ thonë se pandemia Covid-19, në fakt, vetëm reflekton krizat e shumta që kërcënojnë raportimin e lirë, informacionet e pavarura e të sigurta: ‘Po hyjmë në dekadën vendimtare për gazetarinë që është e ndërlidhur me krizat të cilat do të ndikojnë në ardhmërinë’- ka deklaruar Cristopher Deloire, Sekretar i Përgjithshëm i organizatës. Sfida është e të dyja palëve: e medias që të qëndrojë e vendosur përballë sfidave në ushtrimin e misionit, por edhe e pushteteve – që të nxjerrin mësime nga pësimet se medias nuk mund t’i mbyllet goja. Nuk mund të bëhet zap! /KDP

 

Të fundit