E premte, 24 Janar, 2025

ME DY GJËRA NJERËZIMI DUHET TË MËSOHET TË JETOJË DHE T’I LUFTOJË VAZHDIMISHT

Autor: Xhelal Neziri 

 

Njerëzimi me dy gjëra duhet të mësohet të jetojë dhe t’i luftojë në mënyrë të vazhdueshme: viruset dhe lajmet e rrejshme. Në epokën e globalizimit të dy dukuritë lëvizin dhe përhapen shpejt në tërë botën. Kanë vetëm një dallim: viruset bëhen shqetësim pasi verifikohen shkencërisht, kurse lajmet e rrejshme krijojnë shqetësime para se të verifikohet vërtetësia e tyre.

Në këtë kontekst, është duke u hulumtuar edhe një dukuri tjetër që habit ekspertët: si është e mundur që njerëzit më parë të besojnë në rrezikshmërinë e trilluar të rrjetit 5G, a e cilësojnë si gënjeshtër rrezikun e verifikuar mijëra herë të virusit COVID-19! Pra, pa menduar mirë një gëngjeshtër merret si e vërtetë, ndërkohë që refuzohet një e vërtetë si gënjeshtër. Sipas profesorëve Tim Hilll, Robin Canniford dhe Stephen Murphy, përgjigjja përcaktohet nga katër faktorë:
I pari – gati të gjithë kanë qasje në Internet duke postuar apo gjetur “të vërtetën e vërtetë” që dikush kinse dëshiron ta fshehë; I dyti – mungesa e besimit në shkencë, qeveri, institute, media…për të cilat mendohet se përherë kanë interes për të fshehur diçka; I treti – gënjeshtra e ëmbël duket përherë më atraktive se e vërteta e hidhur; dhe i katërti – është armë me të cilën Rusia dhe Kina e luftojnë demokracinë e Perëndimit.

Kur jemi te lufta hibride e Lindjes kundër Perëndimit, ka një përshtypje se hapësira gjuhësore shqiptare është disi imune. Por, ky është një përceptim i gabuar. Lajmet e rrejshme po gërryejnë demokracinë edhe ashtu të jo mirë të konsoliduar në hapësirën gjuhësore shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.

Për shembull, më 15 mars në një pjesë të madhe të portaleve në gjuhën shqipe u përhap një lajm i rrejshëm kundër NATO-s, SHBA dhe BE, por që favorizonte Rusinë dhe Kinën, me titull: “Diçka e madhe është duke ndodhur në Itali dhe Ballkan, Ju nuk jeni në vetëdije…”. Ky shkrim së pari është paraqitur si analizë në disa media ruse, e pastaj është përkthyer në gjuhën serbe, sllovene, kroate, maqedonase dhe shqipe.

Për çudi, më shumë jehonë pati te shqiptarët: më 15 mars si të kurdisur e kanë postuar shumë portale në gjuhën shqipe.

Aty flitet për gjoja stacionimin e 37 mijë ushtarëve amerikanë në Europë gjatë kohës kur ndodh koronavirusi. Është një tekst ku qartë mbrohen interesa ruse dhe sulmohet prania amerikane në Europë.

“Kërcënim nga kush? Është e qartë që oficerët amerikanë kënaqen me përgjigjen pa bërë sqarime dhe duke përdorur frazën e përgjithshme “kërcënim hipotetik”. Natyrisht, i vetmi kërcënim hipotetik që mund t’i atribuohet mendimit amerikan është Rusia (aleati i Kinës) me të cilën ata prej kohësh kanë krijuar vullnetarisht tensione të mëdha.”, thuhet në pjesën e parë të artikullit.

Në pjesën përmbyllëse tregohet edhe reagimi “i duhur” i Rusisë: “Rusia shtroi pyetje të shumta për këtë ushtrim, për të cilën nuk ka marrë një përgjigje dhe në bazë të kësaj ajo tashmë është shprehur se do të mbajë në gatishmëri pozicionin e saj ushtarak brenda kufijve të saj, gjë që nuk parandalon një skenar të tillë qetësues me dy palë të armatosura: stërvitje ose përveç nëse është kështu.”

Për t’ia “sqaruar” më mirë lexuesit shqiptar, artikulli thotë se “Kina, aleati i Rusisë, lidhi një kontratë muaj më parë me Italinë (një vend themelor për Evropën për marrëdhëniet që lidhen me tregtinë në Mesdhe dhe për pozicionin e saj strategjik nëse ka konflikte) për t’i bërë marrëdhëniet tregtare të qëndrueshme dhe më të rëndësishme midis Italisë dhe Kinës dhe bërjen e fuqisë së Amerikës mbi Italinë më pak të rëndësishme, por jo të parëndësishme.”

Më pas i gjithë “filmi” lidhet me koronavirusin: “Koronavirusi fillon nga këtu dhe fillon nga Kina, por shpërthen tepër në Itali, jo vetëm nga pikëpamja shëndetësore, por mbi të gjitha ushqehet nga media botërore, pavarësisht se çështja nxitëse nuk ka lidhje me një italian. Për vite me radhë, Kina dhe Rusia kanë qenë kundërshtarët e padiskutueshëm të tregtisë së Sh.B.A. sepse rëndësia e tyre dëmton në masë të madhe monopolin e dollarit në tregun global dhe kjo, për Sh.B.A., po krijon humbje të konsiderueshme të energjisë si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë gjeopolitik. Për ca kohë Amerika ka bërë gjithçka për të provokuar Rusinë me lëvizjet e tregut dhe zhvendosjet ushtarake për gjithçka që prek interesat e saj tregtare dhe gjeopolitike.”

I gjithë teksti përfundon me poentën se SHBA po shfrytëzon koronavirusin për t’u përgatitur për luftë me Rusinë, kurse nënteksti tenton të ndërtojë narrativin se kjo pandemi u shpik apo u përhap nga Amerikanët për të mposhtur oponentët në skenën gjeopolitike.

Viruset dhe lajmet e rrejshme janë sfidat me të cilat do të ballafaqohen shoqëritë demokratike në të ardhmen. Përhapen shpejt dhe është rëndë të kontrollohet situata nëse çdonjëri nuk angazhohet të bëjë punën e tij si duhet: institucionet dhe profesionistët të punojnë, kurse qytetarët të bashkëveprojnë. Për parandalimin e pandemisë së koronavirusit dhe të “infodemisë” së lajmeve të rrejshme nevojitet disiplinë kolektive dhe besim në institucionet e shtetit dhe mediat profesionale. Përveç punës humane e profesionale të punëtorëve shëndetësor në luftën kundër koronavirusit, një dritë shprese janë portalet që dekonstruktojnë narrativat të rrejshme e të rrezikshme në Maqedoninë e Veriut, siç është MythBuster.mk, apo Faktoje.al në Shqipëri.

Të fundit