E diel, 8 Shtator, 2024

BE ZOTOHET PËR SOLIDARITET: DO TA NDËRTOJMË BOTËN MBI RRËNOJAT E KRIZËS

Autore: Erisa Zykaj

 

Seanca plenare e Parlamentit Europian mbi masat për të luftuar virusin COVID-19 filloi me një kërkesë faljeje për mosreagimin e menjëhershëm të Bashkimit Europian lidhur me situatën emergjente në Itali në fund të shkurtit. E para që kërkoi falje ishte presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

“Ju nuk mund të kapërceni një pandemi të kësaj shpejtësie ose të kësaj shkalle pa thënë të vërtetën. E vërteta për gjithçka: numrat, shkencën, tablonë e përgjitshme, por edhe për veprimet tona. Po, është e vërtetë që askush nuk ishte vërtetë i gatshëm për këtë. Eshtë gjithashtu e vërtetë që shumë nuk ishin aty në kohë kur Italisë i duhej një ndihmë urgjente që në fillim. Po, për këtë, është e drejtë që Evropa në tërësi të kërkojë një falje me zemër. Por të shprehësh keqardhje për diçka nuk vlen nëse nuk ndryshon sjelljen. E vërteta është se nuk kaloi shumë kohë para se të gjithë të kuptojnë se duhet të mbrojmë njëri-tjetrin për të mbrojtur veten”, tha von der Leyen.

Presidenti i Këshillit Europain, Charles Michel, e vuri theksin te domosdoshmëria për një plan shpëtimi lidhur me transformimin ekonomik si rrjedhojë e koronavirusit.

“Çështja e dytë që ne do diskutojmë ka të bëjë me propozimin që do ju bëj liderëve europianë për një strategji të përbashkët të rimëkëmbjes  dhe tranformimit ekonomik afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë. Kjo pasi ne duhet të nxjerrim mësimet nga kjo krizë dhe të sigurojmë që nesër tê jemi më të fortë, të kemi më bashkëpunim, më solideritet dhe më shumê kapacitete.”

Eurodeputetët shigjetuan hapur Komisionin Europian  dhe shtetet anëtare të Bashkimit Europian.

“Pandemia e Koronavirusit na ka goditur në një mënyrë që nuk mund ta imagjinonim. Ka goditur sigurinë, lëvizjen e lirë dhe ne nuk e dijmë si do ndryshojnë jetët tona. Këto gjëra që janë jashtë kontrollit tonë dhe të tjera që varen nga ne. Nga vendimet që marrim tani varet nëse Bashkimi Europian do të dale më i fortë ose nëse qytetarët do humbin besimin në këtë projekt”, tha Iratxe Garcia Perez, kryetare e S&D (socialistët dhe demokratët).

Dacian Ciolos, kryetar i Renew (liberalët), tha: “Ne do ndërtojmë botën e të ardhmes mbi rrjedhojat e kësaj krize. Së pari, ne kemi përgjegjësinë për të nxjerrë të gjitha mësimet nga kjo krizë shëndetësore. Ne nuk mund të përmirësojmë gjërat nëse nuk pranojmë që në fillim të kësaj krize, tërheqja që treguan disa shtete anëtare dhe pafuqia e Komisioni Europian i lanë një shije të hidhur qytetarëve europianë.”

Phillipe Lamberts, kryetar i Greens ( të gjelbërit), nënvizoi se “tronditja e koronavirusit reflektoi dobësitë e shoqërive tona duke treguar në ditën e diellit atë që shumë vendimarrës politikë nuk donin tê shihnin dhe të dëgjonin deri tani”. “Sot disa bëjnë sikur po e zbulojnë, që masat e shtrëngimit ekonomik shkaktojnë vdekje, kur mungesa e financimit prej vitesh në shërbimet e shëndetit dhe ndaj personave të moshuar çojnë drejt vdjekjes me mijëra qytetarë.”

Parlamenti Europian debatoi deri në orët e vona amendamentet mbi rezolutën lidhur me masat mbi daljen nga karantina në nivelin europian.

 

Autorja është korrespondente e Tv Klan Maqedonia nga Brukseli 

Të fundit