E shtunë, 14 Qershor, 2025

ZIGZAG: OH, PSE!?

Njeriut, për të arritur atë që do, i duhet vullnet e durim! Kështu na mësonte në shkollën fillore Mustafa Laçi, mësuesi im i parë dhe një ndër poetët që e bëjnë letërsinë tonë të viteve ’50-80’ të qindvjetëshit të kaluar në Maqedoni e besa edhe në ish-Jugosllavi. Edhe këto ditë kur po përballemi me këtë rrufëhata, fjalët e mësuesit Mustafa, më tingëllojnë sa herë që gjykoj se të gjithë nga pak nuk po i vëmë në kantar porositë e atyre që, o sot o kurrë, duhete dëgjuar: Kujdesja për veten, na thonë doktorët, është edhe përkujdesje për të tjerët, edhe përmë të dashurit tanë!

Oh, pse, përse nuk po i dëgjojmë!?

 

Autor: Seladin Xhezairi

 

1. Doktor Ilir Hasani, po më komentonte këtë të hënë, njësoj si dhe kolegu i tij Fadil Cana, më herët, se, në fakt, ne qytetarët,në këtë kohë pandemie, do të duhej t’i ndihmonim punonjësit e shëndetësisë në mënyrë që ata t’na ndihmojnë ne! Tv Klan Macedonia, në fakt, njoftoi se në mesin e të prekurve nga Covid-19, në vend, kishte hiq më pak se 117 punonjës të shëndetësisë! Shkaqet, pak a shumë, janë si vijon: mungesa e sinqeritetit të pacientëve dhe pjesërisht edhe pajisjeve mbrojtëse personale të mantelbardhëve! Mbi të gjitha çorodit ‘fshehja e rrufës’, thuaja se do të bëhet nami a hataja: t’i tregosh doktorit se vuan nga këto e këto simptoma, se ke qenë atje e atje! Si t’i themi kësaj, mungesë edukate apo si? Një pamje tjetër, ajo e mungesës së pajisjeve personale mbrojtëse të personelit mjekësor, nuk është se s’është vënë re nëpër qendra spitalore, madje jo vetëm ke ne: ka raste urgjente, që s’kanë të bëjnë me koronavirusin, të cilat kanë marrë epilog tragjik, vetëm e vetëm për shkak të hezitimit që të pranohet i sëmuri në momentin e sjelljes në spital. Nga frika se ‘është i infektuar me koronavirus’! Oh, pse, përse! Dhe, që të mos dalë se gjithçka është e zezë, kur është fjala për respektimin e masës së vetizolimit, na e treguan dibranët në ballë me Hekuran Dukën, apo e banorët e Tuzit në Mal të Zi të cilët, të prirë nga Nik Gjeloshaj, u përballën stoikisht me sëmundjen e padukshme, duke ia ndalur turrin e përhapjes!

2. Majlinda Bregu rezulton të jetë shqiptarja e vetme me një post të lartë në një institucion evropian: Në cilësinë e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, duke folur për përmasat dhe pasojat e epidemisë në Ballkanin Perendimor, shprehu zhgënjimin pse një nismë e ngritur nga Këshilli, fill pas ardhjes së saj në ballë të tij, nuk u përqafua: ajo për liberalizimin e qarkullimit të mallrave e të njerëzve, por edhe për njohjen e diplomave të shkollimit të lartë. Si rezultat i këtij hezitimi të politikëbërësve ballkanas, javët e kaluara, shumë produkte, jo vetëm ushqimorë, por edhe për nevojat e mjekësisë, ndaluan në 14 vendkalimet kufitare të gjashtë vendeve të rajonit! Pra, jo vetëm në pikëkalimet kufitare Kosovë-Serbi! Zonja Bregu tha se rrëmuja është tejkaluar vetëm këtë fillimjavë.

3. Nuk e di nga e kam, por më pëlqen shumë kur flasin titullarët e jo këshilltarët! Javëve të kaluara, skenën politike kosovare e ‘kokëlavitën’ goxha shumë pikërisht këshilltarët e titullarëve apo edhe një garë e pakuptueshme për ‘Like’ e komente të ‘tifozerive’ partiake për paraqitjet televizive të të ‘parëve’ të tyre, thuaja se ato e ata atypëraty do të shndërroheshin në vota. Kosova e ka një përvojë të hidhur të ‘diferencimit ideopolitik’ të vieteve tetëdhja të shekullit të kaluar dhe kjo që po ngjet aktualisht në Prishtinë them, qofsha i gabuar, nuk po i bën nder askujt, aq më pak atyre që janë të ngarkuar me përgjegjësi! Aq më tepër kur njoftimet nga fqinjësia, Mali i Zi, po edhe Serbia, Maqedonia e Veriut e edhe Bosnjë e Hercegovina, flasin se, për shkak të murtajës Covid-19 është vendosur një biçim armëpushimi mes pozitë-opozitave. Njerëzit, vërte kanë shumë halle dhe kjo nuk dihet se çfarë mund të prodhojë nesër! /KDP

Të fundit